RSS

Dritë-hijet e kreut të “Gani Bobit”

29 Aug

Dritë-hijet e kreut të “Gani Bobit”


Dritë-hijet e kreut të “Gani Bobit”

Kush është njeriu i thirrur në Tiranë për exit-pollet e fushatave zgjedhore. Lidhjet me Beogradin të djalit të ish-Ministrit të Brendshëm të Kosovës, i cilësuar si “vegël e bindur e jugosllavëve”. Shkëlzen Maliqi, njeriu që kundërshtoi luftën për pavarësinë e Kosovës dhe ndihmon prej disa vitesh në fushata zgjedhore Sali Berishën

Nga Thanas Mustaqi

Këtë javë të nxehtë elektorale në tryezat televizive dhe në prononcimet e politikanëve, kryesisht të majtë, është lakuar emri i Gani Bobit, a thjesht, Ganiut, me ngarkesë të rëndë pejorative. Filozofi dhe sociologu i ndjerë kosovar, Gani Bobi (1943-1995) është identifikuar me përpjekjet e partisë në pushtet për të manipuluar rezultatin zgjedhor në bashkinë e kryeqytetit. Në Shqipëri për herë të parë Gani Bobi u bë i famshëm me exit-pollin e zgjedhjeve të 2009-ës. Por Gani Bobi ka pësuar dështim spektakolar në sondazhe dhe ka fituar një nam të keq. Por padrejtësisht. “Gani Bobi” është një institut anketimesh. Pas tij fshihet një emër tjetër. 64-vjeçari Shkelzen Maliqi, filozof dhe publicist kosovar, është president i këtij Instituti. Të dy i bashkon miqësia, filozofia dhe Beogradi. Por më shumë në Kosovë Maliqi është më i “sajdisur” dhe më “i mallkuar”. Partitë politike kanë pasur rezerva ndaj sondazheve të Maliqit të “Gani Bobit”. Ia kanë zënë për të madhe faktin që Shkelzeni është djali i një njeriu të urryer në Kosovë, Mehmet Maliqi, si kryepolic, krye-udbash dhe vegël e bindur e jugosllavëve. Kjo përkon dhe me 30-vjetorin e demonstratave të Prishtinës. Shtypi perëndimor i viteve 1980 është marrë dhe me deklarimet e sekretarit të punëve të brendshme të ish-krahinës së Kosovës. Me këtë rast, po botojmë disa fragmente të dy studimeve, të 15-16 shkurtit 1982, të emitentit amerikan Radio Evropa e Lirë / Radio Liria.

Analist i mprehtë, Shkelzen Maliqi, gjithsesi, është figurë autoritare. Por është spekuluar për lidhje të hamendësuara me shërbimet sekrete të Beogradit, ku shkoi në moshën 19 vjeç dhe u kthye në Prishtinë në moshën 35 vjeç. 16 vjet studime, punë dhe jetë në kryeqytetin serb. Për këtë periudhë ka folur pa shumë dorashka vetë Maliqi (fragmente të rrëfimit po i botojmë në këtë numër të “Investigimit”). Ndërkaq zëra të ndryshëm në Prishtinë kanë shprehur habinë pse “trioja” e publicistikës prishtinase: Maliqi, Surroi dhe Haxhiu, bij funksionarësh të regjimit komunist, bërtasin më shumë për hapje dosjesh.

Nga ana tjetër, në Kosovë, sërish është lakuar emri i Maliqit të “Gani Bobit” lidhur me një kallzim penal dhe ndaj të atit të Shkelzenit, Mehmet Maliqi. Deputeti Nait Hasani, ish-i burgosur politik, ka paditur në prokurori ish-ministrin e brendshëm për gjenocid dhe bashkëfajtor për Masakrën e Tivarit. Por Kuvendi i Kosovës nuk ka dashur të hetojë për këtë fakt. Kuvendi i Shqipërisë ngriti një komision hetimor, i cili pas një zhurmënaje të madhe, ka rënë “squkë”. Burime të pakonfirmuara pranë PD-së në Tiranë hamendësojnë se Shkelzen Maliqi mund të ketë vendosur kusht për t’i shërbyer selisë blu nëse ajo heq dorë nga hetimi i Masakrës së Tivarit. Pas kësaj, “Gani Bobi” punoi për të shpallur Lulëzim Bashën fitues të zgjedhjeve të 8 majit me 58.4 për qind.

Pohime të Shkelzen Maliqit

“Babai im, ushtar i spikatur i revolucionit”

Unë, në të vërtetë, kam studiuar dhe jetuar në Beograd që nga viti 1966 gjer më 1982. Në studime kam shkuar në moshën 19-vjeçare, ndërsa u ktheva në Prishtinë kur i kisha mbushur 35 vjet. Edhe më vonë kam qëndruar shpesh në Beograd, kryesisht me punë, si bashkëpunëtor i Fondacionit Soros. Ne që nga viti 1993 e kishim kancelarinë e Fondacionit në Prishtinë, selia e të cilit ishte në Beograd.

Kur u largova nga Beogradi, në vitin 1982, isha i njohur vetëm në rrethin e miqve. Në Prishtinë fillova të shkruaj tekste të angazhuara publicistike dhe politike, të cilat më bënë të njohur për opinionin beogradas dhe atë më të gjerë, jugosllav. Në Beograd kam patur shumë miq dhe të njohur, të cilët më respektonin edhe kur nuk pajtoheshin me qëndrimet e mia politike. Natyrisht, kisha edhe shumë armiq, si dhe ish-miq dhe të njohur, të cilët e kthenin kokën në anën tjetët kur më shihnin. Që nga viti 1982, rrethi i miqve dhe i të njohurve po ngushtohej disi. Beogradin, ku më parë ndihesha mirë, e përjetoja disi me bezdi. Me kalimin e viteve, ai bëhej gjithnjë e më i largët, gjithnjë e më refuzues. Njerëzit që i takoja atje dhe me të cilët punoja ishin pak a shumë o.k., por më dukeshin si oaze në shkretëtirë. Ka ndodhur shumë herë që prej autobusit ose makinës të shkoja drejt e në mbledhjet e caktuara që më parë, dhe me ta përfunduar punën, nuk kisha kurrfarë dëshire të mbetem ose të takoj njeri. Nëse isha i detyruar ta kaloj natën atje, në ndonjërin prej hoteleve gjithnjë e më të mjerë beogradas, më së shpeshti në “Moskë”, para fjetjes e ndieja vazhdimisht neverinë e qëndrimit në një qytet që më ishte bërë i huaj. Nuk e kuptoja më. Nuk mund të isha më i sinqertë dhe spontan as me shokët dhe të njohurit. As ata nuk i kuptoja më. Është e vërtetë që përpiqeshim të fusim ca forma racionaliteti në ato marrëdhënie. I investonim fondet e Sorosit për zhvillimin e shoqërisë civile, në media, NGO, kampet e të rinjve, edukatë… Por, e bënim këtë në një rrethim të së keqes dhe kërcënimit të përhershëm me luftë. Ishim të pafuqishëm para të keqes, edhe pse e mashtronim veten se gjoja po i kundërviheshim duke investuar në ardhmërinë, në njerëzit e rinj, në projekte të shëndosha, të cilat do ta sillnin ndonjëherë një kthesë…

… Unë e kam njohur dhe përjetuar Beogradin në fund të viteve ’60 dhe ’70. Për fatet tona vendoste ende në atë kohë politbyroja komuniste. Në vitin kur u shkarkua Aleksandër Rankoviç, më 1966, unë e mbarova shkollën e mesme në Prishtinë dhe u nisa për studime në Beograd. Midis katër opsioneve për studime që më tërhiqnin, pikturës, dramaturgjisë, letërsisë dhe filozofisë, e zgjodha këtë të fundit.

… Pas vitit 1968, gjithnjë deri në mbarim të vitit 1969 ose fillim të vitit 1970, unë isha njëri ndër pjesëtarët më të rinj dhe me siguri më naivë të të ashtuquajturit grup studentor anarkist-liberal në Fakultetin e Filozofisë…

Në vitin 1970 ky grup yni ishte pak a shumë i shpërndarë, ashtu siç qe thyer edhe lëvizja studentore… Unë në atë kohë isha tërhequr tashmë nga grupi, më shumë për arsye familjare (babai im ishte në atë kohë ministër në qeverinë kosovare dhe anëtar i Këshillit të Federatës, dhe pasi e kishte ofruar dorëheqjen në të gjitha funksionet politike për shkak të aktiviteteve të mia politike, unë dilemën e madhe morale që e kisha për shkak të vuajtjeve të mundshme që mund t’i pësonte e tërë familja e zgjidha ashtu që dola nga grupi. Këtij vendimi i kishte kontribuar edhe ndjenja e zhgënjimit dhe mungesës së perspektivës në lëvizjen studentore, si dhe zhgënjimi me angazhimin politik përgjithësisht).

… Diku në fund të viteve ’70, duke i zgjatur vazhdimisht studimet dhe duke u marrë me gjithçka ngapak (letërsi, film, filozofi, estetikë, art, politikë…), por me asgjë dhe përfundimisht në mënyrë serioze, e kisha një periudhë kur e zbulova praninë kërcënuese të një Beogradi tjetër nëntokësor, të tulitur dhe të egër, të cilin nuk e kisha vënë re më parë. Ndoshta isha më herët tepër i ri dhe naiv prandaj nuk e vëreja, ose ai Beograd i egër edhe vetë fshihej me mjeshtëri dhe ishte në defensivë para titizmit superior, këtë nuk mund ta rikonstruktoj sot vetëm nga përvoja ime personale.

Në fund të viteve ’70 unë isha politikisht ende mjaft naiv, posaçërisht sa i përket fatit të federatës jugosllave. Vazhdova të jetoj në Beograd, më shumë me inerci. Jetoja në një vakuum kohor, pa një orientim më të qartë politik dhe pa vizion për të ardhmen. Në thelb, ushqeja edhe më tej një neveri ndaj politikës, si më 1970.

… Ne të gjithë kemi jetuar në çmendi, dhe të gjithë jemi përpjekur, secili në mënyrën e vet, të mbetemi normalë, aq sa kjo ishte e mundshme dhe e lejuar në kushtet kur edhe ne vetë qemë të “magjepsur me utopinë e komunizmit”. Për dallim nga Bashkim Shehu, sepse edhe unë jam “fëmijë i komunizmit” dhe një lloj kipci i tij kosovar. Në të vërtetë, edhe babai im ishte një ushtar i spikatur i revolucionit dhe shef i policisë kosovare në vitet pesëdhjetë, kur edhe në Kosovë zhvillohej lufta klasore kundër “reaksionit borgjez” dhe të tjerëve, çka nënkuptonte burgosje dhe tortura për kundërshtarët e regjimit, dhe pastaj për të dytën herë, që nga viti 1981 gjer më 1984, kur u burgosën në masë dhe iu nënshtruan torturave me mijëra “kundërrevolucionarë” kosovarë, “irredentistë” dhe “nacionalisë” shqiptarë. Por, për dallim nga Bashkimi, e kisha fatin, ose më parë privilegjin, që nuk u detyrova ta paguaj edhe personalisht çmimin për mashtrimet dhe mëkatet e babait tim, jo aq për arsye të disidencës sime beninje të mëhershme të vitit 1968 ose, më vonë, për shkak të angazhimit politik dhe publicistik që nga viti 1983 gjer më tani, sa për shkak të rrethanave të tjera që mbretëronin në Jugosllavi dhe në Kosovë, ku regjimi totalitar ishte shumë më selektiv, që të gjitha format revanshiste prej mollohu dhe të tjerat i ushtronte në mënyrë më selektive.

Korrik 2000

Vjen i vdekuri me të gjallë

Qendra për Studime Humanistike apo Instituti Hulumtues “Gani Bobi” është një OJQ, themeluar në dhjetor 1997. Në shtator 1999 u shkëput nga financimet e Fondacionit Soros dhe KFOS-it (Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur).

GANI BOBI

Vjen i vdekuri me të gjallë. Po kush është ai që merret si kreu i një instituti sondazhesh? Njerëzit mendojnë se “Gani Bobi” është një njeri real. Në fakt është “ndajshtim” i një instituti që mban këtë emër, apo një “pseudonim” i publicistit dhe filozofit të përgatitur në Beograd, Shkelzen Maliqi. Të dy, Bobin dhe Maliqin, i bashkon kryeqyteti i ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, ku janë lart-arsimuar për filozofi. Gani Bobi (1943-1995) ka qenë filozof dhe sociolog shqiptar nga Kosova. Ka lindur në fshatin e Lybeniqit të komunës së Pejës. Një nga profesorët e parë shqiptarë të sociologjisë dhe të filozofisë në Universitetin e Prishtinës (1981). Ka punuar edhe si redaktor i filozofisë në “Koha” të Prishtinës. Doktoraturën në sociologji e mori në Fakultetin e Filozofisë  të Universitetit të Beogradit në vitin 1986 pas mbarimit të studimeve për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Prishtinës. Ka jetuar në Prishtinë. Botimet e tij janë përmbledhur në pesë vëllime të Veprave. Ndër botimet kryesore janë “Sprovimet e modernitetit” (1982), “Paradoks kulturor” (1986) dhe “Konteksti i vetëkulturës” (1994), disa prej tyre të përkthyera në anglisht dhe serbisht.

SHKELZEN MALIQI

Shkelzen Maliqi (i lindur më 1947 në Rahovec ose Arravec), filozof shqiptar, kritik arti, analist politik dhe intelektual kryesor në Kosovë. Është djali i ish-sekretarit të Punëve të Brendshme të Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës të Federatës Jugosllave, Mehmet Maliqi, i njohur dhe ndërkombëtarisht për ashpërsinë ndaj “irredentistëve” dhe “nacionalistëve” kosovarë. Shkëlzen Maliqi studioi dhe u doktorua për filozofi dhe ka jetuar në Beograd që nga viti 1966 gjer më 1982. Edhe më vonë ka qëndruar shpesh në Beograd, kryesisht si bashkëpunëtor i Fondacionit Soros. Që nga viti 1993 zyra e Fondacionit në Prishtinë selinë e kishte në Beograd. Gjatë viteve 1990 u përfshi dhe në politikë. Një nga themeluesit e Partisë Social-Demokrate të Kosovës dhe kryetar i saj i parë në vitin 1991-1993. Ka mbajtur pozicione drejtuese në organizatat e shoqërisë civile si Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile (1995-2000) dhe Komiteti i Helsinkit i Kosovës (1990-1997). Ka botuar disa libra mbi artin dhe politikën në shqip, anglisht, italisht, spanjisht, dhe serbisht. Nga fillimi i viteve 1980, Maliqi ka qenë një kontribues i rregullt në mediet më të rëndësishme në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Jeton në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Ai tani kryeson “Gani Bobin”, Instituti për Studime Sociale.

SHKËLZEN MALIQI

“Sondazhi”, Basha fitues me 58.4 për qind

Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ‘fiton’ Tiranën, jo vetëm në bashkinë e madhe të kryeqytetit, por edhe 10 nga 11 njësi bashkiake, shkruante më 9 maj shtypi afër qeverisë. Sipas sondazhit të bërë publik nga Instituti “Gani Bobi” fitues në Tiranë, shpallej kandidati Lulzim Basha me 58.4 për qind të votave, përballë kandidatit kundërshtar Edi Rama me vetëm 39.8 për qind. Ndërkohë, Presidenti i Institutit Hulumtues “Gani Bobi”, Shkelzen Maliqi, theksoi se një pjesë e konsiderueshme e personave të anketuar nuk janë përgjigjur fare dhe ata kapin shifrën 30  për qind. Maliqi, sqaroi se ishte parashikuar që në këtë sondazh të pyeteshin 5.000 persona, por 30 për qind e tyre kanë refuzuar të përgjigjen. Ky fenomen, theksoi Maliqi, haset për herë të parë në këtë lloj anketim dhe pse anketuesit nga Prishina u prezantuan “si një ekip neutral”, tha Maliqi. Marzhi i gabimit 10 për qind.

Është për t’u nxjerrë në spikamë fakti që exit-polli i Shkelzen Maliqit, që studioi, u doktorua dhe jetoi për 16 vjet në Beograd, nuk ishte paralajmëruar. Ai u thirr çastin e fundit. Qarqet politike serbe janë të interesuara për përçarje ndërshqiptare, në mënyrë që të pengohet integrimi mbarëkombëtar.

Dokumente/ Fragmente nga dy studime të Radio Evropa e Lirë / Radio Liria

1. “Lufta e fjalëve” jugosllavo-shqiptare

15 shkurt 1982

Ajo që tani vërehet në marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi është një shkëmbim verbal zjarri që po ndodh përditë në mediet e dy vendeve fqinje. Akuzat dhe kundër-akuzat përsëriten pafundësisht deri në neveri. Po të lexohen gazetat jugosllave ose të dëgjohen radiostacionet jugosllave, udhëheqësit komunistë shqiptarë janë keqbërësit më të mëdhenj, dhe anasjelltas, po të lexohen gazetat shqiptare ose të dëgjohet Radio Tirana, nuk mund të mos arrihet në përfundimin se keqbërësit më të mëdhenj (të paktën në Ballkan) janë udhëheqësit jugosllavë.

Në fakt, të dy vendet – që janë rrënuar së tepërmi nga kontradikta të brendshme – kanë sulmuar njëri tjetrin jo për të fituar pikë në politikën e jashtme se sa për të bindur opinionin politik brenda vendit. Prandaj konflikti aktual jugosllav-shqiptar është shembull klasik se si një çështje kryesisht ndërkombëtare mund të përdoret për objektivë të brendshëm. Shqipëria është  një vend shumë i vogël për të ndërmarrë ndonjë agresion të drejtpërdrejtë kundër Jugosllavisë, ndërsa kjo e fundit, mund të thuhet, është gjiitashtu një vend tepër vulnerabël që të mendojë në një mënyrë ose tjetër të sulmojë Shqipërinë. Kështu që perspektiva se marrëdhënia aktuale armiqsore do të vazhdojë deri sa të muund të arrihet njëfarë kompromisi,  për të qenë mjaft realist, ka pak shanse.

Ndërkohë në të gjitha mediet jugosllave u botua një fjalim i Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Mehmet Maliqi. Në të ai tregon se ka vazhduar veprimtaria armiqësore e nacionalistëve shqiptarë. Maliqi tha se deri tani janë zbuluar 33 grupe ilegale armiqësore, ku janë përfshirë më shumë se 350 veta, ndërsa u dënuan me burg 280 veta dhe rreth 100 persona janë në paraburgim. Janë gjobitur ose dënuar me dënime të ulëta më se 800 demonstrues për veprimtari armiqësore. Maliqi tha se deri tani janë zbuluar më shumë se 90 për qind e të gjithë keqbërësve. Maliqi pastaj vazhdoi:

“Disa grupe ishin të organizuara në celula “treshe”, mbanin pseudonime, anëtarët e tyre paguanin edhe kuota anëtarësimi. Në disa raste janë përdorur toponime të Kosovës për emra falsë… Grupi më i madh ka vepruar me emrin “Grupi i Marksist-Leninistëve të Kosovës”. Kjo ishte një organizatë masive, e cila edhe kishte një “komitet” dhe lidhej me armiqtë e jashtëm… U zbuluan tetë “baza” klandestine të këtij grupi, me trembëdhjetë vendstrehime plot me materiale propagandistike nga Shqipëria… gjashtë pistoleta, dy pushkë, dhe dy radiomarrëse”. [NIN (Beograd), 7 Shkurt 1982]

2. Klima e sëmurë kosovare

16 shkurt 1982

Në mars mbushet një vit nga trazirat e përgjakshme në Kosovë, që tronditën Federatën Jugosllave, por, ndonëse situata në krahinë është dukshëm e mirë nën kontrollin e fortë të autoriteteve qendrore, klima social-politike në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës mbetet e pasigurt, dhe nuk ka shenja se së shpejti do të rivendoset njëfarë stabiliteti i vërtetë social-politik. Kjo përshtypje e zymtë mund të jenë përftuar dhe nga lajmet e medieve informative, vendore dhe ndërkombëtare, të cilat në një formë apo një tjetër merren përditë me dilemën kosovare.

Qoftë në formën e deklaratave apo artikujve në gazeta, është theksuar gjithmonë se kushtet në provincë po vazhdojnë të jenë “ndërlikuara, të vështira, të paqëndrueshme” dhe kështu me radhë. Dhe Prishtina ka qenë çuditërisht e sinqertë në qëndrimin e saj ndaj kompleksitetit, me të cilin krahinës i është dashur të përballet gjatë vitit të kaluar [1981]. Gjithsesi, pavarësisht nga ky qëndrim tejet i hapur krijohet përshtypja e qartë se opinionit publik nuk i është dhënë tabloja e plotë ose një shpjegim bindës për zhvillimet regresive me frymëzim nacionalist.

… Kohët e fundit, e përditshmja e Prishtinës “Rilindja” [3 shkurt 1982] i ka dhënë një faqe të plotë gazete pasqyrës rreth sigurisë së brendshme të krahinës, të paraqitur në kuvendin krahinor nga Mehmet Maliqi,  sekretar krahinor i punëve të brendshme. Një nga paragrafët kryesorë të raportit thekson se edhe pse “veprimtaria armiqësore” me frymëzim irredentist dhe nacionalist shqiptar është “e amullt”, situata mbetet “e ndërlikuar”. Raporti  i detajuar jep, megjithatë, një tablo edhe më të zymtë.

Situata aktuale e sigurisë në krahinë është e komplikuar. Megjithatë, kur flasim për veprimtarinë armiqësore si një të tërë, sidomos për veprimtarinë armiqësore që në Kosovë bëhet mbi bazën e nacionalizmit shqiptar dhe të irredentizmit, besojmë se të dhënat e bëjnë të qartë se ajo është në rritje. Në anën tjetër, disa të dhëna tregojnë se ajo dalëngadalë po fillon të rrijë amull, sidomos format dhe veprimet armiqësore. Indikacione të tjera specifike, për të cilat jemi informuar, flasin për ndërlikimet e gjendjes së sigurisë: demonstratat në Mitrovicë , ndeshja e volejbollit në Pejë, përleshjet në Pejë, dhe disa prova sulmesh ndaj pjesëtarëve të kombësive serbe dhe malazeze . Të gjitha ato shkaktojë tronditje dhe pakënaqësi te qytetarët, krijojnë një atmosferë pasigurie dhe përkeqësojnë drejtpërsëdrejti kushtet e sigurisë.

Lidhur me përdorimin e gjerë të parullave për të cilat aq shumë po flitet në shtyp sot, ai shpjegon se edhe pse nuk janë në rënie, numri i atyre që konsiderohen me frymëzim armiqësor janë në rënie. Një çështje tjetër të komplikuar që përmend Mehmet Maliqi është se demagogëve të turmave po u bashkohen shpesh grupe njerëzish, të mëdha apo të vogla, që reflektojnë prirjet e tyre politike, d.m.th., simpatizojnë kauzën e demonstruesve. Një rol të rëndësishëm në kushtet aktuale të paqëndrueshme të krahinës, vazhdon Maliqi, ka luajtur edhe propaganda me gojë, si për shembull, kur njerëzit përpiqen të përligjin demonstratat.

Për sa u përket të dhënave për forcat, që qëndronin prapa aktiviteteve “armiqësore” në vitin 1981, ai raporton se, ndër të tjera, mes studentëve të universitetit u zbuluan dy grupe që planifikuan dhe organizuan demonstratat, se të gjitha grupet u ndihmuan plotësisht me materiale propagandistike nga Shqipëria, se ata kishin qenë në kontakt me dhe nën ndikimin e shërbimit sekret shqiptar, se materiali propagandistik u shpërnda në masë tek të afërmit dhe miqtë në të gjithë krahinën, dhe se disa nga këta njerëz kanë, pasi u indoktrinuan, u rekrutuan për qëllime të paligjshme, se kanë paguar kuotizacione, kanë marrë pseudonime, e kështu me radhë. Sipas sekretarit të brendshëm, deri më tani janë identifikuar 350 veta pjesëtarë të këtyre grupeve për angazhim në veprimtari të paligjshme, që disa nga këto grupe kanë statutin, programin, literaturën e tyre propagandistike, por ka pasur edhe të tjera grupe të cilat nuk kanë qenë aq mirë të organizuara. “Grupi Marksist-Leninist i Kosovës” u zbulua vetëm kohët e fundit. Është pohuar se ky grup ishte “masiv”, kishte “komitetin” e vet, kontakte me jashtë, dhe aktiv në punën “armiqësore”. Anëtarëve të tij u janë gjetur 8 baza klandestine me 13 arka me materiale propagandistike, përfshirë edhe disa nga Shqipëria, 6 makina shkrimi, pajisje të tjera, 6 pistoleta, 2 pushkë, radiomarrëse, e kështu me radhë. Para kësaj organizate, u formuan dy grupe të tjera aktive në Ferizaj dhe Prishtinë, pozicionet e të cilave ishin identike me ato të të ashtuquajturës “Partia Marksiste-Leniniste Komuniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”, e cila gjithashtu ka qenë grup “masiv”. U pohua më tej se deri më tani u zbuluan gjithsej 33 grupe të tilla ilegale, të gjitha me emra të ndryshëm, por me platforma identike.

Në një informacion shtesë, Maliqi foli për praninë në Kosovë të propagandës serbo-malazeze, kryesisht gojore, por gjithashtu e shpërndarë me anën e parullave; se gjatë muajit janar, në krahinë u zbuluan 124 raste e parullave armiqësore; se nuk janë marrë masa penale ndaj fëmijëve të kapur për shpërndarje parullash, dhe se masat e pretenduara që po merren ndaj shqiptarëve lidhur me përdorimin e simboleve kombëtare, kufizimin e literaturës shqiptare, e kështu me radhë, çuan në pohimet se Kosova po trajtohet sot më keq se gjatë “kohës së Rankoviçit”, “dhe se kosovarët “nuk do ta tolerojnë më këtë gjë”.

Në përfundim, sekretari i brendshëm krahinor vuri në dukje se forcat e sigurisë janë përforcuar me personel dhe pajisje, por mbeten shumë probleme për t’u zgjidhur, ballafaquar me shërbimet shtesë që kërkohen për shkak të situatës së re të sigurisë në krahinë.

Mbase rastësisht ose jo, i njëjti numër i “Rilindjes” përmban një shkrim mbi dënimin e tre personave të kombësisë serbe për shkak se kishin shkuar në një protestë anti-shqiptare në maj 1981 (pas demonstratave). Ky grup, me në krye një oficer në rezervë të Ministrisë së Brendshme, rrahu dhe keqtrajtoi shumë njerëz në komunën e Podujevës. Artikulli i “Rilindjes” thekson se vetëm shfaqja rastësisht e patrullës së policisë së trafikut ia arriti të qetësojë turmën e eksituar që u mblodh dhe të rivendoste rendin. Të tre morën dënime nga tre vjet e gjysmë, një vit dhe tetë muaj.

Siguria e brendshme në Kosovë mund të jetë kthyer në këtë apo atë formë normaliteti, sikurse duket që pretendon Sekretari krahinor i Punëve të Brendshme Mehmet Maliqi, dhe përkujtimi i përvjetorit të parë të demonstratave mund, ose jo, të kalojë pa kurrfarë trazirash të mëdha. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për klimën e social-politike (dhe ekonomike), që prirej të përkeqësohej në vend të përmirësohej gjatë vitit të kaluar.

Deputeti Nait Hasani padit dhe Maliqin

Edhe Mehmet Maliqi, i ati i presidentit të institutit “Gani Bobi”, Shkelzen Maliqi, paditet në prill 2010 për gjenocid ndaj bashkëkombasve në Masakrën e Tivarit. Me sa duket, Maliqi (Biri) ka pranuar të bëhet “mashë” e PD-së me kushtin që Kuvendi i Shqipërisë të mos hetojë për Masakrën e Tivarit, ku Maliqi (Ati) ka pjesën e vet. Fakti që as Kuvendi i Kosovës nuk dëshiron të hetojë, automatikisht, edhe ai i Shqipërisë, detyrohet të bëjë një hap prapa. Nisma e deputetit të PDK-së, Nait Hasani, nuk është pritur me entuziazëm nga Kuvendi i Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se çështja e ngritur nga deputeti Hasani është personale dhe nuk reflekton qëndrimin as të legjislativit, por as të Partisë Demokratike të Kosovës: “Qëndrimi im, si kryetar i Kuvendit, është se kemi obligim që të mos merremi me histori, por të bëjmë ligje për të tashmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës”. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, nëpërmjet një autorizimi drejtuar avokatit Bajram Krasniqi, ka ngritur kallëzim penal pranë Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë dhe Prokurorisë Publike të Qarkut të EULEX-it, kundër një numri funksionarësh dhe drejtuesish të lartë shtetërorë dhe politik shqiptarë, që gjatë kohës së monizmit kishin ushtruar funksione të rëndësishme në kuadër të politikës dhe shtetit jugosllav.

Kallëzimi penal, në përgjithësi, i ngarkon ata me veprën penale të krimeve kundër njerëzimit. Mes të tjerëve, deputeti Nait Hasani, ish- i burgosur politik, ka paditur Sinan Hasanin, Ali Shukriun, Ymer Pulajn, Xhavit Nimanin, Xhevdet Hamzën dhe Mehmet Maliqi-Cikulin për veprat penale krime kundër njerëzimit të përcaktuara me nenin 117 të KPK-së paragrafi 1, pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10 dhe paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, si dhe vepra penale të gjenocidit të përcaktuara me nenin 116 të KPK-së, pikat 1, 2 , 3, 4, 5. Ata “janë fajtorë për mobilizimin e dhunshëm dhe vrasjen e 4.300-5.000 shqiptarëve më 31 mars 1945 në Mal të Zi, që tanimë njihet si Masakra e Tivarit”.

“Duhet të ketë së paku një dënim moral për ta dhe veprat që kanë bërë”, thotë Hasani, duke mos harruar edhe të tillë që ende janë në pushtet. “Ata që janë sot në pozita e në pushtet, duhet të deklarohen për krimet e bëra dhe të japin dorëheqje morale”, konkludon ai.

Për të ushtruar këtë kallëzim penal, deputeti Nait Hasani ka angazhuar avokatin Bajram Krasniqi. Avokati nuk pranon se kjo është bërë sa për zhurmë mediale.  “Ata duhet të japin përgjegjësi. Krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë”, thotë avokat Krasniqi. Për këtë, ai përmend konventat ndërkombëtare. “Sa për ata që nuk janë gjallë, ata mund të dënohen për ato që kanë bërë. Ky do të ishte satisfaksion për ata që kanë vuajtur”, thotë avokat Krasniqi.

Faktet të cilat janë përfshirë në kallëzimin penale janë të ndryshme. Ato fillojnë që nga dëshmitë e botuara të atyre që i kanë mbijetuar masakrës së Tivarit në vitin 1945, e deri të librat hulumtues të botuar vite më vonë. Akuzat me të cilat këta persona ngarkohen, janë të ndryshme dhe fillojnë që nga viti 1945, shpërnguljet në Turqi, demonstratat e ndryshme e deri te bashkëpunimi i tyre në vitet ‘90 me ish-regjimin serb.

Dosjet dhe biri i ish-kryepolicit të Kosovës

Në debatin për dosjet është përfshirë edhe Shkëlzen Maliqi, i biri i Mehmet Maliqit, njeriut që ka qenë Sekretar i Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, që i bie ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në kuadër të të cilës binte edhe Drejtoria për Siguri Shtetërore si degë e UDB-së. Mund të imagjinohet në Tiranë një djalë të ndonjë ish-ministri të Ministrisë së Punëve të Brendshme në kohën e regjimit komunist të përfshirë në debatin për dosje?

Në janar 2011, Rexhep Kastrati, në shkrimin me titull “Dosjet e Kosovës, si tautologji politike, mashtrim e kurth”, shkruan ndër të tjera:

“Do të dalë dikush t’u thotë se ju zotërinj jeni me dosje? Po nëse këta janë me dosje, çfarë do të na dilte “dosja” e madhe e luftës në Kosovë?… Në të vërtetë, kush janë këta që e nxitën këtë debat? Nga ajo që unë kam përcjellë në lidhje më këtë debat, del se fëmijë të funksionarëve të niveleve të ndryshme kanë nxitur dhe janë përfshirë në këtë debat. Dhe kur them këtë kam parasysh Baton Haxhiun, të birin e Fazli Haxhiut, një nëpunës në administratën komunale të Prishtinës, dhe i cili, sipas Batonit, na paska qenë i burgosur i regjimit. Dhe kur e kam lexuar këtë më herët, kam pyetur veten: Si është e mundur që të shtrembërohet kaq shumë e vërteta? Ose pse Baton Haxhiu nuk ka treguar se nga cila datë e deri në cilën datë, babai i tij paska qenë në burg, në cilin burg ka qenë, cila ka qenë akuza që i është ngarkuar atij? Një tjetër personazh që është përfshirë në këtë debat, është edhe Shkëlzen Maliqi, i biri i Mehmet Maliqit, njeriut që ka qenë Sekretar i Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, që i bie ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në kuadër të të cilës binte edhe Drejtoria për Siguri Shtetërore si degë e UDB-së. Mund të imagjinohet në Tiranë një djalë të ndonjë ish-ministri të Ministrisë së Punëve të Brendshme në kohën e regjimit komunist të përfshirë në debatin për dosje? Në anën tjetër shumë aktiv në skenën politike dhe shoqërore e kemi edhe djalin e ish-ambasadorit të Jugosllavisë, Rexhai Surroi… Dhe nuk janë vetëm këto, por edhe mund dhe duhet të shtrohet çështja e tillë: a ka dosje komprometuese për Baton Haxhiun vetë, apo për Shkëlzen Maliqin, apo për Veton Surroin dhe për të këtillët? Si mund të kuptohet regjistrimi i gazetës “Koha ditore” në Ministrinë e Informatave të Serbisë në kohën kur Kosova kishte shpallë pavarësinë dhe kur asnjë partii politike shqiptare e kohës nuk kishte pranuar të regjistrohej në Beograd? Atëherë pse pikërisht Baton Haxhiu apo të ngjashëm si ai, të kërkojnë sot hapjen e dosjeve? A mos kanë marrë garanci nga Beogradi se dosjet e tyre mund të jenë pastruar?”

Konsekuent kundër UÇK-së

Foto-print nga videoja: Shkëlzen Maliqi (i pari majtas), në vitin 1998, vetëm disa muaj para ndërhyrjes së NATO-s, me cilësinë e drejtorit të Fondacionit Soros, kishte tubuar disa gazetarë e intelektualë. Shkëlzen Maliqi, mes tjerash, tha: “Nuk ka moment më të pavolitshëm se ky në histori se me e nis tash luftën me Serbinë”.  Shih linkun: http://www.youtube.com/watch?v=XpZlRYDXVko&feature=player_embedded

Në vitin 1998, vetëm disa muaj para ndërhyrjes së NATO-s, me cilësinë e drejtorit të Fondacionit Soros, kishte tubuar disa gazetarë e intelektualë. Shkëlzen Maliqi, mes tjerash, tha: “Nuk ka moment më të pavolitshëm se ky në histori se me e nis tash luftën me Serbinë”.

Kurse, më 28 mars 2011, një muaj para sondazhit të porositur nga TV Klan për zgjedhjet vendore në Tiranë dhe 30 vjet pas demonstratave të studentëve të Prishtinës, Shkëlzen Maliqi (atëherë prej 16 vjetësh me studime dhe punë në Beograd), shkruante: “Nëse, p.sh., ndëshkohen Ramush Haradinaj ose Fatmir Limaj, që janë komandantët më të spikatur të UÇK-së dhe që po ndiqen si të dyshuar për krime lufte, kjo nuk do të thotë se me këtë do të ndëshkohet edhe vetë UÇK-ja dhe se kjo çon në revidimin radikal të historisë. Ndëshkimet eventuale të Haradinajt, Limajt dhe të tjerëve që akuzohen, do të jenë një tagër që ata e paguajnë për idetë dhe praktikat parademokratike që i kanë pasur për luftën në ato rrethana të vështira të rebelimit dhe rrezikut permanent, gjatë viteve të konfliktit 1998-1999.
Njëfarëdore, pozitën e komandantëve të UÇK-së që po gjykohen e shoh si një ndeshje të dy koncepteve të luftës dhe të drejtësisë – njëra tradicionale dhe paramoderne e rebelit dhe kaçakut që është trim i pashoq, por luftën e sheh si suspendim të ligjeve ku ai vetë e merr rolin e arbitrit, që vendos mbi jetën dhe vdekjen e armikut dhe atyre për të cilët dyshon se janë bashkëpunëtorë të tij dhe tjetra moderne, që për luftën ka vendosur konventa dhe rregulla, sipas të cilave betejat e ushtrive konsiderohen të paevitueshme, por ndalohen ekzekutimet dhe trajtimet çnjerëzore të ushtarëve të zënë rob dhe të civilëve të paarmatosur.
Sipas pikëpamjes së parë dhe meritave, ata janë padyshim heronj. Por, pikëpamja e dytë thotë “na falni, trima, por ky është shekulli XXI dhe edhe në Kosovë sot duhet të sundojë ligji””.

 
Leave a comment

Posted by on August 29, 2013 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: