RSS
Aside
02 Apr

Marrëdhënjet tona me Ushtrinë e Kosovës janë të shkëlqyera

Prishtinë, (Kosovapress) 02 Prill 2012 10:41

 

Shqipëria gjatë vitit që kemi lënë pa pas asgjësuar mbi 27 mijë tonë municion, ndërsa shprehin vendosmërinë e tyre që Ushtria e Kosovës të jetë pjesë e nismave rajonale, të jetë pjesë aktive e të gjitha tavolinave të bisedimeve siç janë takimet në kuadrin e “Adriatic Charter,” të “A5-ses”. Këto i ka bërë të ditur shefi i shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral-Major Xhemal Gjunkshi në një intervistë për Kosovapress gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Ndër të tjera ai ka thënë se forcat detare dhe ato ajrore të tyre, janë duke u pajisur me teknologji moderne.

Kosovapress: Gjeneral Gjunkshi, a mund të na thoni se cili është qëllimi i vizitës suaj këtu në SHBA?

Gjunkshi: Së pari e falënderoj Kosovapress-in dhe juve personalisht për gjithçka që ju bëni për kombin shqiptar kudo që ndodhet. Qëllimi i vizitës sime këtu në SHBA është për të shfaqur dëshirën e rritjes së bashkëpunimit dhe marrëdhënjeve midis dy ushtrive. Marrëdhënjet tona janë në një nivel shumë të mirë.

Kosovapress: Ju jeni duke punuar në shkatërrimin e municionit (asgjesimin e municionit) në Shqipëri, që është një ndër kërkesat e aleances së NATO-s, sa keni përparuar me asgjësimin edhe pas ngjarjes së Gërdecit, sepse dihet që Shqipëria kishte një sasi tejet të madhe të municionit që nuk është e nevojshme për t`u përdorur?

Gjunkshi: Është e vërtetë që Shqipëria ka trashëguar me qindra e mijëra tonë municione nga sistemi i kaluar, i gjithë ky municion ka përbërë një rrezik potencial, jo vetëm për popullin shqiptar, por për të gjithë rajonin. Sot në këto kushte, në këto momente që unë flas ndjehem shumë krenar dhe i motivuar kur e marr parasysh faktin se ky municion që ka qenë shumë i rrezikshëm është eliminuar plotësisht.

Ne kemi një plan shumë të detajuar të asgjësimit të municioneve të tepërta që janë në Forcat e Armatosura Shqiptare, planet janë të detajuara, çdo ditë dijmë se sa tonë municion do të merren nga depoja dhe sa municion dërgohet në uzinat ushtarake, sa do të lëvizin në depot tjera dhe sa do të dërgojmë në poligone.

Është një punë e kordinuar në mënyrë të shkëlqyer dhe është e sinkronizuar mjaftë mirë. Do të thoja që vetëm për vitin që kaloi ne kemi asgjësuar mbi 27 mije tonë municion, derisa objektivi ishte për 25 mijë tonë, e tejkaluam planin. Ky municion asgjësohet në dy rrugë, e që janë ajo industriale nëpër uzinat tona ushtarake dhe në rrugë logjistike, nëpër poligone që janë të miratuara nga Parlamenti shqiptar.

I vetmi qëllim, objektiv dhe porosi që ne e kemi dhe detyrë nga unë dhe ministri i mbrojtjes është që ky asgjësim të bëhet me nivelin e rrezikut zero, që do të thotë se masat e sigurisë të jenë të larta. Unë i siguroj të gjithë ata që na shohin dhe na lexojnë se nuk ka absolutisht asnjë rrezik nga asgjësimi i municionit qoftë në rrugë industriale apo rrugë logjistike. Gjithëmonë duke zbatuar rregullat e sigurimit teknik në përpikmëri. Ne për këtë jemi të vendosur dhe deri tani ja kemi dalur të realizojmë planin me sukses.

Kosovapress: A ështëduke u bërë modernizimi i ushtrisë shqipare konform kërkesave të NATO-s?

Gjunkshi: Sot Forcat e Armatosura Shqiptare kanë objektivin e tyre që quhet “Force Goals,” ne kemi disa objektiva dhe po punojmë ngushtësisht që t’i realizojmë. Ne për këto objektiva raportojmë periodikisht pranë partnerëve tanë në NATO. Kuptohet që për t`i realizuar këto objektiva kërkohet krahas vlerësimit të saj edhe implementimi i tyre praktik, e që do të thotë se e ka edhe koston e vet financiare. Për këtë gjë kemi gjetur edhe mbështetjen e qeverisë së shtetit shqiptar që këto objektiva t’i realizojmë.

Aktualisht Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë drejt procesit të modernizimit e me konkretisht në proces të këtij modernizimi janë forcat detare nëpërmjet ndërtimit të anijeve të rojes bregdetare. Ne kemi një kontratë prej disa vitesh me një kompani nga Holanda që quhet “Damen Shipyard.” Anija e parë e rojes bregtare tani është ndërtuar në Holandë dhe kanë ardhur të gjitha pajisjet dhe po punohet që të vijnë edhe anijet e tjera, sikur ajo që u ndërtua dhe t’i sjellim në Shqipëri.

Vitin që kaloi para disa muajsh ne e ndërtuam edhe anijen e dytë, e cila u ndërtua në Shqipëri dhe u hodh në det. Tani po punohet në ndërtimin e anijeve të tjera dhe kemi objektiv shumë të qartë, se ato ndërtime duhet të realizohen brenda afateve që ne i kemi përcaktuar.

Njëkohësisht një vëmëndje shumë e veçantë po i kushtohet edhe modernizimit të forcave ajrore, modernizim i cili u bë i mundur përmes kotratës së lidhur me kompaninë “EuroCopter” të helokipterëve “Cougar.” Në fund të muajit prill në Shqipëri do të kemi helikopterin e parë “Cougar”, i cili do të jetë në dispozicion të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ky lloj helikopteri do të rrisë kapacitetin e forcave tona ajrore dhe to të shtojë aftësinë e forcave tona.

Në vazhdimësi kemi edhe modernizimin e forcave tokësore, që është një proces i cili po vazhdon në rrugë shumë të qartë.

Kosovapress: Sa i përket Kosovës, meqë ju e këni vizituar koheve të fundit dhe bashkëpunimi i juaj me FSK-në është i dukshëm, sa keni arritur që të ndihmoni në përgatitjen e ushtarëve të Kosovës?

Gjunkshi: Marrëdhënjet tona me Ushtrinë e Kosovës janë të shkëlqyera, unë gjej rastin të falënderoj homologun tim gjeneneral Kastratin, me të cilin kontaktet i kam patur të shpeshta. Gjatë muajit të kaluar isha për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku pata rastin të takohem me gjeneral Kastratin dhe ministrin e Mbrojtjes gjeneral Çekun, si dhe komandantin e KFOR-it gjeneral Drews. Po për sa i përket bashkëpunimit me Kosovën ne e konsiderojmë se është i shkëlqyer. Ne jemi të gatshëm, i kemi ndihmuar dhe vazhdojmë t`iu ndihmojmë nëpërmjet trajnimit dhe edukimit dhe nëpërmjet materialeve që ne u japim për gjithçka që Ushtria e Kosovës ka nevojë.

Jemi të vendosur që Ushtria e Kosovës të jetë pjesë e nismave rajonale, të jetë pjesë aktive e të gjitha tavolinave të bisedimeve, siç janë takimet në kuadrin e “Adriatic Charter,” të “A5-sës”, ku marrin pjesë përveç 5 shteteve, siç është Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia, të jenë edhe Kosova dhe Serbia në tavolinën e bisedimeve që të jemi të gjithë së bashku për të vazhduar bisedimet dhe për të bashkëpunuar me qëllim që siguria dhe paqja në rajon të jenë të palëkundura.

Kosovapress: Me sa po duket se një konflikt ndëretnik në Maqedoni nuk është shumë larg, nëse nuk ndryshon politika e brendshme atje vështirë se do të evitohet. Sa jeni ju në gjendje që të ndikoni si anëtare e NATO-s që të mbizotërojë paqja në rajon, duke e parandaluar konfliktin e mundshëm?

Gjunkshi: Ne po i ndjekim me vëmendje zhvillimet që po ndodhin atje në Maqedoni, ashtu siç po i ndjekim me vëmendje zhvillimet që po ndodhin në rajon. Ajo që unë besoj është se nuk do të ketë asnjë problem për t`u shqetësuar. Nuk do të ndikohemi nga momentet e çastit, ajo që është e rëndësishme është se të dyja ministritë e mbrojtjes, pra ajo e Maqedonisë dhe kjo e jona, janë të angazhuara për të vazhduar komunikimin dhe për të forcuar marrëdhenjet ndërmjet veti, me qëllim që Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, ku do të bëhej e mundur plotësisht heqja e kufijve dhe të gëzojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kjo është fakti që janë hequr vizat, fakti që janë nënshkruar marrëveshjet për të lëvizur me lëtërnjoftim si në Maqedoni, me Kosovën e kemi dhe me Malin e Zi u realizua, kjo është gjeja më pozitive dhe është fakti më i plotë që flet për paqe dhe siguri në rajon.

Kosovapress: Shqipëria është duke dhënë kontribut të madh në luftën kundër terrorizmit. Si aleate e afërt e SHBA-ve ju keni ushtarët tuaj edhe në Afganistan, edhe sa do të zgjasë pjesmarrja e Forcave te Armatosura Shqiptare në mision kundër terrorizmit?

Gjunkshi: Forcat e Armatosura të Ushtrisë Shqiptare janë plotësisht të angazhuara për të realizuar dhe plotësuar me sukses të gjitha standardet e aleances, këto janë standarde të cilat arrihen vetëm nëpërmjet stërvitjeve serioze, të angazhimit dhe përkushtimit të secilit prej nesh. Ne i kemi rritur kontributet tona në drejtim të kapaciteteve, pra në drejtim të cilësisë, e jo të sasisë dhe kështu ne sot kemi forcat tona speciale, të cilat veprojnë në Kandahar në misionet “COMPACT” – misionet e luftimit, kemi forcat tona nëpërmjet të ekipeve të “OMLT-së” pasiqë e thashë edhe më parë se nëpërmjet të binjakëzimit me gardën kombëtare të New Jersey-t. Tani sapo u kthye ekipi i parë “OMLT” dhe po vazhdon ekipi i dytë, dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne jemi prezent në Afganistan dhe do të jemi përsëri prezent nëpërmjet trajnimit të Forcave Afgane nëpërmjet motos: “Together In – Together Out” (Së bashku filluam dhe së bashku do të dalim). Ky bashkëpunim dhe qëndrim i yni do të vazhdojë edhe pas vitit 2014 në përputhje dhe në raport me SHBA-të dhe të gjithë aleancës së NATO-s.

Ju siguroj se Forcat e Armatosura të Ushtrisë Shqitare do të jenë plotësisht të afta, do të jenë një forcë e denjë kudo që është e nevojshme në rajon e më gjerë./Intervistoi: Qazim Doda/

Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress- COPYRIGHT
Lajmi i plotë është ne sistemin me parapagim. Ndalohet rreptësisht marrja dhe shpërndarja në media, portale… pa autorizim paraprak me shkrim nga A.P.L. KosovaPress.
Kontakt: parapagimi@kosovapress.com, tel: +37744966167

Interviste ekskluzive me Shefin e Shtabit te Forcave te Armatosura Gjen. Xhemal Gjunkshin

 
Leave a comment

Posted by on April 2, 2012 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: