RSS

Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve

11 Jun
Familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve
Nju Jork, 19 mars 2011 (Kosovapress) Koha 09:39
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, gjatë qëndrimit të tij në SHBA bëri disa takime me komunitetin shqiptaro-amerikan. Porosia e tij ishte që shqiptarët kudo që janë të lënë anash ndasitë dhe të vazhdojnë kontributin e tyre për të ndihmuar atdheun.

Kosovapress:Si e ndjeni veten pas gjithë asaj që i ka ndodhur familjes suaj?

Jashari: Me besimin më të madh them se sot është njëra ndër ditët që jam ndier më se i lumtur dhe krenar, e para është se vij nga një familje ku paraardhësit e mi bënë diçka për atdhedashuri, bënë diçka për lirinë e shqiptarëve. E dyta është se gjendem në vendin më demokratik të botës, SHBA dhe besoj se sakrifica dhe lufta e popullit shqiptarë dhe ndihma e SHBA-ve bën që Kosova të jetë e lirë.

Kosovapress: Ju vini nga Kosova, çfarë të reja na sillni që ne nuk i dimë këtu?

Jashari: Duke marrë parasysh teknologjinë moderne, mërgimtarët tanë kudo që janë i përcjellin zhvillimet që po ndodhin në Kosovë dhe gjithandej trojeve shqiptare. Bashkatdhetarët tanë me të drejtë presin më shumë nga Kosova dhe Shqipëria, duke marrë parasysh sakrificën e tyre, në radhë të parë, largimin nga familjet e veta që është një ndjeshmëri, pastaj mallin ndaj atdheut i bënë që të mos ndjehem mirë dhe me të drejtë të madhe presin një përkujdesje më të madhe shtetërore. E them këtë për arsye, sepse pikërisht për vite të tëra ishin mërgimtarët ata që e sensibilizuan çështjen shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin pra ata që me dekada të tëra mbajtën të gjalla familjet shqiptare në Kosovë, mbajtën të gjallë arsimin në Kosovë dhe mbajtën të gjallë shpresën për të ardhmen, dhe së fundit ishte djersa dhe kontributi i mërgimtarëve tanë që i dhanë shpirt e zemër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në radhë të parë me mjete e pastaj edhe me praninë e tyre fizike atje. Këtu unë i pashë edhe disa invalidë të luftës dhe kur i ke ata djem pranë e kupton se sa e shtrenjtë është liria, prandaj të gjithë ne e kemi për obligim që me punën tonë të bëjmë Kosovën një shtet demokratik e në të njëjtën kohë të njihemi mirë për ata që kanë sakrifikuar, për ata që kanë dhënë jetën e tyre, dhe me ata që i kanë dhënë gjymtyrët e tyre për liri, të ndjehemi më mirë kur ndaj tyre dhe fëmijëve të tyre të kemi përkujdesje më të madhe.

Kosovapress: Ju keni jetuar vetë në mërgim dhe më pastaj jeni kthyer në Kosovë, a ishte e vështirë që të integroheshit prapë në Kosovë pas gjithë asaj që i ka ndodhur familjes tuaj?

Jashari: Besoj se janë dy prova: Unë kam jetuar për një kohë të gjatë në një shoqëri demokratike atëherë kur koha e tranzicionit ka kaluar për vite të tëra në Kosove dhe në trojet shqiptare. Tranzicioni është ende në fazën e zhvillimore, uroj që të jetë në atë përfundimtare dhe pas të gjitha atyre vuajtjeve dhe përjetimeve të dhunës që populli ka pasur, nganjëherë mendimet dhe idetë tona bien ndesh me njëra-tjetrën. Besoj se nuk bëjmë mirë që lejojmë të ndodhë kështu për arsye se unë e njoh edhe botën e perëndimit, botën e mërgimtarit edhe pse tash e 10 vjet jetoj në Kosovë. Uroj që idetë dhe mendimet tona t’i ballafaqojmë dhe sa më të bashkuar që jemi, sa më shumë mendime që japim, vijmë te një cilësi më e madhe dhe te një rezultat më i mirë. Gjuha e përbashkët ishte dëshirë e atyre që flijuan për liri dhe është shkollë shumë e rëndësishme për pasardhësit.

Kosovapress: Me sa po duket ky 13 vjetor i përkujtimit të rënies së legjendarit Adem Jashari dhe familjes suaj pak është politizuar. Si e shihni ju këtë veprim?

Jashari: Ne si familje e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë edhe të parët tanë që sot nuk janë por edhe ne si pasardhës të tyre. Të parët tanë kanë pasur një qëndrim që më vonë iu është bërë e ditur të gjithë shqiptarëve se familja Jasharaj nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të bëhet pjesë e ndonjë grupi. Partia jonë është Kosova dhe që ne të gjallët duke marrë parasysh përkrahjen gjithëpopullore që ka pasur familja e jonë dhe që vazhdon të ketë në ditët e sotme kemi dalë me një qëndrim publik ku thuhet se familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve dhe ne u takojmë të gjithë shqiptarëve. Ndoshta po e përdori një term paksa të rëndë, por dua të them se të mjerë janë ata që tentojnë dhe pretendojnë që kapitalin e familjes sonë ta personalizojnë ose ta shfrytëzojnë për interesa personale grupore ose partiake.
Ne kemi thënë dhe themi që kapitali jo vetëm i familjes Jashari, por i të gjithë dëshmorëve të lirisë është i lejueshëm për t’u shfrytëzuar në mënyrë institucionale, sepse ata nuk sakrifikuan, nuk ranë për asnjë grupacion apo parti politike. Ata ranë, sepse kishin atdhedashuri, ata ranë që shqiptarët të jenë të lirë dhe e ardhmja e tyre të jetë e ndershme andaj me këtë rast iu them me këmbëngulësi se askush, madje as unë, nuk e kam të drejtën që të shfrytëzojmë atë kapital familjar për interesa personale. Por, kapitali i familjes Jashari, kapitali i dëshmorëve të lirisë, kapitali i të gjithë historisë sonë shekullore i takon vetëm institucionit, i takon të ardhmes, i takon lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Kosovapress: Po kthehemi prapë te politika. Ju jeni një person i shkolluar, keni eksperiencë edhe jashtë vendit, por edhe brenda Kosovës. Jeni personi që keni takuar më së shumti njerëz brenda Kosovës kur ata vinin dhe e vizitonin familjen tuaj, pas gjithë kësaj që keni bërë, a do të futeni në politikë?

Jashari: Tani për tani jo, unë për vete kam pasur nderin që të jem përfaqësues i familjes Jashari ku kam pritur me qindra delegacione, qofshin ato vendore ose ndërkombëtare, delegacione të kontinenteve të ndryshme. Kam pasur fatin të takoj me miliona qytetarë nga shtresa të ndryshme, duke filluar nga fëmijët e çerdheve deri te politikanët e akademikët. E kam thënë disa herë dhe tash po e them se unë mund të jem edhe lider botëror ndoshta, por asnjëherë nuk mund ta kem kënaqësinë dhe privilegjin më të madh se sa që e kisha kur e përfaqësoja familjen Jashari, sepse nga ai pozicion kam pasur nderin që të përfaqësoj jo vetëm sakrificën e familjes, por edhe të dëshmorëve të tjerë. Kam pasur fatin që të njihem me hallet dhe vështirësitë e qytetarëve e që janë të shumta dhe të ndryshme. Ne kemi përjetuar një gjendje të dalë nga lufta me shumë njerëz të vrarë dhe të zhdukur, me shumë njerëz të traumatizuar shpirtërisht e fizikisht, pra një shoqëri ku mungojnë me mijëra njerëz, mungojnë eshtrat e tyre, mungon shpirti i tyre, dhe përderisa Kosova të mos e shërojë këtë plagë e ka shumë të vështirë të jetë e qetë. Duke i marrë parasysh të gjitha këto vështirësi që i ka shoqëria jonë besoj se kontributi i të gjithë neve do të shërojë plagët e së kaluarës, sepse vetëm duke i shëruar këto plagë mund ta ndërtojmë një të ardhme të qetë.

Kosovapress: Ju keni udhëtuar nëpër vende të ndryshme nëpër botë duke u takuar me shqiptarët gjithandej, keni kuptuar se në diasporë e sidomos këtu në SHBA ka parti politike në komunitet. Çfarë mendoni, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për këto parti politike të diasporës?

Jashari: Mendoj që njëra prej gabimeve që kanë bërë liderët politik ose partitë politike në atdhe është se e kanë politizuar mërgatën tonë. Mërgata e jonë dihet se ka pasur një rol të rëndësishëm prej Lidhjes së Prizrenit e këndej duke i ndihmuar çështjes kombëtare, për sensibilizimin e saj. Partitë politike në mërgatë nuk iu bëjnë nder as partive politike në atdhe, nuk i bëjnë nder as mërgatës sonë e as diplomacisë. Shqiptarët tashmë kanë përfaqësitë e tyre dhe mërgimtarët duhet t’i mbajmë të bashkuar, sepse në një vend ku njeriu është larg familjes se vet, larg atdheut të vet dhe të shkaktosh edhe përçarje tek këta njerëz duke formuar parti politike është diçka e dhimbshme, pra është diçka sikur një plagë që nuk e lëmë të shërohet duke e ngacmuar kohë pas kohe.

Kërkesa ime te liderët në Shqipëri e në Kosovë, por edhe te mërgata jonë është që mërgata të merret me organizimin e manifestimeve të ndryshme përmes shoqatave, të merret me diçka që i bashkon ata, në fund të fundit ne si popull duhet ta kuptojmë se liderët shkojnë e vijnë dhe ne do të vazhdojmë jetën. Është me rëndësi që mendimet tona të pasurohen duke qenë të bashkuar. Jo të ngritemi duke u përçarë, por duke u bashkuar, sepse nëse populli ynë nuk ka përçarje edhe qeveritë e huaja na shohin me një sy më të mirë. Duhet ta dinë çdo shqiptarë kudo që të jetë në mërgatë është ambasador i vendit të vet, duke krijuar imazh sa më të mirë për atdheun. Për këtë gjë duhet të veprojnë edhe qeveritë në atdhe që të nxjerrin një plan program, ku do të tregojnë se cili do të jetë roli i mërgimtarit dhe politika në atdhe të jetë një diçka që i bashkon mërgimtarët. Institucionet përkatëse duhet të bëjnë më shumë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së qindra e mijëra fëmijëve në mërgim dhe me projekte konkrete të merren me këtë çështje.

Kosovapress: Shumë herë rastis të dëgjojmë deklarata të politikanëve të Kosovës kur po vijnë në vizitë te familja e juaj dhe ndoshta nga emocionet ata po e humbin kontrollin dhe po deklarohen se kanë qenë bashkëpunëtorë të familjes suaj para lufte, gjatë lufte dhe akoma vazhdojnë të jenë shumë të lidhur me familjen tuaj. Si ju duket kjo paraqitje e tyre, sepse populli i komenton në mënyra të ndryshme këto deklarata të politikanëve duke e njohur të kaluarën e tyre?

Jashari: Duke e marrë parasysh pozicionin e familjes që prej pasluftës e këndej të jemi një institucion që i bashkon njerëzit dhe jo që i përçanë ata, po e them kushtimisht ne jemi munduar të sakrifikohemi për hir të unitetit që të tejkalojmë të kaluarën e diçkaje që nuk i sillte dobi vendit. Unë mendoj se faktori kohë do t’i zbardhë të gjitha dhe mendoj se për shkak të proceseve në të cilat gjendemi tani kemi thënë se Prekazi iu takon të gjithëve, varet prej secilit se si e çmon dhe si e ndjen Prekazin. Familja Jashari nuk është vetëm e familjes Jashari, por është e çdo shqiptari kudo që është. Ne jemi aty për të qenë në shërbim të të gjithë atyre që vijnë në Prekaz, kurse për çdonjërin prej nesh koha do të zbardhë se kush kemi qenë, kush jemi dhe çfarë do të jemi nesër.

Kosovapress: Ju kanë ofruar edhe idenë që të hapni përfaqësinë në Prishtinë, si u prit nga ju kjo ide?

Jashari: Familja Jashari ka deklaruar menjëherë pasluftës se është ithtar i rregullimit të gjërave me ligj, kështu kemi vepruar sa i përket kompleksit e kështu do të veprojmë edhe në të ardhmen. Personalisht e kam obligim profesional edhe obligim familjar e kombëtar një qëndrim të tillë. Ne duhet të mësohemi njëherë e përgjithmonë se gjërat që rregullohen me ligj të janë jetëgjata. Kështu që ne nuk jemi të interesuar që gjërat të bëhen të përkohshme ose ad-hoc, por që ato të jenë jetëgjata edhe për brezat që vijnë dhe brez pas brezi të respektojnë vendimet që i ndërmorën paraardhësit e tyre, ashtu siç ndjehemi ne mirë që prindërit tanë në momentet më të vështira të kombit tonë ditën të ndërmarrin vendime të prera në ruajtje dhe mbrojtjet të qenies shqiptare. Edhe ne duhet të mundohemi dhe duhet të mendojmë se çka do të bëjmë për të ardhmen që të jenë krenar brezat që vijnë.

Kosovapress: Po ua bëj një pyetje pak intime, jeni i martuar dhe keni fëmijë, a mund të na i thoni emrat e fëmijëve tuaj?

Jashari: Po unë jam i martuar, kam tre fëmijë, fëmijët e mi mbajnë emrat e gjyshit, gjyshes dhe të nënës sime. Kam një djalë dhe dy vajza. Arsyet pse i kam marrë këta emra është se qysh nga mosha kur i kam pasur 18 muaj, unë kam mbetur nën përkujdesjen e gjyshit dhe jam rritur me të, për mua gjyshi im ka qenë mësuesi i parë dhe zoti në tokë. E kam thënë shpeshherë se nëse unë kam ndonjë vlerë ajo është meritë e gjyshit tim. Unë kam dashur që përmes emrit ta kem gjyshin tim më afër mendjes sime.

Gjyshja po ashtu ka qenë nëna ime e dytë, sepse jam edukuar dhe përkëdhelur nga ajo gjithmonë. Vajzës tjetër ia kam lënë natyrisht emrin e nënës, pasi që nëna është krijesa më e dashur në botë. Jam fatlum se tre fëmijët e mi mbajnë emrat e tre më të dashurve të mi.

Kosovapress:A e ndien veten pak të privilegjuar se ti i ke vënë emrin e gjyshit djalit tënd?

Jashari: Populli shqiptar është populli më me fat në botë, sepse ju e shihni që në botë ndodhin gjëra të ndryshme, ndodhin cuname, tërmete, sëmundje e ndodhi të tjera që sjellin vdekje masive dhe kur njerëzit vdesin ata vërtet vdesin me të gjitha. Ndërsa shqiptarët kanë vdekur, por kanë vdekur për liri gjë që kanë vdekur me nder dhe pasardhësit e tyre kanë pasur një arsye që të qëndrojnë të fortë. Në mes të shqiptarëve është zgjedhur familja Jashari, ligjet e natyrës ia kanë dhënë mundësinë që ata të sakrifikohen për lirinë e atdheut që është obligim edhe nder. Unë kam qenë njeriu më me fat i familjes Jashari, sepse edhe të tjerët kanë djem e vajza, por unë kam qenë i pari që e kam gëzuar këtë privilegj që fëmijët e mi të mbajnë emrat e më të dashurve të mi.

Kosovapress: Cila do të ishte porosia e juaj për shqiptarët e Amerikës?

Jashari: Një falënderim të përzemërt dhe të përhershëm, kërkesa ime me lutje do të ishte që shqiptarët e Amerikës të vazhdojë të japin kontributin e tyre për atdheun e tyre, sepse dje është dashur të jepej një kontribut tjetër kurse sot ndryshon destinimi i kontributeve. Duke filluar nga nivelet lokale e deri në nivelet më të larta të shoqërisë amerikane të kontaktoni me ta dhe të vazhdoni të fitoni përkrahjen e tyre për shqiptarët. Kam një kërkesë me lutje që shqiptarët e Amerikës sa më pak të jenë të përçarë dhe sa më pak të kenë mosmarrëveshje mes vete duke e zëvendësuar me respekt dhe dashuri për njëri-tjetrin.

Intervistoi: Qazim Doda
 
Leave a comment

Posted by on June 11, 2012 in Uncategorized

 

Tags: , ,

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: