RSS

BACA I FLAMURIT KUQ E ZI

04 Nov

Prof. Dr. Agron F. Fico, Tiranë,

 Nëntor,  2012

 

ImageBACA I FLAMURIT KUQ E ZI

(Ky “Avni Rustemi i Nju Jorkut”)

100-vjetori i pavarësisë po troket madhërishëm në historinë e jetës sonë kombëtare. 28 Nëntori 1912, dita e bardhë dhe më e madhe e historisë kombëtare, është dita e pavarësisë, dita e lindjes së shtetiti shqiptar. Kjo është dita e kurorëzimit të luftërave, përpjekjeve titanike me shpatë e pendë nga breza të tërë shqiptarësh kundër pushtimit të egër e të gjatë turko-osman.

Kjo ditë e ndritur kombëtare na kujton, në një të vetme, flamurin kombëtar, flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare. Këtë flamur e ngriti burri i madh, kryediplomati Ismail Qemali, më 28 Nëntor 1912 në qytetin bregdetar të Vlorës.

Kronikat e kohës kanë fiksuar faktin se ishte ajo grua e thjeshtë Marigo që pati qëndisur këtë flamur historik.

Kanë shkuar vite e vite, gati po bëhet një shekull dhe ky flamur kuq e zi me shqiponjën dykrenare ka prirë në beteja breza luftëtarësh, ka frymëzuar njerëzit e pendës, artistë dhe lahutarë, këngëtarë dhe valltarë, në mbarë hapësirën shqiptare. Secili brez, me veprën e vet atdhetare, e ka qëndisur më tej këtë flamur kombëtar.

Një nga këta figura të shquara atdhetare, që “e qëndisi” dhe e nderoi trimërisht flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenare është edhe Baca e Diasporës, Ahmet Zherka.

Trimi Ahmet Zherka e “qëndisi” me shtatë plumba në ballë shkelësin e pështirë të flamurit kombëtar, në ato ditë gushti 1975, mu në zemrën e Nju Jorkut, në Manhatenin magjik; Ahmet Zherka u bë një Avni Rustem i Nju Jorkut.

Është vështirë, tepër vështirë që në kufijtë e një shkrimi gazete të ndriçohet gjithë drama e atij akti të rrallë guximi dhe atdhedashurie, të një njeriu që linte pas bashkëshorten me 7 fëmijë të vegjël.

Tung Baca Ahmet! Tung (forma e shkurtër e përshëndetjes shqiptare ‘tungjatjeta) e përshëndesin me nderim dashamirës dhe miq, atdhetarin e shquar Ahmet Zherkën, i njohur edhe si “Baca i flamurit”.

Ahmet Zherkën e kanë lindur Alpet shqiptare, aty ai u shoqërizua me shkreptimat gjëmëmëdha dhe rrufete tronditëse. Në shtëpinë e të parëve të vet dëgjoi këngët e trimërisë dhe bujarisë. Veçanërisht i kishte bërë përshtypje dhe e këndonte shpesh këngën për “trimin e trimave” Gjergj Elez Alinë; i ishin skalitur fort në mendje veçanërisht vargjet:

Pak pa mrrijtë, baloz, ti m’ke dredhue:

M’ke lypë motrën para se mejdanin;

M’ke lypë berret para se çobanin,

E jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,

Se ne të parët nji kanun na kanë lanë:

Armët me dhanë përpara e mandej gjanë!

Pas burgosjes s të atit nga regjimi komunist në Shqipëri, familjarisht shpërngulet në Ferizaj, në Kosovë. Pushtimi serb, ndjekja dhe persekutimi i shqiptarëve nga policia sekrete e Tito-Rankoviçit, shkelja e çdo të drejte njerëzore dhe kombëtare nga regjimi sllavo-komunist jugoslav, ngjallën tek i riu Ahmet Zherka ndjenjën e fuqishme të urrejtjes dhe nxitën veprimtari kundërshtimi “ndaj sllavëve të Karpateve” siç i cilëson serbët pushtues në shkrimet e veta. Në shoqërinë e nxënësve të shkollës ai dallohej për guxim, dëshirë të fortë për veprimtari konkrete ndaj policisë dhe oficerëve serbë. Një ditë, ndërsa luante futboll në një fushë të vogël, dëgjon një britmë dhe zhurmë jo larg fushës; nuk ecën, por vërvitet drejt ngjarjes. Merr vesh se disa ushtarakë serbë kishin nëpërkëmbur një grua plakë shqiptare në mënyrë vulgare; sulet ndaj tyre me grushta dhe shqelma, madje njërit prej tyre i shkul edhe një vesh.

Në Ferizaj vihet nën ndjekjen e policisë dhe shërbimit sekret serb për aktivitetin e vet antiserb, prandaj detyrohet të arratiset dhe të strehohet në disa të njohur te shqiptarët e Malit të Zi. Po edhe këtu nuk e ndërpret veprimtarinë atdhetare. Vazhdon të ndiqet nga policia serbo-malazeze, prandaj largohet për në Itali. Qëndron pak muaj në një kamp për emigrantët dhe në maj të vitit 1968 vendoset familjarisht në Amerikë.

Në “Amerikën e bukur”, në vendin e demokracisë dhe të lirisë gjen shtratin e ngrohtë dhe më të mirë për jetesën dhe veprimtarinë atdhetare. Krahas punës së përditshme, me orë edhe të zgjatura, që të mbante familjen, i kushtohet me të gjitha forcat e shpirtit dhe mendjes veprimtarisë atdhetare për Kosovën dhe Shqipërinë. Merrte pjesë në demonstrata, madje shpesh sillte edhe fëmijët se, atëherë kujton ai, pak afroheshin në këto veprimtari. Bashkëpunon me kroatët kundër shtypjes dhe okupimit serbo-jugosllav. Po çdo ditë radhët me shqiptarë shtohesh më shumë.

Punonte, djersitte, shkruante dhe merrte pjese në tubime atdhetarësh. Në qendrën e vet të punës kishte një ndarje ku zhvishte e vishte rrobat e punës, pushonte ose hante drekën. Aty mbante pak libra shqip, një fotografi të Skënderbeut dhe kishte varur një flamur kombëtar. Një njeri me trajta të një amebe, i fryrë dhe ingjallur si kacekët e kovaçanave, ishte përgjegjësi i tij. Sa herë që vinte në dhomëzën e Ahmetit ai shfrynte dhe, me një anglishte të çalë dhe nervoze, kërkonte që Ahmeti t’i hiqte këto simbole. I riu shqiptar nga Kosova, Ahmet Zherka, jo vetëm që tronditej nga kjo kërkesë tepër e habitshme, por edhe pse mendohej e mendohej nuk gjente ndonjë shkelje ose “dëm” që i sillnin këto simbole kësaj qënie si amebë prehistorike.

Ishte fillimi i gushtit 1975. Ahmeti, kishte dalë shpejt nga shtëpia. Pasi kishte pirë një kafe me disa miq të zemrës, ishte drejtuar për në punë. Veshi rrobat e punës, ndërsa po pinte edhe një duhan, hyri me egërsinë e ujkut, pa trokitur, pa përshëndetur, Smithi. Kështu quhej ky farë përgjegjësi. Shtriu dorën drejt flamurit të ndritur kombëtar, e hoqi nga muri, e shkeli disa herë, e pështyu dhe u largua. Asnjëherë në jetë nuk ishte gjendur më vështirë Ahmet Zherka. Bubullima dhe gjëmimet e Alepeve shqiptare kur afrohen stuhitë dhe rrebeshet qiellore ranë mbi kokën e Ahmet Zherkës në ato çaste të rrufeshme. Zotëroi fort veten, mbaroi cigaren e posafilluar, nxori nagantin, i futi tetë plumba, i puthi grykën. Ishin kohë të vështira dhe njeriu duhej të vetëmbrohej. Tërhoqi derën e “zyrës” dhe u ngjit në katin e dytë, ku kishte zyrën Smithi. Trokiti në derë dhe hyri. Smithi, me një buzëqeshje nervoze, e pyeti pse kishte ardhur. Ahmet Zherka i tha me një ton të qetë dhe qartë: “Kam ardhur, zoti Smith, që të zbatoj vullnetin e popullit tim, të mbroj nderin e flamurin të përdhunuar nga ju…!” Ndërsa Smithi u përpoq të fitonte kohë, Ahmeti, si njeri që vinte nga zona e barutit, nxori nagantin dhe me një saktësi të plotë i zbrazi në ballë dhe në kraharorin e majtë 6 plumba atij shkelësi arrogant të flamurit kombëtar shqiptar.

Doli në rrugë, u ul në një anë të saj dhe po pinte duhanin e fundit në liri. Ndihej i qetë, thellë në gjithë qënien e vet njerëzore, ndjente se në rolin e ushtarit të thjeshtë kishte plotësuar urdhërin e shenjtë të Atdheut, të kombit të vet.

Zgjati dorën para një mikrobusi të policisë. Në fillim ata nuk po kuptonin gjë. Po kur dy oficerë u afruan Ahmet Zherka, me atë anglishten e ngadalshme u tha: “Unë kam…” Pa mbaruar pjesën e dytë të foljes e puthi në grykë nagantin e tij dhe ua zgjati atë me grykë nga vetvetja oficerëve të policisë, që u ngurtësuan para tij. U zgjati të dyja duart për ta pranguar dhe, si e hipën në furgonin e tyre, e shpunë në stacionin e policisë.

Më vonë, në shënimet e veta, oficeri i policisë së Nju Jorkut Skot M. shkruan se, “Kam mbi 25 vjet në shërbim… Kam patur raste të ndryshme e tepër të vështira. Po ky rast është tepër i veçantë…”

U bënë hetimet e para dhe u mësua motivi i ngjarjes nga vetë i ndaluari. Ai, Ahmet Zherka, kujton Skot M., përsëriste vazhdimisht 4 fjalë: “Soldier, fatherland, order, flag”, që më vonë u deshifruan qartë: “Jam një ushtar i thjeshtë i atdheut tim dhe zbatova urdhërin e tij që të mbroj edhe me jetën nderin e kombit, flamurin kombëtar!”

Pasdite vonë, si kishin përfunduar hetimet e para, Ahmet Zherkës iu lejua të fliste në telefon me bashkëshorten e vet, Shpresën.

-Shpresa, jam Ahmeti. Si janë fëmijët?

-Ahmet, pse u vonove? Kur do të vish? Fëmijët të presin! U dëgjua zëri plot ankth i Shpresës, që ende nuk dinte se çfarë kishte ndodhur.

-Jo, jo Shpresë nuk do të vij… Ndofta… kurrë. Kujdes fëmijët!

Dhe komunikimi telefonik u ndërpre.

Lajmi u përhap brenda ditës ndër shqiptarët e Nju Jorkut. Miq, të njohur, vraponin tek njëri-tjetri, donin të dinin hollësi, kërkonin veprim.

U krijua një grup për të mbledhur fonde për gjyqin. Letra dhe telegrame iu drejtuan gjykatës së Nju Jorkut për lirimin e menjëhershëm të “njeriut të flamurit”.

Pas disa muajsh hetimi filloi procesi i gjykimit. Atë ditë, kujton një dëshmitar i ngjarjes, me dhjetëra e dhjetëra shqiptarë, me qeleshe të bardha në kokë, mbushën oborrin e gjykatës. Kishte edhe pankarta, të tilla si: Të lirohet menjëherë! Ahmet Zherka mbrojti nderin kombëtar! Rroftë flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare!

Gjyqi në fazën e parë e dënoi me disa vjet heqje lirie. Por për qëndrimin e tij shembullor në kohën e dënimit dhe për cilësitë e larta morale dhe qytetëruese në mjediset e ndalimit, ky ndalim u kthye në një dënim me punë korrektuese.

Ai u lirua pas pak kohe. U prit me nderim dhe u rrethua me respekt nga Diaspora mbarë. Ai tashmë ishte bërë tribun i Diasporës. Ahmet Zherka filloi të shkruante një faqe tjetër të re të veprimtarisë atdhetare. Shquhej në organizimin e demonstratave kundër pushtimit të egër serb në Kosovë, merrte pjesë me shkrime dhe debatonte për fatet e kombit të vet.

Në vitin 1974 botoi buletinin “Bashkësia shqiptare”, që doli vetëm në 3 numra. Në numrin 3 të këtij buletini u botua memorandumi, që titullohet “Barbarizmat greke në Çamëri.”Dokumenti është një dëshmi konkrete e genocidit grek ndaj popullisë çame. Dokumenti mbeti i panjohur për një kohë. Në vitin  2005 e botova në gazeten “Illyria” (30 gusht-1 shtator 2005, f,27 dhe në 2-5 shtator 2005 f. 30, 35). Më vonë profesori  i nderuar i Diasporës Peter Prifti e përktheu këtë dokument në anglisht dhe u shpërnda në shumë rjete  elektronike.

Baca Ahmet ka shkruar edhe mjaft artikuj në shtypin e Diasporës dhe të Kosovës.

Erdhi i ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me zjarrin e dashurisë për çështjen kombëtare dhe me përvojën e një veprimtarie përpjekjesh kundër dhunës serbe në Kosovë. Erdhi si ushtar i thjeshtë, por me një veprimtari dhe punë të gjatë atdhetare dhe me shkrime, por edhe me guximin e Çerçiz Topullit, të Avni Rushtemit, të Vasil Laçit, atentatorit kundër mbretit shkurtabiq të Italisë, Viktor Emanuel i III, me aktin e vet të gushtit 1975, u bë  tribun i lëvizjes atdhetare në Diasporë.

I qetë, i heshtur si Alpet shqiptare nga erdhi, i urtë dhe plot hijeshi në sjelljen e vet burrërore, i thjeshtë dhe fjalëpak, por me shkrepëtima rrufesh në shikim e vet; ai nuk kërkoi as lavdi, as emër, as njohje, por ndërkaq Ahmet Zherka fitoi adhurimin, dashurinë dhe nderimin e gjithë shqiptarëve që e njohin e kudo që janë, ai meritoi emrin e bukur-simbol, “Baca i Flamurit kuq e zi”. Në këtë 100-vjetor të Flamurit të shtetit shqiptar ai meriton të shpallet “Nderi i Kombit”.

 
Leave a comment

Posted by on November 4, 2012 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: