RSS

Fshati Martinajt në luftë me pushtetin Malazias

03 Feb

 

 

 

1379510_639697976082368_1406538702_n

Shkruan:  Ali Cenaj

Martinajt, fshatit piktoresk buzë liqenit të Plavës, nuk po i ndahet zullumi.

Ka vite që banorët e këtij fshati me rreth 70 shtëpi mbahen në gjendje tensioni, në pritje të konfrontimit të radhës me forcat policore, nga të cilat shumë nga meshkujt e këtij fshati të rebeluar janë prangosur, maltretuar, arrestuar e dënuar, sa tashmë nuk i numërojnë as vetë.

Kisha dhe kokardat çetnike

E keqja këtu ka nisur shumë kohë më parë, në atë në vitet 1933 deri me 1935 kur, pas masakrave e torturave të regjimentit ushtarak, në mes të fshatit, në pronë të shqiptarit Omer Çuka, -Prelvukaj, kolonët kishin nisur një kishë që nuk u përfundua kurrë, por që la shumë sherre prapa.

Në vitin 1942 vendasit e rrënuan deri në themele dhe prej atëherë ashtu ka mbetur derisa në vitin 2002 e këndej kur u lajmëruan prapë njerëz të panjohur me kokarda e këngë çetnikësh që tashmë kishin “rregulluar” edhe tapinë mbi tokën dhe në emër të Këshillit Kishtar Serb të Luginës së Limit sollën materialet e makinerinë për të ringritur kishën.

Fshatarët reaguan dhe këta tre vitet e fundit janë konfrontuar disa herë me ta dhe policinë që i mbronte, deri më 25 maj të vitit të kaluar, kur u arrestuan dhe u dënuan 23 fshatarë, në krye me Naim Prelvukaj, një nga organizatorët e rezistencës në këtë fshat.

Si të mos mjaftonte kjo mbi fshatin e rebeluar tash rëndon edhe një problem tjetër. Deponia e mbeturinave që Komuna ua solli mu aty mbi fshat, në lokalitetin arkeologjik të Kodrës së Jerinjës, në kundërshtim me vullnetin e fshatarëve, të cilët as që i pyeti kush. Madje kjo tash duket më e ndërlikuar sepse përballë nuk kanë më çetnikët me kokarda, por organet komunale dhe disa zyrtarë të saj që, siç thonë fshatarët, për interesa personale, punët i kanë ngatërruar deri armiqësi mes vetë shqiptarëve.

Fshatarët në krye me Këshillin kundër Deponisë, me çdo kusht kundërshtojnë që mbeturinat të hidhen aty afër shtëpive dhe se kjo që rrezikon burimet e ujit, jetën e shëndetin e tyre. Sipas tyre, vendimi është marrë me hile, joligjërisht pasi këshilltarëve të Kuvendit Komunal u ishte prezantuar lokacioni tjetër në KO Dosugje 2, një kilometër më larg, por gjoja se ishte bërë një gabim kryetari me dekret e ka ndryshuar dhe mbeturinat i ka sjell në KO Martinaj 1, mbi shtëpitë e fshatit. Ata tashmë kanë paditur komunën dhe kryetarin, Organ Shahmanoviq, në Gjykatën Kushtetuese.

Tahiri: Janë të manipuluar

Vetë kryetari i Komunës, Shahmanoviq, thotë të kundërtën. Ai mohon paligjshmërinë e vendimit dhe madje fajëson fshatarët që protestojë pasi deponia edhe ashtu është e përkohshme, deri në vitin 2016.

“Ata njerëz dezinformojnë, flasin gjoja për armiq të shqiptarëve. Ky është politikanizëm dhe fatkeqësisht qëllim ka rrëzimin e pushtetit lokal në Plavë”, thotë ai duke e bartur problemin te politika. Njësoj shprehet edhe Tahir Gjonbalaj, zyrtari komunal i Urbanizmit, i cili për “Këshillin e bërllokut” ka një animozitet të theksuar.

“Ata janë të manipuluar, duan ta rrëzojnë pushtetin lokal dhe të sjellin DPS-in”, thotë Gjonbalaj të cilin pala tjetër e fajëson se ai me vëllain e vetë Mehmetin, gjithashtu zyrtar komunal, është i përshirë dhe se ka marrë 50 mijë euro pasi kompania e tij kishte ndërtuar rrugën deri në deponi. Edhe vendimi i komunës, sipas tij, është legal. Në kuvend, nga 28 këshilltarët e pranishëm 27 kanë qenë për dhe kundër vetëm këshilltari i Forcës. Sipas tij, deponia është realizuar me vendimin komunal që është votuar nga 28 këshilltarë nga 32 sa janë gjithsej.

“Ngastra ka qenë e njëjtë, numri i parcelës i njëjtë. Emërtimi ka dalë pasi Banka Botërore ka sjellë ekspertë në bazë të hartave topografike që i kanë marrë nga ushtria. Për këtë ka lëvizur kufiri edhe emërtimi. Martinaj dhe të gjithë shqiptarët e kanë ditur se lokacioni është aty. Iniciativën kundër vendimit të komunës e ka bërë Skender Hasangjekaj, bajraktar i Martinajve por askush nuk ka reaguar”, thotë Tahiri, duke shtuar se “është përfolur shumë emri i drejtorit të komunalive, vëllai im, por më shumë jam akuzuar unë që jam në Urbanizëm se sa të tjerët” .

Sipas tij, vendimi është legjitim dhe sipas institucioneve përkatëse deponia i plotëson të gjitha kushtet sipas standardeve dhe nuk i bën dëm askujt.

Naimi: Kryetari e Tahiri gënjejnë!

“E vërteta është se kryetari dhe Tahiri ju gënjejnë”, thotë i apostrofuari, Naim Prelvukaj. Në shtator të 2012-s është hapur rruga, pa u marrë vendimi. Asgjë nuk ka respektuar. Të gjitha dokumentacionet i ka bërë në dhjetor të vitit 2013, një vit më vonë.

Madje vetë sekretari i Kuvendit Komunal, Enver Dedushaj, i cili një ditë më parë kishte një bisedë me kryetarin dhe me Këshillin e fshatit Martinaj, është i bindur se këtu është bërë një gabim.

“Vendimin e dytë, për ndryshimin e parcelës ku do të ndërtohet deponia, është dashur të kalojë përmes Kuvendit Komunal. Vetëm kështu është dashur të bëhej plotësimi i vendimit të seancës së mëparshme”, thotë Dedushaj. Sipas tij, kanë gjetur një procedurë më të shkurtë, e kanë përmirësuar me arsyetimin se gjoja ishte vetëm një gabim teknik.

Me ligj është dashur që ai ndryshim të kalojë nëpër Kuvendin Komunal, përkatësisht është dashur të votohej sërish, por kjo nuk është bërë.

“Ligji e lejon që gabimi teknik të shpallet në Gazetën Zyrtare por këtu nuk ka të bëjë me gabim teknik. Me faktin se në propozimin-vendimin për deponinë u thuhet këshilltarëve se ngastra ku do të vendoset deponia është në ngastrën me numrin që gjendet në fshatin Dosugje e pastaj e vendos në vendin tjetër, këshilltarët janë nën në lajthitje. I ke shti të votojnë diçka tjetër e ke vepruar krejtësisht ndryshe. Kanë bërë gabime teknike lidhur me parcelën. E kanë ndryshuar ngastrën dhe si i tillë është i paligjshëm. Boll mirë e kanë ditur, por me qëllim e kanë bërë. Ua kem tërheq vërejtjen se ky është veprimi paligjshëm. U kam treguar edhe këtyre të Këshillit të fshatit kundër deponisë se ky veprim është i paligjshëm dhe është e nevojshme të iniciohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së veprimit që e ka bërë kryetari i Kuvendit. I janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, por ende nuk kanë dhënë përgjigje dhe kjo mund të vonojë sepse gjykata ka afat një vit e gjysmë që të përgjigjet. Gabimi teknik nuk nënkupton që të ndryshohet thelbi i çështjes, ndryshon lokacionin, vendin e fshatin”, thotë ai.

1379305_10151919411714146_1945319934_n

Pushteti kundër

Ai bashkë me kryetarin e degën e UDSH-së, Fadil Ulaj, kanë dalë haptas se këtë lokacion në Martinaj e kundërshtojnë. Është afër vendbanimeve dhe një vendim i tillë nuk mund të merret pa mendimin e banorëve të fshatit.

“Jo vetëm atë ditë, por gjithmonë jemi deklaruar kundër. Jam deklaruar me gojë dhe nuk kam ndenjur fare në votim. Madje u kam thënë se i bashkëngjitëm zërit të pakënaqësisë së fshatit Martinaj. Ai ka bindjen se jo vetëm që shkakton ndotje, por aty janë edhe burimet e ujit. Jemi përfaqësues i popullit dhe ku shkelen të drejtat e shqiptarëve ne jemi të obliguar t’i mbrojmë. Edhe rasti i deponisë, edhe rasti i Parkut Nacional që u shpall e që 70 – 80 për qind shtrihet në prona të shqiptarëve.

Naimi, kryetari i Këshillit që u prin protestave të fshatarëve të Martinajve, thotë atyre tashmë u janë bashkangjitur edhe dy fshatrat fqinje të rrezikuar nga kjo deponi, Zagrajë dhe Dosugja të cilat kanë nga një përfaqësues të vetin, një malazez e tjetri boshnjak.

“Ka pakënaqësi të madhe. Kanë filluar ndërtimet e dhunshme me dokumentacione të rreme. U jemi drejtuar të gjitha nivel, që nga ai lokal deri te ai qendror. Asgjë nuk ka pi ujë. Pushteti ka qenë i vendosur në njërën anë dhe ka hedhë poshtë çdo qëndrim tonin andaj kemi kaluar në protesta qytetare, si e drejtë e jona. Çdo ditë kemi pas protestë. Protestë paqësore që janë thyer me intervenim të njësiteve speciale të policisë malaziase. Madje edhe me elektroshokë, mjete të ndaluara edhe me konventa ndërkombëtare. Ata e mohojnë këtë por janë incizimet që flasin vetë”, thotë Naimi, “Robin Hudi”, tashmë me përvojë në përleshje të tilla.

“Nuk është hera e parë që kryetari gënjen”, thotë Zeqir Hasangjekaj, njëri nga fshatarët tashmë të armiqësuar me Komunën që ua ka sjellë deponinë aty. Ai është i hidhëruar edhe në Ndërmarrjen Komunale, përkatësisht drejtorin Mehmet Gjonbalaj, ka bërë gjashtë padi ndaj fshatarëve që kanë dalë në rrugë, duke mos lejuar që mbeturinat të zbrazen pranë shtëpive të tyre.

Lëndët janë, por dënimet ende nuk kanë arritur

Naimi, ai që u prin protestave në fshatin e rebeluar, tashmë vetëm për këtë rast është dënuar dy herë, me nga 350 euro. Gjithsej ndaj tij dhe të tjerëve janë shumë padi. Herën e parë kundër gjashtë fshatarëve. Herën e dytë kundër 13 fshatarëve. Herën e tretë kundër 23 vetave. Vetë Naimi i ka pesë a gjashtë, dhe pret edhe të tjera. Sepse, thotë ai, as që e ka ndër mend të zmbrapset.

 
Leave a comment

Posted by on February 3, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: