RSS

Prof. Dr. Mehdi Hyseni diskreditoi Avni Spahiun ne vitin 2009

20 Mar
AVNI SPAHIU PERSONA NON GRATA
Publikuar më 15 mars, 2009
BAROMETRI DIPLOMATIK
Prof.Dr.Mehdi HYSENI 
***Qazim Doda: “Avni Spahiu-përfaqësues i KLANIT apo i KOSOVËS?” (www.albaniapress.com,14 mars 2009).*** Nuk është e rëndësishme ku ke punuar, por çka, dhe, për kë ke punuar.

Avni Spahiu

(1) Selim Spahiu patriot dhe atdhetar i patrembur shqiptar!

*** Babai i Avni Spahiut, ndjesë pastë, edhe pse pjesën më të madhe të jetës së tij ishte i anatemuar (për shkak se nuk ishte i “përshtatshëm politikisht”), sjelljen, veprimet, burrërinë njerëzore, ndërgjegjen dhe vetëdijen kombëtare dhe atdhetare shqiptare i kishte në shkallë shumë të lartë dhe, madje, edhe të pakrahasueshme me ato të birit tij Avni Spahiu ngase, pothuajse, ishte i vetmi nga shqiptarët në Kosovë, i cili e këndonte dhe e dinte përmendsh “Lahutën e Malësisë” së At Gjergj Fishtës (edhe pse kjo ishte e ndaluar nga bandat e regjimit kriminel dhe reaksionar komunist serbo-jugosllav), si dhe veprën e figurën e ndritshme e madhështore patriotike shqiptare të Avni Rrustemit e kishte ideal jetësor të tij, kështu që nga ndjenja, respekti dhe atdhedashuria, që kishte për Avni Rrustemin si patriot demokrat dhe revolucionar shqiptar, ai edhe e pat pagëzuar djalin e tij me emrin Avni, i cili, fatkeqësisht, nuk është as hija e babait të tij patriot, Selim Spahiu nga Vitaku i Drenicës.
Sikur, i ndjeri, Selim Spahiu (babai i Avniut), ta kishte ditur këtë të vërtetë se i biri i tij, Avniu në rolin e gazetarit, e ka poshtëruar dhe e ka ofenduar gjithë diasporën shqiptare në Amerikë, pse ajo me plotë të drejtë morale, kombëtare dhe humane ishte ngritur në demonstratë në Nju-Jork, më 17 janar 1984 për ta mbrojtur gjakun, nderin, të drejtën dhe lirinë e shqiptarëve në Kosovë, sigurisht se, AI më nuk do thërriste birin e tij të dashur Avni Rrustem, por Esat Pashë Toptan, të cilin tërë jetën e tij, Baca Selim e pat urrejtur dhe përbuzur në skajshmëri si tradhtar dhe armik të përbetuar të popullit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Këtë shembull e pasqyrova me qëllim që, nuk duhet ngatërruar dhe përgjithësuar gjërat, sepse, secili ka emrin dhe mbiemrin e vet. Secili përgjigjet për gabimet, dhe për fajin e vet. Për më tepër, kur flasim, shkruajmë dhe kritikojmë, gjithmonë, duhet të mbajmë parasysh faktin se, kritika jonë duhet të jetë e argumentuar dhe e bazueshme me fakte objektive, jo primitive, paragjykuese, subjektive, urrejtëse, armiqësore dhe diskualifikuese me rastin shqyrtimit të fenomeneve të caktuara në shoqërinë shqiptare. Një qëllim i këtilë mund të arrihet, vetëm nëse plotësohen këto kritere: (1) etika, (2) profesionalizmi, (3) edukata familiare, (4) edukata dhe arsimi kombëtar (5) objektiviteti, (6) ndërgjegjja e lartë njerëzore, kombëtare dhe atdhetare, (7) parimësia, (8) dinjiteti,(9) humanizmi, (10) mirësjellja, (11) mirëbesimi, (12) përgjegjësia ndaj vetvetes dhe ndaj shoqërisë, si pjesë e pandashme e saj. Mospërfillja e këtyre standardeve, nënkupton “daljen nga tema”, e kur anashkalohet “tema”, atëherë, do të thotë se flasim, ose shkruajmë për diçka tjetër, jo për “temën”. Ato krijesa, të cilat janë të prirura, të “dalin nga tema” nuk kanë të drejtë morale as ligjore, ta drejtojnë as shtetin, as popullin. Gjithashtu, edhe krijesat e tjera “sekondare”, jashtë pushtetit dhe, që jetojnë jashtë realitetit, që synojnë t’i kritikojnë të tjerët sipas “përshtypjeve” të tyre paragjykuese dhe dirigjuese serbosllave dhe kolaboracioniste nuk kanë asnjë të drejtë morale, as ligjore që t’i kritikojnë të tjerët, duke “ dalë nga tema” si objekt trajtimi.
Thjesht, ata që “dalin nga tema”, duke u munduar, që t’i shpifin, t’i etiketojnë dhe t’i përfolin të tjerët (në forma të ndryshme armiqësore), që nuk e meritojnë të jenë objekt i negativistëve të tillë, ata, në asnjë mënyrë nuk ia duan të mirën as shqiptarëve e as Shqipërisë Etnike, por janë provokatorë, agjentët dhe armiqtë më të rrezikshëm të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike, në raste të caktuara ua tejkalojnë edhe fashistëve dhe imperialistëve sllavo-bizantinëve ballkanikë.
* * *

(2) Sqarimi
Para se t’i hyjmë medias res të analizës së Qazim Dodës lidhur me skandalin diplomatik-Avni Spahiu, për hir të realitetit dhe të së vërtetës, është e udhës që të japim një sqarim, kur është fjala për ekuidistancën e kohës dhe të rrethanave politike dhe shoqërore, kur dikur (në vitet e 80-ta të shekullit XX), Avni Spahiu ka vepruar dhe punuar si korrespondent (gazetar) i gazetës së përditshme “Rilindja” të Prishtinës në Uashington.
Është krejtësisht e qartë dhe normale se, Avni Spahiun askush nuk ka të drejtë ta anatemojë, ta shpifë dhe ta akuzojë pse ai në kohën e sistemit komunist dhe socialist ka qenë komunist, ose pse ai ka punuar si gazetar i “Rilindjes” së Prishtinës në Uashington, edhe pse Kosova atë botë, politikisht dhe juridikisht ishte pjesë përbërëse e Republikës Socialiste Federative të Serbisë. Ndërkaq, sot, Kosova është e shkëputur përjetësisht nga Serbosllavia kolonialiste dhe gjenocidale në saje të luftës çlirimtare dhe heroike të UÇK-së dhe Aleancës së Atlantike Veriore (NATO), përkatësisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Avni Spahiun askush nuk ka të drejtë ta kritikojë pse ai ka pasur librezën e kuqe komuniste ( sepse, edhe autori, edhe Rugova, edhe Qosja …etj. në Kosovë kanë qenë anëtarë të partisë komuniste të Jugosllavisë, përveç ADEM DEMAÇIT me bashkidealistët, me bashkëveprimtarët, me bashkëmendimtarët dhe me bashkë të burgosit e tij atdhetarë, të cilët me vepër konkrete kanë luftuar si kundërshtarë të regjimit komunist serbo-jugosllav), sepse dihet në atë kohë, shumica dërrmuese e shqiptarëve nominalisht kanë qenë anëtarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë ngase statusi politik dhe ekzistenca biologjike dhe ekonomike e tyre jetësore varej nga anëtarësimi i tyre formal, që ishte kinse garancë e “përshtatjes politike” (e jo, kurrsesi nga bindja e tyre kombëtare dhe politike) në regjimin komunist, jo, pse ajo shumicë e donte atë regjim tiranik, por, pse nuk kishte nga t’ia mbante, nuk kishte alternativë tjetër, ashtu, sikurse të gjithë shqiptarët e tjerë në Shqipërinë socialiste të Enver Hoxhës.

Me një fjalë, koha ka qenë e atillë si në Jugosllavi, ashtu edhe në Shqipëri, kur shqiptarët kanë qenë të pafuqishëm, që të ndryshojnë sistemin komunist, të imponuar nga faktorët ideologjikë, politikë dhe strategjikë ndërkombëtarë, siç ishte Bashkimi Sovjetik si superfuqi botërore deri më 1990, kur përfundoi lufta e ftohtë, përkatësisht u shkatërrua BRSS-ja dhe aleatët e tij evropiano-lindorë të kampit socialist-komunist, së këndejmi edhe ish-RSFJ-ja, edhe RPSSH-ja.

(2) Asimetria dhe simetria

Edhe pse shumica prej shqiptarëve kanë qenë anëtarë të LKJ-së (në organe dhe në institucione të ndryshme politiko-shoqërore dhe shtetërore të ish-RSFJ-së, sidomos pas përmbysjes së Aleksandar Rankoviqit/1966/, përkatësisht pas miratimit të Kushtetutës së RSFJ-së dhe të KSA të Kosovës, më 1974, me ç’rast erdhi në shprehje një lloj liberalizimi edhe për përfshirjen e kuadrove shqiptare në institucionet dhe në organet politiko-shoqërore), kjo, në asnjë mënyrë nuk do të thotë se shumica e tyre kanë qenë në shërbim të sistemit komunist, por ishin vetëm pjesë nominale dhe formale e tij atij sistemi të imponuar, që nga Konferenca e Jaltës (1945), me ç’rast nga “Treshi i Madh” (Ruzvelt, Çërçill, Stalin) bota ndahet në dy blloqe(kapitaliste dhe socialiste) Perëndimore dhe Lindore. Kjo ishte arsyeja kryesore pse shqiptarët dhe Shqipëria kishin ngelur nën “ombrellën” (draprin dhe çekanin) e komunizmit ortodoks revizionist sovjetiko-jugosllav,e jo nën sistemin kapitalist Perlndimor.
Me një fjalë, mund të thuhet se, shumica e anëtarëve shqiptarë të LKJ-së, ishin vetëm komunistë në letër, sepse, madje, edhe nuk dinin se çfarë domethënie kishte doktrina dhe praktika deformuese revizioniste e sistemit komunist ortodoks ruso-jugosllav, gjë që kjo, edhe ishte anë pozitive dhe, gjithashtu, një përparësi e tyre, sepse ngelën të papërpunuar ideologjikisht dhe politikisht si “komunistë” të sistemit robërues dhe nënshtrues serbo-jugosllav.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë se, në mesin e komunistëve shqiptarë si në Kosovë, ashtu edhe jashtë Kosovës (sidomos, ata të infiltruar në politikë dhe në pushtetin shtetëror komunist: funksionarë drejtues, dhe të tjerë, të inkuadruar në organet dhe në institucionet e pushtetit vertikal dhe horizontal serbo-jugosllav) nuk ka pasur të tillë, që nuk i kanë shërbyer me vetëdije dhe me lojalitet të plotë, jo vetëm interesave dhe qëllimeve antishqiptare të partisë komuniste (që ishte kryemakina e bluarjes së të gjithë atyre shqiptarëve patriotë revolucionarë me Adem Demaçin në krye, që e kundërshtonin botërisht, kur ishte fjala për mbrojtjen e interesit dhe të identitetit kombëtar, ekonomik, politik dhe shoqëror shqiptar), por edhe shërbimeve të ndryshme të zbulimit dhe të kundërzbulimit sekret policor, ushtarak dhe të sigurisë, të personalizuara dhe të drejtuara nga UDBA famëkeqe serbo-jugosllave.

Këtë fenomen negativ të argatëve, të shërbëtorëve, të spiunëve dhe të kolaboraconistëve shqiptarë filoserbë ( duke filluar që nga këshilltari i katundit, nga kryetari i bashkësisë lokale, nga kryetari i komunës, e deri te kryetarët, funksionarët, nëpunësit dhe korrierët e komiteteve komunale, krahinore , republikane dhe federative etj.) të sistemit komunist serbo-jugosllav, shumica dërrmuese shqiptare, që atëherë ka qenë në dijeni për të gjitha veprat e tyre të liga, armiqësore, antikombëtare dhe antishqiptare. Mirëpo, nuk kishte fuqi se si t’ia prente në cung hovin dhe rritën e atij fenomeni shëmtues dhe tragjik, i cili mbi 40 vjet me radhë, mori shumë jetë dhe viktima shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në hapësirat e tjera të Shqipërisë Etnike (Serbi, Mal të Zi dhe në “Maqedoni”).

Si rrjedhojë e një fenomenolgjie të tillë armiqësore dhe antishqiptare, edhe në Kosovën e para luftës, gjatë luftës dhe të pas luftës (1989-2009), shumica dërrmuese shqiptare , në forma dhe, në mënyra të ndryshme, ende po ballafaqohet me fantazmën trishtuese dhe me recidivat e politikës së dikurshme të regjimit të kalbur komunist ortodoks serbo-jugosllav. Kjo fenomenologji dhe tendencë negative vërehet sidomos në zgjedhjen dhe në përzgjedhjen negative të kuadrove të ndryshme shqiptare në organet dhe në institucionet e ndryshme politiko-shoqërore dhe shtetërore në Kosovë. Ky është gabimi dhe turpi më i madh, që sot, edhe pas pavarësimit të Kosovës nga Serbia, ekziston një numër i madh i shqiptarëve me vulë filoserbe, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin, në miratimin dhe në zbatimin e vendimeve të ndryshme për fatin e popullit dhe të Kosovës.

Është çudi, se si filoserbët kanë mundur të penetrojnë “pa asnjë therë në këmbë” në strukturat qeveritare dhe parlamentare të Kosovës, kur krahu politik dhe ushtarak i luftës së UÇK-së në pushtet, i njeh si “paren e kuqe”, si thotë populli! Andaj, nga kjo “lidhje kurshqie” !? Nga kjo simetri e politikës së sotme me recidivat dhe me gabimet e politikës së perënduar komuniste serbo-jugosllave? Nga kjo simbiozë e bashkëpunimit dhe e drejtimit politik, ekonomik, administrativ dhe diplomatik të Kosovës së pavarur, kur dihet se dezertorët dhe luftëtarët e UÇK-së ka qenë në anë të kundërta të barrikadës si para, si gjatë, ashtu edhe pas luftës!?

Sa më sipër, duhet të themi se, Avni Spahiu nuk është fajtor pse ai ka qenë komunist (sepse shumica dërrmuese dikur, formalisht, në letër ishim komunistë, por me bindje dhe me punë, assesi jo) dhe, pse, ai sot, pas çlirimit të Kosovës, pothuajse 10 vjet ishte kryetar i Bordit të RTK-së, dhe, tani, aktualisht, është ambasador në Uashington, sepse këto poste dhe funksione në “stilin” e burokracisë, të despotizmit dhe të nepotizmit të sistemit komunist serbo-jugosllav ia ka mundësuar klani, akraballëku dhe feudalët bujkërobër provincialistë të tij, të cilët, sot e dirigjojnë dhe e drejtojnë politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Ata e mbajnë përgjegjësinë për dekretimin dhe për akreditimin e Avni Spahiut, ambasador në SHBA(Uashington D.C.), jo Avni Spahiu.

Pra, ata, që e kanë nënshkruar dekretligjin e emërimit dhe të caktimit të Avni Spahiut, ambasador në Amerikë, ata, edhe duhet ta revokojnë Avni Spahiun nga posti i Ambasadorit në SHBA nga shkaku se ai në vitin 1984 (18 janar) përmes informacionit reportesk nga Nju-Jorku, të publikuar në Gazetën “Rilindja” të Prishtinës, publikisht ka ofenduar mbi bazën nacionale dhe politike mërgatën shqiptare në Amerikë, duke quajtur armike dhe ekstremiste, për shkak të organizimit dhe të mbajtjes së demonstratës së tyre në mbrojtje të drejtave dhe lirive politike, ligjore, humane, demokratike dhe të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe të Kosovës shqiptare.

(3) Kombi dhe atdheu nuk janë pronë private e askujt!

Nuk ka amnisti për ata që e tradhtojnë, e shesin, e ofendojnë dhe e dëmtojnë interesin e përgjithshëm dhe vlerat vitale të kombit dhe të shtetit shqiptar, qoftë Avni Spahiu, qoftë Mehdi Hyseni, apo kushdo tjetër qoftë në pushtet, apo jashtë pushtetit. Në këtë pikëvështrim, nuk mund të ketë kurrfarë tolerance, as abolimi, pavarësisht nga lakmia e interesit karrierist dhe materialist personal, apo nga diktati i imponuar klanor, grupor, apo partiak, sepse mbi të gjitha është mbrojtja e interesit të përgjithshëm të kombit dhe të atdheut shqiptar, pavarësisht nga koha dhe nga sundimtarët e tyre.

(4) Fetishi dhe kulti i individit çojnë në rrugë pa krye!

As politika, as diplomacia, as drejtësia e Kosovës, e as interesi i përgjithshëm i Kosovës nuk kanë asnjë nevojë për krijimin e idhujve, të miteve dhe të kultit të individit, pavarësisht se çfarë stadi të horizontit të dijes zotërojnë individët e kyçur në fushën politike dhe shkencore të Kosovës.

Para së gjithash, duhet të jemi realistë, (jo tregtarë liberalistë, që intelektualëve të aftë shqiptarë, t’ua tregojmë vendin me gisht dhe me forcë, jo sipas etikës së shëndoshë dhe aftësisë dhe meritës sy tyre profesionale), duhet të jemi të pastër politikisht dhe ekonomikisht (pa asnjë hipotekë), duhet të jemi të ndërgjegjshëm moralisht, profesionalisht, kombëtarisht, dhe pa asnjë njollë të zezë kundrejt interesit të përgjithshëm kombëtar shqiptar dhe Shqipërisë Etnike.

Po ashtu, ka ardhur koha që përgjithmonë, ta varrosim (teorinë dhe praktikën trashëguese armiqësore të të gjithë sundimtarëve tanë në shekuj) inatin, egoizmin, urrejtjen, përçarjen, armiqësinë ndaj njëri-tjetrit, sepse të gjitha këto janë vese të liga, që i përkasin kohës së errët të primitivizmit dhe të barbarizmit, të clat, të gjithë armiqtë tanë të derisotëm i kanë përdorur si armën kryesore dhe më të efektshme për sundimin, përçarjen, copëtimin dhe kolonizimin shekullor të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike. Fatkeqësisht, aq sa do të “mbijetojnë” këto recidiva negativë të shekujve të kaluar, aq do të jemi larg nga mirëkuptimi, nga dashuria, nga respekti, nga besimi reciprok ndaj njëri-tjetrit, përkatësisht aq do të rrojmë nën robërinë e këmbës së huaj.

Të vetëdijësohemi dhe të mësohemi, njëherë e përgjithmonë, se si ta urrejmë, ta mashtrojmë dhe ta luftojmë armikun, e jo si ta urrejmë, ta përulim, ta poshtërojmë, ta nënçmojmë, ta mashtrojmë, ta tradhtojmë , ta shesim dhe ta vrajmë njëri-tjetrin për interesa të ngushta dhe, për hatër e interes të armikut të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike. Mjaft më, qoftë e varrosur përjetë kjo “sëmundje kronike” shekullore, e importuar dhe e imponuar nga armiqtë sllavobizantinë dhe turkoshakë osmanë etj.

(5) “Dilema”

S’ka dilemë se Avniu është dëshmuar, dhe se është përkthyes i shkëlqyer. Mirëpo, nuk është diplomat i shkolluar ngase nuk ka kryer asnjë kolegj dhe asnjë fakultet për diplomaci apo për marrëdhëniet politike, juridike dhe ekonomike ndërkombëtare. Ky është hendikepi profesional i tij. Këtë të vërtetë nuk mund ta mohojë as vetë Avniu e as mbështetësit dhe simpatizuesit e tij.

Mirëpo, me gjithë këtë vakuum profesional të sferës diplomatike, Avniu nuk është fajtor pse është ulur në karrigen e butë të ambasadorit në Uashington, por ata që e kanë dërguar si përfaqësues diplomatik të Kosovës.

Të moskeqkuptohemi, Avni Spahiu mund të jetë përkthyesi më mirë në botë, mirëpo, kjo, në asnjë aspekt nuk justifikon “vlerësimin” kuturu, të njëanshëm dhe subjektiv të mbështetësve dhe të dërguesve të tij provinicialistë se, ai “është personi më i qëlluar dhe më i kompletuar diplomatik për të ushtruar misionin dhe funksionin e tij si ambasador në Uashington.” Absolutisht, një konstatim i tillë i logjikës arbitrare mahallore, klandistike, grupore dhe bulevardeske nuk është i saktë në asnjë segment të konstruktimit të tij komedial dhe absurd. Pikësëpari, se Avni Spahiu nuk ka kryer kurrfarë kolegji, kurrfarë fakulteti, kurrfarë magjistrature, as kurrfarë doktorate të shkencave politike, ekonomike, diplomatike dhe juridike ndërkombëtare. Kjo do të thotë, se Avni Spahiu nuk e plotëson asnjë kusht që të jetë jo ambasador dhe konsull, apo ndonjë nëpunës në kuadrin e diplomacisë së Republikës së Kosovës, veçse si përkthyes i gjuhës angleze, po, patjetër. Mirëpo, sa herë duhet të theksojmë se, përkthyesi i anglishtes, ose i frengjishtes, ose i italishtes, ose i gjermanishtes, ose i japonishte, ose i kinezishtes…etj., njëherazi NUK ËSHTË edhe diplomat, as politikan, por vetëm përkthyes-shërbëtor profesional i politikanëve dhe i diplomatëve. Mirëpo, në kohën sotme moderne, përkthyesit nuk mund të jenë as serviserë të diplomtëve, sepse shumica prej tyre e di një apo më shumë gjuhë të huaja.

Duhet t’i rikujtojmë “aminuesit” e ambasadorllëkut të Avni Spahiut se ai as profesionalisht, as diplomatikisht e as kombëtarisht nuk e meriton të jetë kryeter i Kosovës në Amerikë. Këtë, në mënyrën më konkretizuese dhe materializuese me argumente të forta dhe të pakundërshtueshme e justifikon edhe komenti realist i Qazim Dodajt, i cili për hir të ruajtjes së kredibilitetit dhe të unitetit të frymës gjithëkombëtare shqiptare, apelon dekretuesit pushtetarë të Kosovës, që Avni Spahiun, ta revokojnë nga posti i pamerituar i ambasadorit në Uashington.

Po ritheksoj se, askush nuk ka të drejtë që Avni Spahiun(ambasador aktual në Uashington) ta kritikojë për shkak se ai ka qenë komunist dhe përkthyes 10-vjeçar i Ibrahim Rugovës. Mirëpo, sjellja dhe veprimi i tij direkt kundër protestuesve shqiptarë në Nju-Jork, është një episod i zi në biografinë e tij si gazetar, si përkthyes, si politikan dhe si diplomat shqiptar ngase mërgatën shqiptare në Amerikë e ka cilësuar “armiqësore” dhe “ekstremiste”, edhe pse ajo ishte në funksion të mbrojtjes së Kosovës shqiptare. Mirëpo, meqë gazetari i “Rilindjes” në atë kohë ishte vetëm gazetar, edhe bëri gabimin e pafalshëm mbi bazën kombëtare dhe politike.

Pra, faji, gabimi dhe përgjegjësia e tij direkte dhe indirekte, qëndron në faktin se ai, me rastin e raportimit për Gazetën “Rilindja”(si korrepsondet special i saj nga Amerika), pa asnjë zor, ka shpifur të vërtetën mbi mërgatën shqiptare në Nju-Jork, duke e kualifikuar si “armiqësore” dhe “ekstremiste”, për shkak se kjo, sipas konstatimit të tij devijant gazetaresk, ka organizuar: “Demonstratë antijugosllave me parulla të njohura armiqësore ngase ekstremistët nga mërgata armiqësore shqiptare kanë sulmuar dy reporterë të TV Beogradit, Goran Musqiin dhe Goran Miliqin.” (Shih Gazetën e Prishtinës “Rilindja”, më 18 janar 1984).

Ky është argumenti kryesor dhe i pakundërshtueshëm pse Avni Spahiu nuk mund të jetë ambasador, e as të bartë kurrfarë funksioni dhe detyre politiko-shtetërore dhe shoqërore në asnjë institucion dhe në asnjë organ të Republikës së Kosovës (as në kuptimin e brendshëm, as në atë të jashtëm të përfaqësimit të saj, në asnjë nivel të strukturave të saj politike, diplomatike, ekonomike, tregtare, ushtarake a kulturore).

Skandali diplomatik Avni Spahiu nuk mund të mbrohet as të justifikohet, sepse përfaqësuesit e diasporës shqiptare në Nju-Jork e kanë zënë “me pelë përdore”. Këtë e provon edhe fakti material-faksimili i gazetës “Rilindja” të datës 18 janra 1984. Ky është problemi që tani pret zgjidhje nga ai që e ka nënshkruar dekretligjin ose vendimin, që Avni Spahiu të emërohet ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (në Uashington).

Rasti Avni Spahiu është shumë i qartë, sepse që nga 17 janari i vitit 1984, është persona non grata për diasporën shqiptare në Amerikë, për shkak që qëndrimeve dhe pikëpamjeve të tij armiqësore kundër interesave kombëtare shqiptare dhe interesave vitale kombëtare të Kosovës shqiptare. Ai, me rastin e organizimit të demonstratës së mërgatës shqiptare në Nju-Jork, më 17 janar 1984, meqë i ka mbrojtur interesat politike, propagandistike dhe diplomatike të serbo-jugosllavisë, jo mbrojtjen e interesave të identitetit kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve të Kosovës, fare nuk ka pasur arsye, që të merrte pjesë së bashku me ata dy gazetarë serbë të TV Beogradit në atë protestë shqiptare në mbrojtje të Kosovës, e aq më pak të konfrontohej me drejtuesit e saj, dhe që, në faqe të parë ( si lajm “special sensacional” nga Nju-Jorku) të gazetës “Rilindja”, të shkruante aq marrëzisht dhe aq armiqësisht kundër pjesëmarrësve të saj shqiptarë, duke i quajtur “armiq” dhe “ekstremistë” të Jugosllavisë.

“Bylbyl ky shekull or ças ndërrohet”, por logjika, sjellja dhe karakteri i shqiptarëve kulltukofagistë, feudalistë, revizionistë dhe imperialistë kurrë nuk do të ndryshohen, sepse , po ata që kanë qenë këtu e 100 vjet më parë, edhe sot, janë të pakorrigjueshëm, të pandryshueshëm dhe të pathyeshëm, sepse kanë qenë dhe, edhe sot janë dora e djathtë e të gjithë armiqve të huaj të shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike.

Dikur të tillët, me të drejtë, populli liridashës shqiptar i quante esadistë, zogollistë dhe fashistë, kurse sot, sipas parullave boshe dhe demagogjike të kohës dhe të shoqërisë konsumatore, mjerisht, po i quan të “moderuar”, “eurointegralistë”, “tranzicionistë” dhe “transnacionalistë”?! – Hajde, dreq, e bjeri në fije kësaj terminologjie të “demokracisë së re” dhe të “patriotizmit të ri” multietnik dhe multipluralist?!

Mirëpo, “përafërsisht” kuentisencën e përmbajtjes së kësaj doktrine të re filozofike të njësimit global, më së miri, e provon varësia ekonomike, gjysmëpavarësia politike, brishtësia e sovranitetit kombëtar dhe shtetëror shqiptar dhe sundimi i kolonializmit klasik sllav në më se gjysmën e kolonizuar dhe të copëtuar shqiptare.

Të gjitha këto forma dhe “agjenda strategjike” të nënshtrimit dhe të varësisë ekonomike dhe politike të imponuara nga politika brendshme dhe e jashtme janë në funksion të amortizimit dhe ngulfatjes së nacionalizimit progresiv dhe demokratik shqiptar, i cili, si rrjedhim, qe 20 vjet (1990-2009) ndodhet në periferi të zgjidhjes së problemeve të nxehta shqiptare në Ballkan, sepse fjalën kryesore e ka demagogjia dhe hipokrizia e politikës ditore 20-vjeçare shqiptare, e cila është bërë lodër atraktive në kombinatorikën dhe në koniunkturën e interesave strategjike të fuqive të mëdha evropiane dhe botërore.
_________________________

 
Leave a comment

Posted by on March 20, 2012 in Uncategorized

 

Tags: ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: