RSS

Bajrush Doda

21 Jan

Bajrush Doda – legjenda e folklorit shqiptar

Shkruan: (Qazim Doda) 20 Janar 2012  www.kosovapress.com

O prite, prite Bajrush Dodën ore heeej! Kështu isha rritur duke e dëgjuar zërin e fuqishëm të njeriut me të cilin kishim të njëjtin mbiemër.

I larguar nga Kosova në rininë e hershme, nuk kisha pasur mundësi që ndonjëherë të takohesha me këtë njeri kaq të adhuruar në trevat e Malësisë së Gollakut. Ai kishte kënduar me shumë në Rrafshin e Dukagjinit, Drenicë e Podrimje, por tek ne në Gollak ai dëgjohej ndoshta me shumë se gjithkund. I këndonte Ahmet Delisë, Kamer Loshit, Flamurit, Ali Pashë Gucisë, Skënderbeut e heronjve të tjerë. Ne mësonim ngjarjet historike , ato të cilat nuk i mësonim në shkollat tona dhe kështu mbusheshim me krenari për historinë e lavdishme të kombit tonë.

Bajrush Doda kishte një zë aq të fuqishëm. Ndërkohë që në fëmijërinë e tij për tri vite me radhë kishte mbetur pa zë. Kur iu kthye, atij zëri i erdhi shumë i fuqishëm dhe tepër kumbues aq sa të mos kishte nevojë fare për mikrofon as zmadhues. Në artin e të kënduarit të tij gërshetoheshin: fuqia e zërit, zotërimi i tij, bukuria e vokalit, vrulli i madh i rapsodit, talenti për të krijuar dhe mbajtur mend vargjet si dhe vendosmëria e përkushtimi i madh i tij që përmes këngës të përçonte mesazhin e historisë së dhimbshme dhe lavdiplotë të popullit shqiptar.

Takimi im i parë me Bajrush Dodën

Në fillim të viti 1993, derisa po pushoja nga një udhëtim i mundimshëm në zonën kufitare me Iliridën, po e dëgjoja një zë që më bënte kureshtar. Më bëhej sikur isha kthyer në odat e Kosovës ku po dëgjoja rapsodët dhe këngët e tyre për heronjtë tanë.

“ Jugosllavja UDB na i vret djemt e na i len mbi dhe!” Ishte një këngë për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Këtë këngë nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Nga kurioziteti u ngrita dhe shkova tek dera e të zotit të shtëpisë të cilin e quanin Rexhep, ishte tirons i vjetër ai. Kush po këndon zotëri e pyeta tek dera, ai me një buzëqeshje në fytyrën e tij m’u kthye: na nderon Barjush Doda nga Amerika më tha. Ata në Shqipëri nuk mund të thonin kurrë Bajrush por e shqiptonin Barjush.

Rexhepi, i zoti i shtëpisë më priu dhe sapo u fut ju tha të pranishmëve se kush jam, pa një e pa dy baca Bajrush më përqafoi dhe më tha: Po ku je o kusheri!?

Me të ishin Kadri Mani, Hajdar Doda, Skender Gjocaj, Gani Komoni, Skenderi-djali i bacës Bajrush, njëfarë Mahmuti dhe dy këngëtarë nga Tropoja.

Mua më kishte marrë malli të dëgjoja këngë të odave, pasiqë asokohe në Shqipëri kishin arritur të “civilizoheshin” shumë shpejt dhe dëgjonin më shumë italisht ose anglisht. Kisha një etje për të dëgjuar këngët e odave tona.

“Kam ardhur ta përgatis një album timin më tha, por qenka pak vështirë se këtu nuk po e kuptojkan mirë gegnishten, ndërsa mua më duhet që të këndoj gegnisht…” Në RTSH kishte hasur në një përkrahje të parezervë nga Skender Buçpapa i cili i kishte ofruar një ekip të mirë të xhirimit dhe i kishte ofruar edhe arkivin e televizionit.

Këngët e bacit Bajrush

Këngët e bacit Bajrush ishin ato për trimat nga Kamer Loshi, Ahmet Delia, Oj Kosovë oj Bukuroshe, Këngë për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën… e kështu me radhë. Atij duhej që t’ia shkruante dikush tekstin, pasiqë aty në Tiranë kishin problem të shkruanin në gegërishten e Kosovës që për shkak të disa zanoreve të tejzgjatura dallonte pak nga gegërishtja që flitej në zonën e Veriut.

I premtova se do t’ia shkruaja unë dhe do t’ia përgatisja brenda dy ditëve të gjitha këngët. Ndjeja disi një kënaqësi që kisha rastin t’i ndihmoja një njeriu që kaq shumë kishte dhënë për folklorin shqiptar. I thashë që pas dy ditësh të vinte tek zyrja ime dhe t’i merrte të gjitha këngët e shkruara ashtu siç dëshironte ai.

Një takim i papritur që nuk e diti se kush ishte

Para se të shkoja në zyrën time u takova në sheshin e Tiranës para përmendores së Skënderbeut me Adem Jasharin dhe disa shokë të tjerë. Me Ademin nuk rrinin shumë njerëz, sidomos shqiptarët e Kosovës u iknin takimeve me të. Iknin kur e shihnin sepse kishin frikë se mos po i fotografonte kush dhe ajo do t’u kushtonte shtrenjtë me t’u kthyer në Kosovë.

I thashë Ademit se e kemi bacën Bajrush në Tiranë dhe ai gjithmonë i ka kënduar Ahmet Delisë e trimave të tjerë të Drenicës.

“A e kie pernime?”, më pyeti Ademi dhe i qeshi fytyra. Erdhi bashkë me mua. Gjatë rrugës na u bashkangjit edhe grupi i Strugës që ishin për të njëjtën çështje në Tiranë. Duke dalur shkallëve përpjetë e vërejtëm se baca Bajrush kishte arritur para meje dhe po më priste. Duke i kënduar disa vargje të këngës së Ahmet Delisë ecte Ademi në drejtim të bacit Bajrush dhe shkoi e përqafoi.

E shihte i habitur, kush mund të jenë këta dy njerëz me mustaqe kaq të mëdhaja dhe që po më njohin kaq mirë.

“Prej kahit t’kemi o burre” e pyeti Ademin baci Bajrush, duke e shikuar disi në gjysëm vaj nga emocionet.

“Jam Halili nga Vokshi i Deçanit” i tha Ademi sepse nuk donte t’i thoshte emrin. “Jam rritur duke i dëgjuar këngët tua që më pëlqejnë shumë…”

Më pastaj Ademi ua zgjati dorën edhe atyre të tjerëve që ishin me të, pra Skender Gjocajt, Kadri Manit, Mahmutit, Hajdar Dodës, Gani Komonit dhe dy këngëtarëve tropojanë.

Njëri nga ata që ishte me bacin Bajrush, iu duk i dyshimt Ademit dhe më shikoi njëherë duke më dhënë shenjë se dikush ishte i dyshimtë. Menjëherë i tha ditën e mirë duke u larguar bashkë me shokët që ishin me ne. Unë qëndrova dhe i përfundova se shkruari këngët.

“Eu, po boll shpesh jom kanë n’Voksh, po këtë njeri nuk e kam pa kurrë bre!” Këtë ma tha baci Bajrush. I thashë: “Nuk njihem me të i thashë, këtu tek shkallët e takova dhe nuk e di se kush është…”. Nuk doja që të flisja më shumë në prezencën e të tjerëve.

Më vonë e pyeta Skender Gjocaj-n se kush ishte ai njeri që as nuk këndonte, as nuk fliste por vetëm na dëgjonte se çfarë po flasim.

Është një biznesmen nga ana e jonë më tha. Unë nuk deshta të dija më shumë për të, e dita që Ademi dyshonte në të dhe unë nuk e dija arsyen.

Jam takuar me dhjetëra herëe me Ademin dhe kurrë nuk më ka thënë se në kënd dyshoi, dy here kam insistuar, por ai vetëm qeshej dhe më thoshte: “Lëre se nuk duhet të merremi me të!

Një allti dhuratë Kadri Manit

Kadri Mani dhe Hajdar Doda kishin kënduar qysh herët me bacin Bajrush dhe e dinin çdo këngë të tij. Me insistimin e Kadrisë nuk dilnin në skenë me të dhe i lusnin dy tropojanët të këndojnë në skenë, ndërsa ai me dy të tjerët nga Kosova të rrinin në prapaskenë.

Një ditë e vërejta Kadriun se si po dridhej. “Nuk guxoj me shkue në Kosovë” më tha. “Janë kanë shkiet dhe e kan lypë një allti… Unë jam hall lig dhe nuk mundem me i qëndrue drunit të shkaut. Unë kisha armë por isha betuar që ato do t’i përdorja vetëm për aksionet e mia”.

Këtë problem e zgjodhën Skender Gjocaj dhe baca Bajrush që e kishte pasur një allti kur kishte pas jetuar në Kosovë dhe ia fali Kadriut që ta dorëzonte.

Vardisja e një spiuni

Derisa ishim duke pritur tek posta bashkë me Skenderin, djalin e bacit Bajrush dy studentë nga Llapi na e sollën një djalë me flokë kaçurrela dhe na e prezantuan si gazetar austriak, na thanë se emri i tij ishte Armando. Ne asnjëri nuk dinim gjermanisht dhe u munduam të flisnim me të anglisht, por ai nuk dinte. Pas pak minutash ai filloi të qeshej duke thënë se dinte edhe shqip. Fliste shqip duke i dhënë një aksent gjerman…

Ne u mashtruam dhe i ofruam të rrinte me ne. “Ma kanë vjedhur pasaportën dhe kuletën me para…” na tha duke u përlotur ngapak. Ne e morëm dhe e strehuam për disa ditë, sapo u fut brenda tek banesa ku banonte baca Bajrush, ai filloi t’i fliste shqip atij, duke thënë se kishte studijuar në Kosovë ku i kishte mësuar këngët e tij. “Jam Armando Dieter Mense!” i tha. E mori çiftelinë dhe e këndoi këngën “Kur t’i pashë rruzat në fyt”. U habitën të gjithë të pranishmit.

Pasi kishte shkuar baca Bajrush në Amerikë i telefonova dhe i thashë se e mora vesh kush kishte qenë ai “gazetari austriak”, pasi ma kishte vjedhur një librezë të gazetarisë, me të cilën kishte shkuar dhe ishte prezantuar në disa institucione në emrin tim, ku pas nj¨¨e kohe shërbimet e shtetit shqiptar e kishin vërtetuar se ai përdorte dokumente falso. Më vonë më pat ardhur njëfarë Imer Aliçkaj dhe më pat treguar historinë e atij djali, ishte Avdyl Loshaj, djali i Skender Gjonit nga Carrabregu. I tregova bacit Bajrush, i cili më tha se e njihte edhe Skender Gjonin që kishte qenë i martuar me një boshnjake: “A djali i tij paska qenë ai fare spiuni a, heu zoti ja theftë qafen!”

Ardhja ime në Amerikë dhe Bajrushi nikoqiri im i parë

Pas lufte nuk shihja kurrfarë mundësie të integrohesha në shoqërinë multietnike të Kosovës, ishte e pamundur për mua që t’i përballoja emocionalisht bashkëpunimit me ata që më kishin përsekutuar dhe vendosa të vija në Amerikë, ku nuk njihja asnjë njeri përpos bacës Bajrush.

I telefonova dhe i thashë se do të vij në Amerikë, por se nuk kam njeri atje. “Eu çka po thue o kusheri, po ti më ke mua e mirë se vjen. Më mbetet hatri nëse shkon dikund tjetër…” Kështu më tha dhe ma dha adresën.

Kur u nisa e informova se në çfarë ore do të jem në Aeroportin Newark të New Jersey-t. Kishte dalur të më priste, por aeroplani u vonua dy orë dhe dy orë të tjera më mbajtën duke e kërkuar valixhen time që kishte humbur. I kishte rënë shumë gjatë të priste dhe pas pesë orëve ishte nisur për New York për ta gjetur një advokat duke menduar se për ndonjë arsye të panjohur mund të isha arrestuar nga emigracioni…

Sapo mbarova procedurat për kërkesën që të gjendej valixhja ime dola jashtë dhe i bëra telefon. “Eh më gezove o kusheri që paske arritur, isha duke folur me një avokat…” Dhe menjëherë u kthye nga New Yorku dhe erdhi në aeroport të Newark-New Jersey-t.

Me të ishin Manja, gruaja e tij dhe djali i tij Ylbert-i. “Mirë se na ke ardhur o kusheri!” Kështu me këtë formulë bujare duke shprehur përzemërsinë e tij më priti në aeroport Bajrush Doda.

“T’marrt’ me t’mirë Amerika!”

Kur po e shikoja bacin Bajrush më bëhej se po shihja babën tim. Ai më ofroi një mikëpritje aq të ngrohtë. Duke ardhur rrugës u ndalem në lagjen e Bronxit NY për të blerë djathë në një shitore shqiptare. Pronari i shitores sapo mësoi se unë kisha ardhur për herë të parë në Amerikë m’u drejtua me fjalët: T’marrt’ me t’mirë Amerika!

Nuk dita se si t’i përgjigjem, sepse isha mësuar me shqiptarët në perëndim së pari të pyesnin a je azilant e pastaj flisnin me ty. Këtu në Amerikë shqiptarët ishin krejt ndryshe, të uronin mirëseardhjen dhe të uronin suksese. Pse më tha këto fjalë ky njeri i panjohur e pyeta bacin Bajrush gjatë rrugës për në shtëpinë e tij. Më vështroi njëhere dhe më tha: “Këtu në Amerikë nëse të merr me të mirë në fillim do të përparosh shumë shpejt, e nëse merresh me punë të liga këtu humbesh shume shpejt…”

Duke vazhduar rrugën baci Bajrush filloi të më fliste për një problem që sapo i kishte ndodhur, ata kishin rënë në bela me një njeri nga Muriqët e Rugovës, djali i tij ishte në arrati për shkak se kishte tentuar ta vriste atë personin nga Muriqët. Po nejse de! këtu në Amerikë janë shumë shqiptarë që vijnë nga Rugova dhe janë njerëz të mirë, e nuk ka mal pa derra kanë thënë të parët tanë.

Mbiemri i bacit Bajrush nuk ishte Doda

“Nuk e di nëse të kam treguar kusheri, se i gjithë populli më njeh si Bajrush Doda por unë e kam mbiemrin Mustafa”. Nuk kisha dëgjuar kurrë dhe u habita dhe i thashë se pse nuk e kishte bërë publike? “Paj me të thënë të drejtën mua më kënaqin kur më thërrasin Bajrush Doda se kështu edhe më njeh populli…”

Mua më thërriste kusheri sepse të dy ishim fis Berishe dhe me mbiemrin Doda. Edhepse këtu në Amerikë e kishte ndërruar mbiemrin, ai edhe më tej prezantohej si Bajrush Doda.

Dy pika lotë të Bajrush Dodës për Adem Jasharin

Pasi arritëm në shtëpinë e tij në Putnam Valley të New York-ut, duke e pirë kafen i ra ndërmend ai Halili i Vokshit.

“Po më thuaj o kusheri, a është gjallë ai Halili i Vokshit se kam pyetur shumë njerëz për të dhe askush nuk e njihte, e ai kishte qenë një burrë kreshnik dhe dua ta dij nëse ka shpëtuar gjallë nga lufta?”

U mendova pak çaste nëse do të duhej t’i tregoja apo jo, por meqë më pyeti me aq interesim të sinqertë, vendosa t’ia sqaroj punën e Halilit nga Vokshi.

“Atë person që ti e ke njohur si Halili i Vokshit, ai Baca Bajrush, ishte tjetër kush, ai ishte komandanti legjendar Adem Jashari. Ai kaloi në përjetësi bashkë me shumë anëtarë të familjes së tij…”

Papritmas filloi t’i dridhej ai trupi shtatgjatë i Bajrush Dodës dhe nga sytë e tij ranë dy pika loti. Nuk u përmbajt. Për do kohë e pati të pamundur të thoshte ndonjë fjalë.

Nuk i shpëtonte asnjë takim pa e përmendur takimin me Adem Jasharin

Sa ndjente dhembje për vrasjen e Halilit nga Vokshi, aq edhe ndjente krenari se e kishte njohur dhe kishte pasur mundësi që t’i shtërngonte duartë me të. Shumë herë në ndonjë takim në komunitet e sidomos në vizitat e ngushëllimeve që shqiptarët në Amerikë i mbajnë të rregullta dhe konform traditave të hershme të atdheut, me ç’rast mblidhen shumë njerëz për ta ndarë dhembjen për këdo që i ka ndodhur vdekja, Bajrush Doda përmendte rastin se si kishte pasur fat të takohej personalisht me komandantin legjendar dhe rrëfente se çfarë kishin biseduar…

Fatkeqësisht shumë njerëz që qëllonin në ato vizita ngushëllimesh apo takime për raste tjera kishin luajtur një rol negativ në komunitet. Disa njerëz kishin bërë edhe festë të madhe kur kishin dëgjuar për vrasjen e familjes Jashari dhe kur Bajrush Doda ua përmendte emrin e tij, ata vetëm e ulnin kokën dhe nuk bënin asnjë shenj, duke e luajtur rolin e shurdhëmemecit.

Si e mori azilin politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Bajrush Doda kishte shumë histori interesante, ai në Amerikë e kishte marrë azilin politik ndryshe nga të gjithë të tjerët. Siç e thoshte përkthyesi i tij në intervistën që e kishte pasur në zyrën e emigracionit, atij i kishte kërkuar zyrtari i emigracionit që të këndonte një këngë patriotike. Pasi kishte marrë frymë pak, Bajrush Doda kishte filluar ta këndonte këngën e Ahmet Delisë dhe nuk kishte pasur nevojë më shumë t’i rrëfente zyrtarit se çfarë këngësh kishte kënduar për dekada me radhë derisa Kosova kishte qenë e okupuar.

Shuarja nga jeta e Bajrush Dodës la një zbraztësi në folklorin shqiptarë

Vdekja e Bajrush Dodës krijoi një zbraztësi të madhe në folklorin shqiptar, ai do t’i mungojë shumë familjes, miqve dhe adhuruesve të tij. Ai që do të merret me studimin e krijimtarisë së Bajrush Dodës duhet ta kuptojë se ky legjendar i folklorit ishte një atdhetarë i zjarrtë dhe përmes këngës së tij e shprehte atdhedashurinë duke mobilizuar brezat për qëndresë dhe luftë për liri e pavarësi.

 
Leave a comment

Posted by on January 21, 2012 in Uncategorized

 

Tags:

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: