RSS

Grabovci: Nuk i frikësohem asnjë periudhe kohore

26 Sep

Intervista e plotë me z. Adem Grabovci – shef e grupit parlamentar të PDK-së

 

Nuk frikësohemi nga asnjë periudhe kohore

 

Ligji i lustracionit është i domosdoshëm në Kosovë dhe me siguri se duhet të miratohet patjeter  sepse këtë praktikë e kanë ndjekur edhe shtetet e tjera të cilat kanë pasur këtë fazën e tranzicionin sikur kjo që tani po e kalon Kosova, dhe vërtetë aty do të shihet qartë se kush ku qëndron dhe si qëndron

———————————————————————————————————————

 

Z. Grabovci, është hera e parë që ju e vizitoni Amerikën, çfarë mund të na flisni për përshtypjet tuaja rreth kësaj vizite?

Lirisht mund të them se i kam përshtypjet më të mira në vizitën e parë që po e bëj në SHBA. Ne ishim këtu me ftesën e NAAC, gjegjësisht të komunitetit shqiptaro-amerikan në një darkë tradicionale, por unë mund të them se ishte me motiv tjetër për dallim nga e kaluara, sepse përderisa komuniteti shqiptaro-amerikan në përgjithësi më herët ka qenë i angazhuar duke e dhënë kontributin e drejtpërdrejtë në mobilizimin e çlirimit të vendit dhe  drejt krijimit të urave të miqësisë me amerikanët, tash është një fat i mirë ku Kosova ka arritur në atë pozitë ku kanë ndryshuar motivet tona por që ende kemi nevojë shumë të madhe që të kemi miqë dhe të kemi përkrahës. Kjo nevojë është  po aq e madhe sa ishte edhe në të kaluaren sepse jemi duke hyrë në fazën e zhvillimit ekonomik të vendit, të stabilitetit të shtetit të Kosovës. Edhe në këtë drejtim ne jemi shumë të vetëdijshëm se kemi nevojë për ura të miqësisë, për thellimin e atyre të cilat janë egzistuese, por patjetër duhet të angazhohemi të krijojmë edhe ura të tjera të miqësisë. Prandaj edhe kjo vizitë ishte në kuadër të këtyre angazhimeve që kanë përfaqësuesit  e jetës institucionale në vend. Unë me të vërtetë kam përshtypjen e mirë për atë darkë ku ishin pjesmarrës shumë burrështetas, shumë njerëz me influencë në politikën amerikane  dhe më gjerë të cilët dhanë një mbështetje shumë të fuqishme. Edhe një herë ata e rikonfirmuan fuqishëm pa asnjë hezitim mbështetjen që e kanë për Kosovën dhe stabilitetin ekonomik të saj.

Ajo që më ka lënë përshtypje shumë të madhe me kontaktet që i kishim qoftë me kongresmenë apo me ambasadorë të ndryshëm ishte se të gjithë njëzërit shprehnin shqetësimin e tyre për Veriun e Kosovës  dhe ruajtja e tërësisë territoriale e Kosovës që është edhe brengë e popullit të Kosovës.Të gjithë ishin fuqimisht të vendosur se nuk do të ketë cenim të integritetit territorial të Kosovës, pra të gjithë dhanë mbështetjen e tyre për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit të Mitrovicës.

Menjëhere po futemi tek tema e Mitrovicës, ju jeni shefi i grupit parlamentar të partisë më të fuqishme në Parlamentin e Kosovës, dhe tani pas pavarësisë së plotë që e mori Kosova derisa integriteti territorial i Kosovës është vënë në pikëpyetje për shkak të veriut, meqë atje janë duke operuar strukturat e Beogradit, jo vetëm ato paralele por ato të Beogradit. Cili do të jetë qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, Parlamentit të Kosovës dhe i institucioneve në përgjithësi për problemin e Mitrovicës, a do të ketë një autonomi territoriale për serbët në veri apo është vetëm spekulim i medieve?

Shiqo, Veriu i vendit është një problem që e përcjell Kosovën që nga ditët e para të pas-çlirimit e deri më sot. Ka qenë e vështirë në fillim para se u konstatua gjendja reale se cila është e vërteta në veri të vendit, por kohëve të fundit qoftë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë apo vendorët kemi një konstatim  se në veri të vendit janë duke operuar bandat kriminale, se në veri të vendit ka krim dhe kontrabandë, të cilat fatkeqësisht  një pjesë e këtyre grupeve të mëdha janë të dirigjuara  nga qeveria e Beogradit. Mirëpo, nuk mjafton  të ecim vetëm me konstatim, por duhet  që konstatimi të përcillet edhe me masa adekuate , me masat ndëshkuese apo me hapat konkret të cilat duhet të ndërmerren për të evituar këtë rrezik, apo për ta ndërprerë këtë krim i cili është duke u zhvilluar në veri të vendit.

Në veri  të vendit janë të grumbulluar kriminelët e të gjitha llojeve nga të gjitha territoret. Ata janë duke e terrorizuar atë pjesë të qytetarëve të Kosovës  që jetojne në veri të vendit. Qeveria e Kosovës ka obligimet dhe përgjegjësitë e veta, duhet të ngrisë shkallën e angazhimit më të madh, duhet të përgatitet për të ndërmarrë hapa konkret, por duke i pasur parasyshë specifikat, në një masë të madhe  duhet që institucionet ndërkombëtare e posaqërisht EULEX-i  duhet të jetë shumë më bashkëpunues me institucionet e vendit, duhet të kenë  një koordinim më të madh e mbi të gjitha një bashkëveprim për të siguruar jetën e qytetarëve në atë pjesë ë tërritorit të Koso vës dhe për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Është një fat i keq se kjo ndodhë para syve të botës dhe ende nuk merret asnjë masë konkrete. Nuk është e pamundur, ndoshta dikush mund të thotë se ka vështirësi, mirëpo është shumë e mundur sepse në veri është një numër shumë i kufizuar i kriminelëve të cilët operojnë shlirshëm në atë pjesë të teerritorit të Kosovës.

Tashmë janë identifikuar edhe akterët kryesorë , dihen ata dhe ne shpresojmë e besojmë se shumë shpejt  duhet të ndërmerren masat konkrete që edhe qytetarëve tëe asaj pjese të territorit të Kosovës tu sigurohet liria dhe gjithësesi edhe lëvizja e lirë.

 

Po për autonomi a nuk po flitet tash?

Absolutisht jo! Ne e kemi planin e Ahtisaarit dhe asgjë jashtë atij plani nuk  është diskutuar dhe nuk duhet të diskutohet. Ne e kemi parë një republikë Serbska e cila dihet se çfarë pasojash ka sjellur dhe nuk guxojmë që një të keqe të tillë të përsërisim. Territori i Kosovës është një dhe i pa-ndashëm, përcaktimi i jonë është shumë i qartë, partia demokratike asnjëhere nuk ju ka ikur bisedimeve, dhe problemet tashme jemi të përcaktuar që t’i zgjedhim me dialog e jo me mjetet e dhunës.  Ne si popull asnjëhere as në të kaluarën nuk kemi pretenduar që problemet tona t’i zgjedhim me mjete të dhunës , por kemi bërë përpjekje dhe jemi angazhuar edhe në të kaluarën dhe kemi dëshmuar shumë mirë se  kemi qenë gjithnjë që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe aq më tepër tash kur dihet se çka ka përjetuar populli i jonë por edhe popujt e tjerë të cilët kanë jetuar në ish federatën Jugosllave. Prandaj, ne jemi një popull që kemi përjetuar shumë dhembje, shumë vuajtje dhe nuk kemi dëshirë që askujt t’i shkaktojmë dhimbje. Mirëpo, para se të gjithave ne e duam jetën tonë, e duam lirinë tonë e vendin tone dhe duam të jetojmë ashtu siq duhet të jetohet.

Në parlamentin e Kosovës jeni njëri ndër deputetët më të zëshëm. Në atë parlament është dëgjuar disa herë nda disa deputetë se duhet të behen hulumtime, duhet të hapen dosjet rreth veprimtarisë së SHIK-ut, keto kërkesa i kemi dëgjuar, por a ka ndonjë inicicativë nga të njëjtit deputetë apo nga të tjerë që të punohet diçka rreth ligjit të lustracionit  dhe të punohet në atë drejtim që të hapen dosjet e veprimtarisë së UDB-së në Kosovë, a është bërë diçka në këtë drejtim?

Shiqo, zërat janë evident. Partia demokratike asnjëhere nuk e ka kundërshtuar këtë kërkesë, ka treguar gatishmërinë  që të hapen dosjet  për të gjithë, nuk frikësohemi absolutisht  nga asnjë periudhë kohore.

Ligji i lustracionit është i domosdoshëm në Kosovë dhe me siguri se duhet të miratohet patjeter  sepse këtë praktikë e kanë ndjekur edhe shtetet e tjera të cilat kanë pasur këtë fazën e tranzicionin sikur kjo që tani po e kalon Kosova, dhe vërtetë aty do të shihet qartë se kush ku qëndron dhe si qëndron. Por, përcaktimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë që ne të merremi me problemet e ditës , me problemet e kohës, me realitetin që e kemi në Kosovë, t’u përgjigjemi kërkesave të kohës dhe thjeshtë ne asnjëhere nuk kemi dashur që të shiqojmë mbrapa por kemi dashur që të shiqojmë kah e ardhmja. Qëllimi i jonë ka qenë që të krijojmë një jetë sa më të dinjitetshme, një jetë sa më të lumtur për qytetarët e vendit tonë. Mirëpo, ne e kemi parasyshë se ka shumë pakënaqësi  sepse nevojat janë shumë të mëdha. Mundësitë tona institucionale e shtetërore janë shumë të vogla. ne kemi një mirëkuptim vërtetë nga qytetarët e Kosovës  të cilët e kuptojnë realitetin dhe i kuptojnë mundësitë tona, por gjithësesi ata i kuptojnë edhe dëshirat tona se asnjë përfaqësues institucional i çfarëdo niveli qoftë nuk mund të jetë  ndër ata që nuk dëshiron ta sheh Kosovën sa më parë si vendin më të zhvilluar e më të begatë, por ne duhet të kemi parasyshë se jemi shtet që sapo jemi formuar.

Është e vërtetë se unë e përfaqësoj grupin parlamentar të PDK-së, i falënderoj të gjithë deputetët e grupit parlamentar me të cilët kam një bashkëpunim shumë të mire, shumë të afërt. Kemi një bashkëpunim të mire, një koordinim e bashkëveprim edhe me grupet e tjera parlamentare me të cilat jemi në koalicion dhe deri tani kemi arritur të përballemi me të gjitha sfidat që nuk kanë qenë të pakta gjatë këtij legjislacioni dhe kështu kemi arritur që të dalim të suksesshëm.

Po flitet shumë brenda parlamentit, edhe pse ne e kuptojmë që ju merreni me përditshmërinë dhe me problemet aktuale që janë më të rëndësishme por flitet brenda parlamentit të Kosovës kundër SHIK-ut  derisa në çdo cep të Kosovës kemi BIA-n që është aktive dhe shumë destruktive brenda Kosovës. A ka mundësi  që parlamenti i Kosovës të merret pak më seriozisht me këtë fenomen të shërbimeve serbe në Kosovë dhe me që janë edhe institucionet paralele të Serbisë shumë aktive, a ka mundësi parlamenti i Kosovës në bazë të kompetencave që i ka pas pavarësisë së plotë që të bëjë diçka më konkrete në këtë drejtim?

Po është normale që pas krijimit të një stabiliteti unë mund ta quaj se është i domosdoshëm, pas zgjedhjes së disa problemeve e më konkretisht tani pas përmbylljes së pavarësisë është e vetëkuptueshme se shumë kompetenca kalojnë tek institucionet vendore, dhe institucionet  vendore do te kenë një fushë më të lirë të veprimit. Do të kenë mundësi më të mëdha në vendim-marrje  dhe besoj se dale-ngadale do te krijojnë stabilitet dhe do të angazhohen në atë drejtim ku normalisht se keq-bërësve duhet t’u tregohet vendi i merituar.

Ju jeni një ish-ushtar i UÇK-së dhe keni humbur njerëz nga familja e juaj, pra jeni familje e dëshmorëve. Çfarë po bëhet me ligjin për veteranët e luftës, a do të përmirësohet pak që të paktën te jenë  në favor të veteranëve 50% sa ai që është në Kroaci apo në vende të tjera, a ka gjasa të miratohet ai ligj dhe të vihet në jetë të paktën një dekadë e gjysmë pas lufte?

Padyshim se kategoritë e luftës janë një brengë, një shqetësim i institucioneve tona. Ne fatbardhësisht kemi arritur që t’u bëjmë një zgjidhje familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, por gjithsësi duhet të ketë ligj edhe për vetëranët i cili është në përfundim e sipër. Është duke vepruar një komision i veçantë i cili është i obliguar që t’i hartojë listat e veteranëve të luftës , të bëjë kategorizimin e tyre . Sapo të bëhet ligji, fondet janë të ndara dhe kjo kategori do të gëzojnë përkrahjen institucionale që e meriton. Ndoshta nuk mund të bëhet krejt ajo që e meritojnë qoftë familjet e dëshmorëve, qoftë invalidët e luftës, por edhe veteranët, por megjithatë do ta kenë një mbështetje institucionale sa për të ndier dorën e pushtetit. Kjo do të bëhet me siguri në nje të ardhe të afërt, por veteranët dhe të gjitha kategoritë e tjera e kanë parasyshë se mundësitë tona institucionale e shtetërore janë shumë të kufizuara dhe në përputhje me mundësitë që i kemi ata do t’i gëzojnë benefitet e tyre.

Poashtu, kemi problemin tjeter që rëndon në supet e institucioneve e që është çështja e pensionistëve për të cilët poashtu qeveria e Kosovës është duke u menduar dhe shumë shpejtë do të bëjnë zgjidhje edhe për këtë kategori.

Ju jeni njëri ndër themeluesit e PDK-së, tani pritet që kjo parti të mbajnë kongresin e radhës. Si e shihni ju PDK-në pas kongresit që të mbahet?

Po partia demokratike është një forcë e madhe, ka një potencial jashtëzakonsiht të madh, të fuqishëm. Ka një potencial intelektual të pa-diskutueshëm. Mirëpo, si çdo kund në praktikën institucionale e  politike edhe të vendeve të tjera, partitë të cilat vijnë në pushtet mbesin pak më mbrapa me aktivitetet partiake sepse përfaqësuesit e strukturave drejtuese të partisë marrin përgjegjësi shtetërore dhe nuk kanë mundësi që të merren më shumë me aktivitetet e drejtpërdrejta partiake. Kjo ndoshta pak e ka bërë që të mbetet mbrapa aktiviteti partiak, Mirëpo, PDK-ja ka një strukturë të ndërtuar, ka të interesuar që t’i bashkangjithen PDK-së dhe kjo është kënaqësia e jonë. Janë gjeneratat e reja të cilat kërkojnë të gjejnë hapësirën e nevojshme për të dhënë kontributin në PDK dhe kjo nevojë na dikton që ne sa më parë të mbajmë kongresin e partisë në mënyrë që t’u krijojmë hapësirë gjeneratave të reja  që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe t’u krijohet mundësia që të japin kontributin e tyre edhe në jetën institucionale të shtetit. Kjo do të ndodhë shumë shpejt sepse PDK-ja është në procesin e përgatitjes për fillim të kongresit i cili do të fillojë shumë shpejt dhe besoj se brenda afatit tre mujor do të mbahet dhe do të zgjidhen strukturat e reja ë partisë. Jamë shumë optimist se partia do të dalin edhe më e strukturuar, më e fuqishme dhe shumë më aktive.

Këto ditë po mbahet samiti i 67 i OKB=së, një numër shumë i madh i qeveritarëve të Kosovës duke e përfshirë edhe kryeministrin është në SHBA derisa brenda në Kosovë përflitet shumë rreth koalicionit qeveritar nëse do të riformatohet, ristrukturohet apo do të bëhet ndryshim më i thellë duke bërë koalicion më AAK-në. Çfarë po bëhet në realitet sepse në Kosovë po thonë se derisa të kthehet qeveria në atdhe  duke aluduar ne Hashim Thaqin dhe shume ministra, disa të tjerë i kanë kthyer sytë nga ti dhe presin se çfarë do të thoni ju si shef i grupit parlamentar të PDK-së, a do të bëhet koalicion me AAK-në?

Së pari dua të potencoj se koalicioni aktual është duke funksionuar, është stabil, nuk kemi absolutisht asnjë krizë, por ne i kemi parasyshë sfidat me të cilat do të përballet Kosova në të ardhmen.

Për t’u përballur me këto sfida dhe përballur me këto sfida që të dalin të suksesshëm PDK-ja është udhëhequr nga një koncept i veçantë i integrimit dhe kurrsesi i përjashtimit. Ne i kemi mirëpritur dhe i mirëpresim angazhimet e tjera. Sa më gjithë-përfshirës që të jetë koalicioni ne jemi më të fuqishëm dhe domosdoshmërisht që do të jemi më të suksesshëm. Prandaj, ne kemi mirëpritur gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë edhe subjektet e tjera siq është AAK-ja. Ne e kemi vlerësuar këtë hap si një pjekuri politike që jo vetëm ne por të gjithë ata të cilët mendojnë pa ngarkesa. mendojnë dhe gjykojnë mbi bazën e arsyes dhe të nevojës për të marrë ato përgjegjësi dhe për të dalur të suksesshëm. Këtë e kam përshëndetur dhe e përshëndesim sepse ne e shohim si një hap pozitiv dhe jemi të gatshëm që vërtetë të jemi sa më të përgatitur  dhe sa më bashkëpunues edhe me të tjerët.

Do me thënë se nuk jeni kundër një koalicioni të zgjeruar me që po na leni të kuptojmë se jeni për zgjerimin e koalicionit edhe me partitë e tjera.

Normalisht se ne ju bëjmë ftesë të gjitha partive të tjera që të marrin përgjegjësitë e tyre, të jenë të gatshme për të bashkëpunuar, bashkë-koordinuar dhe bashkë-vepruar kur të jenë në pyetje interesat nacionale. Këtë politikë ne e kemi ndjekur edhe deri tani, jo vetëm që kam pasur bashkëpunim të mirë me grupet me të cilat kemi qenë në koalicion, por kanë qenë në pyetje interesat nacionale ne kemi pasur bashkëpunim  edhe me disa parti të opozitës me të cilat kemi koordinuar dhe kemi hapur rrugën e perspektivës së vendit dhe kështu do të vazhdojmë edhe më tutje.

Ju kemi qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve gjatë dhe pas luftës, sigurisht që e ndjeni dhembjen për të pagjeturit, pas të gjitha këtyre problemeve që mund të rregullohen dhe përmirësohen me forcimin e institucioneve a do të keni mundësi që të merreni më seriozisht me të pa-gjeturit?

 

Ky është një nga problemet tepër të ndieshme. PDK-ja asnjëhere nuk ka lejuar dhe nuk i lejon vetvetes që të luajnë me fatin e të pagjeturve , të përdorin këtë fatkeqësi të njerëzve tanë, të familjeve tona, që të bëjë përpjekje të godasë një subjekt për të fituar poena politik. Përkundrazi ne kemi qenë të angazhuar dhe jemi të angazhuar që ky problem nuk mund të zgjidhet pa ndërkombëtarizimin e kësaj çështje. Prandaj ne nuk guxojmë që ta lëmë vetëm në nivel të institucioneve të vendit tonë por duhet të angazhohemi me çdo kusht që në zgjidhjen e këtij problemi të insistojmë sa më shumë tek ndihma nga institucionet ndërkombëtare.

Fati i të pagjeturve nuk mvaret nga institucionet e vendit. të gjithë e dijmë se ka varreza masive në Serbi të cilat ende qëndrojnë të pa hapura dhe janë evidente pengesat të cilat vijnë drejt-përsëdrejti nga pushteti serb. prandaj këtu duhet të angazhohen edhe institucionet e vendit por më tepër duhet të kërkojmë dhe të jemi shumë më insistues dhe të kërkojmë ndihmën e institucioneve ndërkombëtare.

Tani jeni në prag të rifillimit të bisedimeve teknike dhe gjysëm-politike me Serbinë, a do të jenë kjo tema e të pa-gjeturve në tavolinën e bisedimeve?

Po, padyshim se një nga temat shumë të ndieshme është edhe problemi i të zhdukurve dhe kthimi i tyre pranë familjeve të tyre. me siguri se ky do të jetë një problem dhe  institucionet tona do të insistojnë në këtë temë për ta zgjidhur këtë problem, por ne jemi deklaruar  dhe siq e thashë edhe më heret po e përsëris se PDK-ja asnjëhere nuk ka qenë kundër dialogut, ne absolutisht nuk kemi pse t’i frikësohemi dikujt. ne jemi shtet, jemi perfaqësues të popullit dhe jemi të thirrur për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e popullit dhe të shtetit tonë në çdo nivel para çdo kujt dhe në çdo kohë që kërkohet.

Pyetja e fundit, e shtuam edhe një për shqiptarët e Amerikës, cila do të ishte porosia e juaj për shqiptarët e Amerikës me që këtu jeton një numër i madh i shqiptarëve që kanë kontribuuar për çështjen shqiptare dhe po ndihmojnë akoma në integrimin e Kosovës në Evrope duke i forcuar marrëdhënjet me shtetet e tjera e sidmos ne forcimin e marrëdhënjeve me Amerikën, cila do të ishte porosia e juaj për ta?

Respekt të veçantë për të gjithë komunitetitn shqiptaro-amerikan, falenderim për të gjithë atë që e kanë bërë në të kaluarën dhe po vazhdojnë ta bëjnë edhe sot. Kosova ka nevojë po aq shumë sa kishte edhe në të kaluarën për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ne kërkojmë prej tyre që t’i thellojnë këto ura të bashkëpunimit me amerikanët dhe të krijojnë miqësi sa më shumë sepse Kosova ka nevojë për mbështetje dhe për miq të fuqishëm.

Qazim Doda/ New York

Versionin ne video mund ta shikoni ne:

http://www.youtube.com/watch?v=NWGcP88yjiM

 
Leave a comment

Posted by on September 26, 2012 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: