RSS

Doda: Diaspora të mos pres shumë nga atdheu

30 Aug

Doda: Diaspora të mos pres shumë nga atdheu

INTERVISTA-Box (marrë nga Libri: “Intervista në tranzicion” i autorit Dashnim Hebibi)

2011-02-17 – 00:10:51

 

Doda: Diaspora të mos pres shumë nga atdheu

 

Intervistë ekskluzive me publicistin dhe gazetarin Qazim Doda, i cili jeton dhe vepron në Nju Jork të SHBA-së/ 

Gazetaria është pushteti i katërt, kur bëhet me profesionalizëm dhe kur nuk është i ngjyrosur nga vijat e subjektit politikë që i ofron poste apo edhe dollarë e euro. Të jesh i pavarur politikisht, të kritikosh dhe të shkruash ashtu si e sheh dhe si e ke gjurmuar temën, kjo është baza apo etika kryesore. Protagonisti i kësaj interviste është, një gazetarë i këtyre tipareve kryesore që i shkruajta pak më lartë, por në këtë rast, e ka edhe guximin dhe asnjëherë nuk përdorë paragjykimet dhe emocionet në shkrime apo në komente.

Publicist, gazetar dhe mbi të gjitha një intelektual i mirëfilltë, është Qazim Doda, i cili jeton dhe vepron në SHBA, e konkretisht në Nju Jork.

I qetë, i dëgjueshëm nga ata që vërtetë e meritojnë të dëgjohen dhe pjesmarrës i shumë takimeve të rëndësishme që i ka kaluar diplomacia shqiptare. Qazim Doda ka raporte të mira edhe me disa kongresmenë amerikanë, i afërt me shumë intelektualë e veprimtarë që jetojnë në shtetin më mik të kombit tonë SHBA. Sytë dhe zemrën e ka në atdhe, atje ku ka lindur dhe ku ka dëshirë, që një ditë Kosova jonë të jetë aty ku e meriton dhe për të cilën e kanë dhënë edhe jetën shumë dëshmorë.

 

Mjafton të jesh shqiptarë i vërtetë, pa dallim nga cila trevë vjenë dhe cilit besim fetar i përket, e ke derën e hapur në banesën e tij në Nju Jork. E kur t’i biesh ziles ku banon z.Doda, menjëherë hapet dera dhe nuk shikohet tek syri i derës se kush është, por e hap me zemër dhe fjala e tij e parë është: “Urdhëroni, ndjehuni si në shtëpinë tuaj”.

 

Të flasësh për punën e tij profesionale në gazetari është e pamundur të përshkruhet përmes disa fjalëve të parahyrjes së kësaj interviste, por z.Doda, është një gazetarë me një përvojë të madhe dhe asnjëherë nuk pajtohet me gazetarinë “tallava” që po “fluturon” gjithandej atdheut tonë. Por, z.Doda, e sheh, fjalën e shkruar të shenjtë dhe të thuhet drejtë, e të mos frigohet, sepse e vërteta dhemb, por të ndihmonë dhe e ndihmonë të mirën dhe e dëmton të keqen.

Qazim Doda ka të mbaruar fakultetin e gazetarisë në Tiranë dhe gjatë studimeve është treguar shumë aktiv nëpër shumë media me shkrime të ndryshme. Një kohë ka punuar edhe gazetar në kryeqytetin slloven në Lubjanë, këtë mundësi, siç na ka njoftuar z.Doda, ia ka dhënë Salih Kabashi dhe Prof. Ukshin Hoti, me të cilët ka pasur nderin të punoj për disa muaj. Pastaj, një kohë ka punuar edhe në Zvicër,disa vite me radhë, duke filluar nga Rilindja, TV Bern, redaktor në emisionin e lajmeve Bostitch në gjuhën gjermane në Kanal K, si dhe ndër shqiptarët e parë i anëtarësuar në SVJ. Tash shkruan edhe analiza të ndryshme politike dhe është duke ushtruar herë pas here edhe profesionin e gazetarisë në disa media. Qazim Doda na fletë për shumë gjëra interesante, ta përcjellim së bashku intervistën.


Z.Doda, të jem mirënjohës, që keni ndarë kohë e të bashkëbisedojmë. Nuk është edhe e lehtë të bashkëbisedosh dhe ti shtrosh pyetje një kolegu, e në këtë rast Juve, kur e di se jeni shumë të suksesshëm dhe keni një biografi të ndritur në profesionin e gazetarisë. Atëherë, po e fillojmë miqësisht këtë bashkëbisedim. Këto ditë, po shihet, se jeni duke u marrur më shumë me gazetari. Si e sheh gazetarinë shqiptare në përgjithësi?
Qazim Doda: 
Është e veshtirë të jap ndonjë vlerësim. Gazetaria është akoma duke u keqkuptuar nga shqiptarët në përgjithësi, e keqja është se gazetarinë e bëjnë ata që nuk e kanë studiuar këtë fushë dhe vërtetë nuk e kuptojnë të shumtën e rasteve, se janë duke bërë krim duke e shkelur etikën. Unë për vete, kam bërë disa vite shkollë gazetarie dhe gjatë shkollimit kam marrë edhe lëndë të tjera, siç janë biologji ose matematikë, por kurrë nuk kam guxuar t’i them dikujt, se jam biolog ose matematicient, sepse e kam kuptuar, që nuk kam njohuri sikur ata që i japin me dhjetëra provime në këto drejtime.

Kur i dëgjoj njerëzit se thonë, që janë gazetarë dhe nuk e kanë dhënë asnjë provim në këtë fushë, vërtetë aty e kuptoj se ata janë duke bërë së pari krim me veten e tyre e pastaj me ata që i manipulojnë. Gazetaria nuk është dhunti, sens apo imagjinatë, por është një profesion që duhet studijuar për të pa ndërprerë në mënyrë që të mos keqinterpretosh të vërtetën.

Mendoj, se gazetaria shqiptare në përgjithësi është akoma e influentuar ose nga politika ose nga ndonjë interes i ndonjë të pasuri apo ndonjë të huaji, që ka dëshirë të ketë influencën e vet në shoqërinë shqiptare. Të bësh gazetari krejtësisht të pavarur është e pamundur dhe kjo ndoshta i arsyeton ata që bëjnë gazetari në shërbim të ndonjë politike ose grupi të caktuar. Si përfundim e them, se gazetarinë shqiptare e shoh si një tentativë për të bërë të pamundurën për diçka që nuk je i përgatitur.

A dallon gazetaria e Shqipërisë me ate të Kosovës, nëse po, atëherë, cila mendoni se është më e përsosur?
Qazim Doda: 
Po unë jetoj shumë largë Shipërisë londineze dhe trojeve të tjera etnike, shoh se bëhet garë e madhe se kush po del i pari, mendoj se në gazetari Kosova është pak më e kontrolluar, kurse në fushën e medieve që dua të them në gazetarinë e radios dhe atë televizive Shqipëria ka përparuar dukshëm, duke e vendosur sistemin e cilësisë së lartë HD. Edhe gjuhësisht kuptohet, se në Shqipëri kanë më pak probleme dhe flasin më shpejtë e më qartë, teknikisht e kanë tejkaluar krizën e mundësisë së arritjes së standarteve evropiane.

Si po e shihni situatën aktuale që po mbretëron në Shqipëri, në syrin e një gazetari dhe publicisti?
Qazim Doda:
 Po në Shqipëri ka dy dekada që janë në skenë të njejtit njerëz dhe po e shfrytëzojnë atë padjallëzinë që ka populli shqiptarë. Atje korrupsioni është bërë dukuri që nuk i pengon aq shumë taksapaguesit. Gjithkush flet në emër të popullit dhe merreni me mend, se kur i sheh krimet që politikanët i kanë bërë sidomos me korrupsion atëherë të krijohet përshtypja, se akoma mund të ketë vështirësi të mëdhaja në integrimin evropian.

Situatën e tanishme e shoh si diçka që mund të tejkalohet shumë lehtë, atje nuk duhet të përsëritet e kaluara, gjakderdhja duhet të mos ekzistojë në Shqipëri. Po shihet qartë se politikanët qoftë ata të pozitës apo ata të opozitës po kënaqen duke e parë gjakun e taksapaguesve se si derdhet për të ngopur epshet e tyre. Nuk do të ketë ndonjë mundësi të rrëzimit të pushtetit me dhunë dhe kjo është normale, por po e dëmtojnë vendin duke luajtur me emocionet e atyre që nuk janë të kënaqur me përparimin e Shqipërisë.

Nuk do të akuzohen as politikanët e pozitës e as ata të opozitës, sepse për arsye të ndryshme, ata do t’i mbijetojnë kësaj situate, por historia ka për t’i paraqitur si një njollë e zezë këtë grup të njerëzve që për dy dekada po luajnë me fatin e vendit dhe sa herë po duan po e sjellin vendin në krizë të madhe.

 

Kjo periudhë që po udhëheqë Dr. Berisha ka bërë Shqipërinë të ndryshojë ekonomikisht më shpejt se që pritej, infrastruktura e re me standarde evropiane dhe futja e Shqipërisë në NATO janë suksese të qeverisë së Berishës. Heqja e vizave është edhe një hap shumë i rëndësishëm, unë edhe pse nuk kisha nevojë aq shumë, deshta ta provoja vet këtë fakt ku e përdora pasaportën shqiptare në Austri dhe nuk më doli asnjë pengesë, pra heqja e vizave ishte një realitet.

Kjo pra e bën qeverinë e Berishës si shumë të suksesshme dhe duhet vlerësuar, në anën tjetër askush nuk e konteston, se kjo qeveri ka politikanët më të pasur të Evropës, janë bërë një shtresë e paprekshme nga ligji, e kjo e bën votuesin të mendoje pak, se nga u bënë këta njerëz kaq të pasur për një periudhë kaq të shkurtër.
 
Keni jetuar gjatë në Shqipëri dhe keni përjetuar lloj lloj situatash. Shqetësoheni kur ti kujtoni?
Qazim Doda:
 Po unë edhe pse e shëtita tërë botën, prap ëndërrat i shoh ose në Malësinë e Gollakut, ose në Tiranë apo në Filat. Kuptohet, se edhe kur mendoj e përdori mendimin shqip dhe ndoshta më duhet të shkruaj në ndonjë gjuhë tjetër, por mos harro, se kudo që shkoj në ndonjë cep të botës, para syve të mij rrijnë shqiptarët dhe Shqipëria.

Kuptohet që shqetësohem kur dëgjoj që në vendin tim ka probleme nganjëherë dhe më vjen keq që i njoh njerëzit për të cilët përfolet shumë. Sa herë që marr lajme të mira për atdheun, disi e ndiej veten më mirë me shëndet dhe instinktivisht të gëzuar.

Unë nuk shqetësohem fare kur e kujtoj të kaluarën time në Shqipëri, përkundrazi përmallohem shumë kur e kujtoj shoqërinë time të hershme dhe mbaj vetëm kujtime të mira për Atdheun tim. Unë në Shqipërinë Londineze pata shkuar kur kufiri ishte i mbyllur, e përjetova tranzicionin dhe jam dëshmitar i atyre proceseve që e ndryshuan Shqipërinë. Kam vetëm kujtime të mira dhe të them të vërtetën se për disa vite që kam jetuar në Shqipëri nuk mbaj mend të kem pasur ndonjëherë problem me ndokend, por përkundrazi ata të gjithë më dhuruan dashuri e respekt, atje u mësova se si të bëhem gazetar dhe ta kuptoja më mirë politikën.

Si e komentoni gjendjen në Kosovë, gjatë zgjedhjeve dhe tash pas zgjedhjeve, kur dihet se keni qenë në Kosovë dhe e keni parë më përsëafërmi?
Qazim Doda:
 Unë isha në Kosovë gjatë zgjedhjeve, por fatkeqësisht u nda nga jeta babai dhe më duhej të merrem me probleme të familjes dhe prisja njerëz që vinin për t`na ngushëlluar. Pata rastin të takoja shumë njerëz që ishin të pakënaqur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Në Kosovë është një gjë e mirë, se njerëzit i pranojnë fajet e tyre dhe janë më të ndërgjegjshëm, e kundërta ndodhë në Shqipeëi, atje janë pak më kokëfortë, pra, edhe nëse gabojnë nuk e pranojne fajin. Mendoj, se në Kosovë duhet të mësohet populli, se vota është shumë e rëndësishme dhe të dalin më shumë në zgjedhje.

Me cilin politikan keni kontakte më shumë në Shqipëri? 
Qazim Doda: 
Unë edhe kur kam jetuar në Shqipëri jam njohur më shumë me politikanet e djathtë, por nuk shoh ndonjë dallim sepse kur ua sheh historinë dalin të gjithë ish komunistë, prandaj unë i respektoj të gjithë njejtë. Nuk kam ndonjë kontakt me politikanët shqiptarë, sepse mendoj, që ne në diasporë duhet t’ju largohemi servilizmave. Tani për tani kam kontakte vetëm me institucionet siç janë ministria e jashtme e Shqipërisë.

Do duhej një unitet më i madh i shqiptarëve në të gjitha trojet shqiptare?
Qazim Doda: 
Kjo është një domosdoshmëri, duhet që faktori shqiptarë të ketë një ide të përbashkët për bashkimin e trojeve shqiptare. Mendoj, se ndarjen e shqiptarëve po e ndihmojnë vet politikanët shqiptarë duke u bërë servil të sllavëve. Duket qartë në Maqedoni, se si faktori shqiptarë është shumë i dëmshëm kur bashkëpunon me sllavo-maqedonasit. Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, faktori politikë shqiptarë është shumë i përçarë dhe kjo po sjell vetëm legjitimitetin e robërisë nën Serbi. Poashtu, në trojet e pushtuara nga Mali i Zi disa politikanë shqiptarë kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit me sllavët dhe ju kanë mundësuar shtypjen e plotë të shqiptarëve që jetojnë atje. Derisa shqiptarët të mos veprojnë si komb i bashkuar kurrë nuk do të zgjidhet problemi i Çamërisë, si përfundim do të thoja se pa unitet më të madh të shqiptarëve vetëm sa vjen e shtohet legjitimiteti i pushtimit të trojeve shqiptare.

A do të kishe pranuar pozitivisht ndonjë ofertë nga ndonjëra parti politike, qoftë në Shqipëri apo Kosovë?
Qazim Doda:
 Jo, unë veç e kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime në mërgim, nuk ma merr mendja, se mund të jem i përshtatshëm për ndonjë parti politikë në atdhe. Së pari unë jam mësuar të jetoj nga ndjersa ime, së dytë unë jam mësuar ta dua atdheun dhe së treti i kam kuptuar deri dikund parimet e demokracisë dhe e di se si njeriu mund të jetojë i lirë. E këto që i përmenda nuk përputhen me futjen në politikë, sepse duhet të veprohet gjithçka e kundërt dhe unë nuk mund të ulem aq poshtë. Po vazhdoj me lidhjet e mia që i kam në Washington DC dhe ma merr mendja, se në këtë mënyrë mund t’i kontribuoj atdheut tim që një ditë e ëndërroj si të lirë dhe të bashkuar.

Komuniteti shqiptarë në SHBA ka qenë dhe është shumë i organizuar. Ku duhet tash të përqendrohen bashkatdhetarët më shumë?
Qazim Doda: 
Në këtë temë po përqendrohem më shumë në New York, ku jetoj që një dekadë. Këtu ka shumë parti politikë që vërtetë kanë ndikuar shumë negativisht në komunitet, këtu janë të organizuar edhe në institucione fetare ku janë pak më ekstrem në pikpamjet e tyre dhe së fundit janë të organizuar në disa shoqata të fiseve apo trevave. Nuk do ta konsideroja si shumë të organizuar këtë komunitet, ku nuk ekziston asnjë shtëpi, kulturë, dihet që vetëm Bronx-in e kanë pronë të vetë mbi 50% shqiptarët dhe nuk kanë mundësi të gjejnë një vend për shtëpi kulturë. Tash së fundi u hap një shkollë për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, ku deri tani mungonte sepse pengohej nga të ashtuquajturat parti politike.
 
Unë mendoj, se këtu nuk duhet të ketë parti politike, këta shërbenin vetëm sa për të përçarë komunitetin dhe nganjëherë ju shërbenin politikanëve nga atdheu për t’ua bartur valigjet në Aeroport dhe për t’u shtruar dreka e darka. Tash, do të ishte mirë që këto fare partish politike të mos ekzistonin fare, sepse janë dy konsullata në New York dhe këto kanë mundësi të merren me politikanët nga atdheu e që mërgimtarët të jenë më të përqendruar në krijimin e një lobi të mirëfilltë që do të shërbente në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në përgjithësi.

Mendoni, se diaspora jonë ka mbetur si hije nga atdheu?
Qazim Doda: 
Po disaspora nuk duhet të presin shumë nga atdheu, dihet që Shqipëria ka problemet e veta ekonomike e politike, pastaj Kosova është gjysëm e robëruar dhe komplet nën mbikqyrjen e të huajve, në Iliriridë akoma nuk po frymohet shqip, në Çamëri akoma nuk është bërë asgjë që të kthehen pronat, në Malsi shqiptarët janë tmerrësisht të shtypur. Mali i Zi po mbijeton në saje të disa servileve shqiptarë atje që i janë bashkuar elitës sllave në emër të shqiptarëve atje. Kurse problemi më i nxehtë qëndron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku është lënë pasdore kjo pjesë e Shqipërisë dhe po shterrohet dita ditës nga shqiptarët. Këtu fajet e kanë të gjithë, duke filluar nga politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës, medieve dhe deri tek shqiptarët që vijnë nga kjo zonë.

Pra mos të presin në diasporë se dy qeveritë nga atdheu po ju dërgojnë dekorata e falënderime të gjithë shqiptarëve në diasporë vetëm pse paskan dhënë pak lek për të ndihmuar atdheun, atje njerëzit kanë dhënë jetën për ta fituar lirinë, prandaj mos t’u biem në qaf atyre në atdhe. Nëse dikush ka bërë ndonjë të mirë për atdheun mendoj, se nuk duhet të shpërblehet sepse këtë gjë secili e bën për veten e vet, pra është një detyrim i çdo mërgimtari që t’i shërbejë atdheut.

Po i jepet hapësirë e duhur mediale bashkatdhetarëve tanë?
Qazim Doda: 
Jo, këtu po e vërej, se nuk ju jepet hapsirë, konsiderohen si njerëz të shfrytëzuar më herët dhe nuk merret kush me ta. Këtu në SHBA ka më shumë se gjysëm milioni shqiptare dhe vërtetë janë të lënë pas dore. Zëri i Amerikës nuk është i bashkatdhetarëve, por i qeverisë federale, kur flet me njerëzit e zërit të Amerikës për komunitetin thua se je duke folur me jashtëtoksorët.

Në Michigan janë tre stacione televizive që janë aktivë, në New York është një stacion televiziv që nuk ka kurrfarë mundësië të japin ndonjë pasqyrë të aktiviteteve në komunitet, një gazete ditore që ishte “Bota Sot” është ndërprerë së botuari këtu në New York, pra këtu në SHBA nuk ka medie që e pasqyron aktivitetin e bashkatdhetarëve.

Tash së fundit këtu kam hapur zyrën a KosovaPress-it dhe po mundohem të paktën të pasyqroj ndonjë aktivitet të atyre që janë më të lidhur me atdheun. Mediet në atdhe nuk janë shumë të interesuara të kenë korrespondentët e vet këndej, sepse edhe financiarisht nuk mund të përballohen. E kuptoj, që nuk është e lehtë për ata në atdhe që të merren me hallet e bashkatdhetarëve këtu në Amerikë.

Cila do ishte zgjedhja më e mirë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc?
Qazim Doda: 
Mos e pyet! Vetëm bashkimi i trojeve shqiptare do të sillte paqen në ate rajon. Unë jam i lindur në fshatin Svircë të Malësisë së Gollakut, është fshat i ndarë përgjysëm, ajo pjesa e pushtuar që ka mbetur në komunën e Medvegjës është mbetur e zbrazët tërësisht.

Kur isha në Kosovë pata fatin që të vizitoja zonën kufitare, atje kontrollohej vetëm nga xhandarmëria serbe, nuk dihej se është Kosovë. Institucionet e Kosovës nuk e dijnë se dhjetëra fshatra të asaj zone kufitare janë në territorin e Kosovës dhe duhet të përkrahen banorët atje. Merre me mend 5 shkolla ishin shkatërruar plotësisht dhe shkolla e vetme në Tuxhevc që akoma ekzistonte ishte në rrënim e sipër.

Atje nuk kishte drita që 12 vite, ishin më shumë se 60 nxënës që nuk kishin mundësi të përdornin kompjuter, sepse nuk kishte rrymë elektrike. E thashë këtë në fillim se nëse pritet nga institucionet e Kosovës, atëherë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, janë pasuese të historisë së Toplicës. Nuk i intereson askujt të merret me atë zonë dhe nëse nuk ndërmerret diçka nga vet banorët që kanë prejardhje nga ato troje atëherë lirisht mund të thuhet, se është humbur tërërisht ajo pjesë e tokës shqiptare.

Vetëm një angazhim i mirëfilltë i njerëzve që vijnë nga ajo zonë mund të sensibilizojë faktorin ndërkombëtarë për zgjidhjen e problemit që ekziston atje. Këta që merren me politikë në Prishtinë nuk kanë guxim as të afrohen pranë kufirit me Preshevën, Bujanocin dhe Preshevën, prandaj, kur i dëgjoj që flasin për ate zone të pushtuar kinse për të treguar se në shpirtin e tyre paska pak patriotizëm më len të kuptoje se i kemi shume keq punët.

Zgjidhja më e mirë është që të bashkohen me trungun e vet –Kosovën! Nuk duhet lejuar që këto troje të pushtuara të bëhen pjesë e pazareve të politikanëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Tash është momenti më i përshtatshëm që shqiptarët e asaj zone të ngrehin zërin e tyre për çlirim kombëtar.

Dihet se me marrëveshjen e Konçulit u tradhëtuan keq shqiptarët, tash nëse bëhet diçka duhet që të vendosin vet shqiptarët e asaj zone dhe nuk bën t’u besohet të tjerëve si më parë. Për momentin më së shumti duhet punuar në kthimin e të përndjekurve nga lufta e fundit, ata njerëz duhet të kthehen në shtëpitë e tyre dhe në këtë mënyrë do të fillonte jeta normale duke ju shmangur trajtimit të tyre si refugjatë në Kosovë. Nëse ngritet zëri për këta njerëz me siguri që edhe faktori ndërkombëtare do të na përkrahin duke e bllokuar Serbinë në integrimin evopian.

Po në Maqedoni?
Qazim Doda:
 Nëse nuk bëhet më shpejt një konfederatë në mes të Iliridës dhe Maqedonisë sllave, atëherë duhet të bëhet ndarja e Iliridës dhe të bashkohet me Shqipërinë Natyrale. Kështu si është tani nuk sjell diçka të mirë sepse në çdo moment mund të fillojnë ndonjë konflikt i armatosur.

Shqiptarët në Iliridë duhet të tregojnë gatishmërinë e tyre shtetëformuese dhe të kontribuojnë në ndarjen nga sllavët. Atje po bëhet e kundërta, ke një grup politikanësh nga pozita dhe nga opozita që janë të lidhur shpirtërisht me sllavët dhe në emër të shqiptarëve po bëjnë pazaret e tyre. Ata që e kanë nënshkruar marrëveshjen e Ohrit duket se nuk e paskan lexuar fare, tash lëre që nuk po realizohet marrëveshja, por po punohet edhe me shumë në sllavizimin e shqiptarëve të Iliridës.

Atje duhet të ndërpritet fenomeni i futjes së ekstremistëve fetare që janë duke e krijuar një pasyrë antiamerikanë dhe antiperendimore në përgjithësi, e keqja është se ata mendojnë që bota nuk është duke i parë organizimet e tyre. Kjo mund të sjellin shqiptarët në një robëri edhe më të tmerrshme dhe një indiferentizëm të madh të perëndimit karshi kërkesave të tyre për barazi me sllavët.

Ku po e kaloni kohën e lirë?
Qazim Doda: 
Unë nuk kam kohë të lirë kurrë, shumë rrallë dal për kafe me miq e dashamirë ose shkoj në bibliotekën e shkollës ku kam studijuar dhe merrem me studime në fushën e gazetarisë.

Ke menduar, se një ditë do ti kthehesh Kosovës?
Qazim Doda: 
Po, vetëm se unë nuk kam paragjykime, nuk më intereson që të kthehem si udhëheqës qoftë edhe i ndonjë fshati. Dua që të kthehem një dite dhe të ndihmoj sidomos në fushën e arsimit ose të ekonomisë. Mendoj se fusha e gazetarisë është akoma e panjohur tek ne dhe dua të jap kontributin tim në këtë drejtim. Njerëzit mendojnë se mund të bëhen gazetare vetëm pse shkruajnë në gazetë, harrojnë se ky profesion është një zanat që duhet të shkollohesh për të.

Ka “luftë” gjeneratash në Kosovë?
Qazim Doda: 
Po, sigurisht që ka. Ka në çdo vend të botës, e pse të mos ketë edhe në Kosovë. Gjenerata e re mendon më ndryshe duke u nisur prej barazisë gjinore e deri tek muzika. Nëse e ke bërë pyetjen për politikë atëherë po ta bëj me dije se shumica e atyre që janë fëmijë të ish komunistëve jugosllavë sot shesin mend për antikomunizëm dhe janë në poste të rëndësishme në institucione atje. Pra mund të ndodhin se gjenerata e re është e influentuar nganjëherë nga e kaluara e hidhur, mirëpo në përgjithësi në këtë aspekt në Kosovë po shkon ky lloj tranzicioni shumë mirë.

Jeni duke punuar në një libër, a mund të na thoni, çka konkretisht, jeni duke shkruar?
Qazim Doda: 
Po në fakt nuk jam duke punuar vetëm në një libër, janë gjithsejt katër që janë të lidhura njëra me tjetrën, e kam nisur me një libër për elementet e gazetarisë dhe përdorimi i tyre në gazetarinë shqiptare, duke bërë hulumtime në këtë fushë gjeta librin e njeriut që cilësohet si më i afti në fushën e gazetarisë por kishte një emër të çuditshëm-Bill Kovach.

Për të së pari mendova, se është serb dhe vërtetë nuk deshta as të lexoj librin e tij, por kur lexova për të e mora vesh se ai ishte shqiptare dhe kjo më bëri të ndjehem krenar se më të vërtetë paskemi shqiptarë shumë të mëdhenj në fushën e gazetarisë. Nga kjo më lindi ideja që të merrem edhe me gazetarët tjerë që kanë qenë shumë të njohur në Amerikë dhe ne nuk kemi ditur asgjë për ta, pra me këtë po të them se jam duke shkruajtur edhe për gazetarët shqiptar që kanë punuar në mediet amerikane.

Bashkë me Mr.Besim Muhadrin, do të nxjerrim një libër që do të titullohet 100 vjet të krijimtarisë së shqiptarëve të Amerikës. Libri i tretë është për një njeri që konsiderohet si Legjendë e gjallë-Ahmet Zherka, i cili ka bërë shumë për mbrojtjen e identitetit kombëtar në Amerikë dhe ka një histori shumë interesante edhe në veprimtarinë e tij në Kosovë. Si dhe libri i fundit të cilin e kam pothuajse në përfundim e sipër është për vrasjet që i ka bërë UDB-ja Jugosllave në SHBA, kam filluar të hulumtoj për vrasjen e Agim Gashit dhe më vonë mësova se edhe shoku i tij i ngushtë Rexh Kabashi ishte gjetur i vdekur në banesën e tij, të dyja këto vrasje kanë ndodhur në Chickago, ku e ka edhe bazën kryesore organizata terroriste serbe e quajtur Dora e Zezë.

Për librin e fundit, kam shumë presione që të mos përmenden edhe emrat e shqiptarëve që kanë bashkëpunuar me UDB-në për të cilët kam gjetur fakte. Mirëpo nuk kam ndonjë arsye që të tërhiqem nga nxjerrja e së vërtetës për vrasjet mizore që UDB-ja i ka bërë në komunitetin shqiptaro-amerikan. Për fat të mirë, pasi kam diplomuar dhe specializuar në gazetarinë hulumtuese, kam gjetur mbrojtjen e plote në shtetin amerikan që profesionin tim ta ushtroj pa ndonje pengesë. Së shpejti, do ta filloje edhe emisionin njëorërësh  që do të titullohet: ”Me shqiptarët e Amerikës.” Këtë emision do ta bëj për të lidhur sa më shumë komunitetin shqiptaro-amerikan me atdheun tonë.
Intervistoi: Dashnim HEBIBI

 

 
Leave a comment

Posted by on August 30, 2012 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: