RSS

Hashim Thaçi – lideri i synimeve strategjike të Kosovës

27 Feb

ISMAIL SYLA E enjte, 27 Shkurt 2014 16:39 

​Asnjë proces politik dhe asnjë ngjarje e rëndësishme në Kosovë nuk mund të kuptohet pa qëndrimin, vendimmarrjen dhe politik-bërjen e Partisë Demokratike të Kosovës. Ky element i gjithë pranisë së PDK-së në skenën politike i ka rrënjët tek përbërësi i saj i bazës dhe lidershipit që kanë shtrirje të thellë, me histori, siç thuhet, në kohë dhe hapësirë.

Dy momentet më të rëndësishme dhe kulmore të PDK-së kanë të bëjnë me dy ngjarje në harkun kohor prej 8 vitesh. Është periudha shkurt – mars 1999, që rrumbullakohet më Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë dhe fitorja PDK- së në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 nëntorit 2007.

Konferenca e Rambujesë ka prodhuar lidershipin politik dhe ushtarak të Kosovës në fund të shekullit që shkoi. Për herë të parë, pas gjithë përpjekjeve të pareshtura për ta ngritur zërin për të drejtën e çështjes së Kosovës dhe përpjekjet e saj për liri, në një tryezë diplomatike ndërkombëtare Kosova përfaqësohet si palë e tryezës.

Në këtë Konferencë artikulimi i fundit i zërit politik ishte ai që doli përmes pjesës së delegacionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht përmes kryesuesit të tërë delegacionit, liderit politik të gueriles, Hashim Thaçi. Nga secili kënd i shikimit që të merret, vetë akti i kryesimit të delegacionit ka domethënie sintetizuese, simbolizuese dhe përfaqësuese për rolin dhe ndikimin e formacioneve politike, ideve dhe rrjedhave vendimtare të çlirimit të Kosovës.

Pa nënvleftësuar asnjë periudhë historike, asnjë organizim politik që ka pasur në esencë kundërshtimin e sundimit serb të Kosovës, përkundrazi, të gjitha duke i marrë parasysh si trashje të historisë së krijimit të vetëdijes për liri dhe pavarësi, kryesimi i delegacionit të Rambujesë tregon më së miri se forca e cila i rri në ballë idesë së lirisë ishte ajo që përfaqësonte vizionin politik dhe ushtarak, pra ishte UÇK-ja.

Rambujeja është produkti më i lartë politik dhe diplomatik i Kosovës ende të robëruar, madje të hyrë në vitin e dytë të një lufte të pabarabartë me një shtet të huaj, okupues, i cili nuk përjashtoi asnjë mjet dhe asnjë formë të shtypjes dhe shkatërrimit, vrasjes, gjenocidit dhe dëbimit të popullatës shqiptare nga Kosova.

Duke qenë kryesues i delegacionit të Rambujesë, Hashim Thaçi vetvetiu u ngrit në rangun e liderit nacional që në daljen e parë publike. Ky moment është i rëndësishëm dhe me domethënie të shumëfishtë. Në radhë të parë, lëvizja politike – ushtarake e kundërshtimit të sundimit serb të Kosovës u ngrit në pikën më të lartë politike, organizative dhe të përfaqësimit.

Vetë përbërja e delegacionit ishte reprezentuese e forcave që kishin dhënë kontribut të caktuar në formësimin e rezistencës kundër sundimit të Serbisë, me profilizime të ndryshme, me ngjashmëri apo dallime të caktuara. Aty ishin së bashku trashëgimia më e mirë politike e autonomisë së Kosovës (Fehmi Agani), lideri i politikës së rezistencës paqësore, i përqafuar gjerësisht nga masat (Ibrahim Rugova), i plotësuar me frymën iluministe albanologjike të të arriturave pas 1968-ës (Idriz Ajeti) etj.

Po ashtu, aty ishin të pranishëm ish të burgosurit politikë, të cilët janë meritorë për periudha afatgjata të krijimit dhe frymëzimit të vetëdijes politike të kundërshtimit të sundimit serb të Kosovës, me koncepte të qarta politike (Bajram Kosumi), apo që kishin dhënë kontribut evident në takimet me diplomatët perëndimorë që vinin në Prishtinë, në mbështetje politike të UÇK-së, si forcë jo vetëm relevante por edhe vendimtare në vitet 1998-1999 (Mehmet Hajrizi).

Përfundimi i luftës në Kosovë gjeti përballë njëra tjetrës dy forca politike, që përfaqësoheshim nga dy liderët themelorë: Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.

Ishin shumë pështjellime, veprime kaotike dhe keqkuptime që shoqëruan realitetin politik të pasluftës, ku krijimi i imazhit për të mirë ose për të keq, më shumë se sa racionalitet, ishte një art më vete. Por mbi të gjitha Kosova i shpëtoi anarkisë dhe rënies në pozita ekstremiste.

Një moment promovues i vlerave të reja politike të Kosovës së pasluftës që vlen të vihet në pah është mbajtja dhe rezultati i zgjedhjeve të para lokale të vitit 2000. Pavarësisht pritjeve, rezultatet ishin ato që ishin. Lidhja Demokratike e Kosovës doli forca e parë politike në shumicën dërrmuese të komunave të Kosovës. Pa hyrë në kontekstin e mundësive teknike të keqpërdorimeve të komisionarëve dhe vëzhguesve të LDK-së, të cilët mund të kenë qenë më të organizuar, pas shpalljes së rezultatit, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pranoi rezultatin zgjedhor.

Ky pranim i rezultatit zgjedhor është moment i rëndësishëm, sepse për herë të parë u mbajtën zgjedhje të lira në historinë politike të Kosovës. Ashtu siç ndodhin fenomenet për herë të parë, ashtu edhe kultura e sjelljes përballë tyre ndodh për herë të parë. Kosova krijoi kulturën e njohjes dhe pranimit të rezultatit zgjedhor.

Derisa më lart u vlerësua rëndësia e promovimit të kulturës politike dhe akti i pranimit të rezultatit zgjedhor si shenjë e emancipimit politik të një subjekti, që si pasojë e emancipon krejt skenën politike, autori i këtij shkrimi është dëshmitar i momentit të pranimit të rezultatit zgjedhor të tetorit 2000. Fenomeni i pranimit të rezultatit zgjedhor ta kujton motivin biblik të mollës së Adamit.

I gjendur përballë zhvillimeve politike, mund të thuhet se kemi së paku tri përbirje të mollës së Adamit nga lideri i PDK-së, Hashim Thaçi. Akti biblik i solidarizimit të Adamit me Evën qëndron në madhështinë e Adamit, që me gjysmëfajin e tij i bashkohet Evës fajeplotë. Nëse Eva mishëron mëkatin e plotë, që ka ngrënë mollën të plotë, Adami, me mollën e ngrënë përgjysmë sikur ka mundësinë që në zgjedhjen midis Parajsës dhe Tokës, ta zgjedh Parajsën, i vetmuar. Po ai pajtohet me mundimet e Tokës. Ai e përpin mollën të tërë, por anatomikisht, sot tërë burrat në fyt e kanë “mollën e Adamit”.

Në ditën e pranimit të rezultatit zgjedhor në PDK ka pasur analiza, mendime, shifra, të dhëna dhe komente nga më të ndryshmet. Ka pasur edhe propozime për mosnjohje të realitetit për shkak të këtij a atij keqpërdorimi. Por, në sallën e atëhershme të zymtë, të dekoruar me dërrasa ngjyrë kafeje të Odës Ekonomike të Kosovës, para gazetarëve të shumtë, para kamerave, para zyrtarëve të pranishëm të PDK-së, pavarësisht të gjithave, duke e përbirë mollën e Adamit, Hashim Thaçi pranoi rezultatin zgjedhor dhe fitoren e LDK-së.

Ishin zgjedhjet lokale 2000, që krijuan momentin që nga skena politike të tërhiqet akademik Rexhep Qosja, njëri nga intelektualët më të mëdhenj të Kosovës. Intelektuali më i lartë që kishte mbështet pa rezervë konceptin politik të UÇK-së me tërheqjen nga skena politike dha mesazhin e qartë se mendjet sa më të kultivuara që të jenë dinë të përçojnë porosi të duhura në kohën e duhur.

Dështimi në zgjedhje bëri që të tërhiqet nga politika. Partia Demokratike e Kosovës edhe në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001 përsëriti po të njëjtin rezultat. Duke qenë Kosova një vend i lirë dhe i një demokracie të re, pas zgjedhjeve dominoi formula e krijimit të qeverisë sipas sistemit proporcional. Bazuar në rrethana të veprimit të dy forcave më të mëdha rivale politike, brenda egos së liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova, ishte i patolerueshëm fakti që lideri i UÇK-së, kryesuesi i delegacionit të Rambujesë, kryetari i PDK-së të zgjidhet kryeministër i Kosovës.

Si rezultat, kryeministër i Kosovës, u emërua Bajram Rexhepi, një mjek i respektuar, pjesëmarrës i UÇK-së. Në njërën nga ditët fillestare të punës së tij si kryeministër i Kosovës, Bajram Rexhepi së bashku me kryetarin e PDK-së,Hashim Thaçi, vizituan kompleksin e varrezave të Jasharëve në Prekaz. Pas homazheve përballë varreve të Shaban, Adem e Hamëz Jasharit, më t’u kthyer mbrapa, ishin kameramanët dhe gazetarët aty pranë. Gazetarët, për dallim nga herat tjera, për herë të parë mikrofonat i drejtuan së pari nga kryeministri Bajram Rexhepi.

Ngjashëm me tetorin e vitit 2000, Hashim Thaçi përbiu mollën e Adamit. U solidarizua me “botën tokësore”, duke pranuar që nga PDK-ja të jetë kryeministër jo domosdoshmërisht lideri, por edhe një figurë tjetër partiake. Në periudhën 2001 deri në 2004 Hashim Thaçi përballoi me sukses pjesëmarrjen e PDK-së në qeveri, duke ruajtur forcën politike të partisë, duke kërkuar çelësin e fitores dhe duke ruajtur profilin opozitar të PDK-së. Për asnjë moment kualitetin dhe figurën qendrore të liderit të PDK-së nuk e eklipsoi figura e kryeministrit Rexhepi.

Ndërkaq, pas zgjedhjeve të viti 2004, PDK doli në opozitë. Kjo mund ë thuhet se është përbirja tretë e Hashim Thaçit. Krijimi i koalicionit LDK-AAK, bëri që lideri i AAK-së Ramush Haradinaj të ndahet nga koncepti i bashkëqeverisjes proporcionale, gjë të cilën në atë kohë nuk do ta bënte për asnjë çmim lideri Thaçi në kurriz të liderit të AAK-së.

Për hir të interesave afatgjata dhe strategjike të Kosovës, lideri i PDK-së Hashim Thaçi, përballoi edhe më me sukses pozicionin opozitar. Kjo cilësi i përballimit të zhvillimeve afatgjata, është cilësi e liderëve apo profileve politike që në politikë hyjnë seriozisht, të matur, që nuk bëjnë gabime serike, që janë insistues, të qëndrueshëm dhe të palodhshëm në situata të përditshmërisë, ose edhe të zhvillimeve të pazakonta.

Qëndrimi i Hashim Thaçit ndaj procesit negociator të Vjenës është po ashtu edhe një përbirje e katërt e “mollës së Adamit”. Në periudhën 2004 deri më 2007, lideri i PDK-së mprehu dy “vegla” softuerike të rëndësishme. Si lider i opozitës luajti rol konstruktiv në mbështetje të procesit që përgatiti dokumentin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke marrë pjesë në negociatat e Vjenës, duke ulur diskursin agresiv të opozitarit, përballë një qeverisjeje tepër të brishtë dhe pa imunitet politik. Nga ana tjetër, brenda PDK-së ngriti “softuerin” e fitores së zgjedhjeve të vitit 2007.

Për liderin e PDK-së, shpërthimi më i madh i dytë pas Konferencës së Rambujesë, ndodhi më 17 nëntor 2007, që kulmoi më fitoren e PDK-së në zgjedhjet nacionale dhe ato lokale. Para se të ndodh kjo fitore, në fakt ka ndodhur krijimi i mekanizmit të brendshëm softuerik të fitores së PDK-së. Ofrimi i alternativës dhe projekteve konkrete ishte baza e fitores së PDK-së dhe jo kritika dhe demaskimi i pozitës. Filozofia e hapjes dhe prurjeve të reja dha rezultate të duhura. Sa për disa mendje dogmatike dhe të vetëmjaftueshme PDK-ja nuk do të hapej asnjëherë, por edhe do të mbetej përherë në opozitë. Zgjedhjet e 17 nëntorit kanë bërë që PDK-ja më në fund ta heq petkun e një partie opozitare të vazhdueshme. Fitorja në 18 komuna të mëdha, në qytetin e

Prizrenit, Ferizaj, Gjilanit dhe të Mitrovicës ishin fitore kuptimplota. PDK-ja fitoi bindshëm edhe në nivel të zgjedhjeve parlamentare, duke qenë forcë që me të drejtë kushtetuese të formojë qeveri.

Për anëtarësinë dhe për strukturat e PDK-së si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal kjo fitore kishte rëndësi të madhe filozofike, politike dhe morale. Më në fund kjo parti edhe ashtu me shtrirje të mirë në tërë vendin, pa kalkulime matematikore, pa manovrime taktike erdhi në skenë në mënyrë tepër të rregullt, legjitime dhe në mënyrë legale.

PDK-ja në vetvete përmban shtresat e veprimtarëve më të përkushtuar për çështjen e Kosovës, njerëz të LPK-së, ish të burgosur politikë, komandantë të shquar të UÇK-së, njerëz që kishin dhënë kontribut në ilegalitet, në qëndresën gjatë burgosjes, në themelimin, organizimin dhe fuqizimin e UÇK-së. PDK- ja përmban brezin e intelektualëve të rinj të rreshtuar në lëvizje studentore, intelektualë të nivelit akademik universitarë, përkrahës që ishin ose kishin kaluar nëpër organizatat joqeveritare, të shoqërisë civile, të medieve etj.

Duke qenë parti fituese, PDK-ja bëri koalicionin më të fuqishëm të mundshëm, me LDK-në, duke i ofruar Kosovës një skenë politike tepër stabile. Për këtë mjafton të rikujtohet debati në Kuvendin e Kosovës, ku vetëm ministrat e koalicionit “e mposhtnin” opozitën, pa ndihmën e grupeve parlamentare.

Menjëherë, pas konstituimit të qeverisë dhe kuvendit nuk vonoi as akti më i lartë politik dhe legjislativ i shpalljes së pavarësisë. Ishte krejt normale që këtë akt ta bëjë lideri i forcës më të madhe politike, lideri i fitores së zgjedhjeve 2007, Hashim Thaçi. Pa aktin e 17 nëntorit 2007, nuk do të ndodhte akti 17 shkurtit 2008, përkatësisht shpallja e Pavarësisë nga lideri Thaçi.

Nuk mund të shpjegohet fitorja e PDK-së e 17 nëntorit 2007 me vdekjen e liderit të LDK-së, Ibrahim Rugova dhe me ndarjen nga ajo të LDD-së. Zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 e demantojnë një fakt të tillë. Edhe pse u bashkuan LDK-ja me LDD megjithatë PDK-ja mbeti forca e parë më e votuar në nivel vendi. Këtu duhet pasur parasysh edhe dëmtimin e PDK-së nga një pjesë e strukturave të saj.

Megjithatë PDK-ja nuk u mposht.

PDK-ja duke qenë parti që fitoi zgjedhjet në mënyrën më të merituar, parti e cila e gjeti rrugën e fitores pas një periudhe shtatëvjeçare pati fatin që të jetë partia e parë në vënien gurë themeleve të shtetit të Kosovës, pra është parti me atribute të vërteta shtetformuese.

Ajo mori pjesë aktivisht në bisedimet e Vjenës, në Shpalljen e Pavarësisë, në krijimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në themelimin institucioneve të plota të Republikës së Kosovës: krijimi i Ministrisë së Jashtme, krijimi i Ministrisë së Mbrojtjes etj.

Brenda mandatit të saj qeverisës ndodhi GJND-ja, në të cilën fitoi juridikisht e drejta e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Brenda mandatit të saj u hoq Mbikëqyrja e pavarësisë. Brenda mandatit të saj Kosova u njoh nga 106 vende.

Brenda mandatit u ngrit infrastrukturë mbresëlënëse, autostrada, aeroporti etj. Pas intervenimit të njësiteve speciale në veri më 25 korrik 2011, filloi procesi politik i zhbllokimit në pjesën veriore të Mitrovicës, që po jep rezultate të ngadalshme, por konkrete të funksionimit të tërësishëm të jetës në Kosovë. Brenda këtij mandati filloi procesi i bisedimeve me Serbinë për normalizimin e

marrëdhënieve midis dy shteteve. Ky është akti më i lartë politik për mbylljen e plagës më të thellë dhe më të vjetër të urrejtjes midis popujve të Evropës Juglindore. Vlera e këtij dialogu mund të kuptohet vetëm me largimin nga ekrani i afërt historik. Dialogu tregon rolin ekuivalent të Kosovës në raport me Serbinë. Kosova për herë të parë është e barabartë me Serbinë, si cilësi politike, si civilizim dhe kulturë, dhe fituese mbi të, si moral dhe etikë.

Tek ky proces i dialogut duhet rikujtuar qëndrimin e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili ka shkruar me respekt, dije dhe thellësi librin “Eskili, ky humbës i madh”, dhe pohon me një rast se do të ndjehej mirë në qoftë se nesër do të mund të shkruante me po kaq respekt edhe për kulturën dhe popullin serb.

PDK është një subjekt që ka qëndruar më së gjati në pushtet, duke hyrë në vitin e shtatë të qeverisjes. Vetëm një lider si Hashim Thaçi mund të rrijë ulur kaq gjatë në karrigen e nxehtë dhe të prushtë të kryeministrit të Kosovës.

Ku është PDK-ja sot?

Pavarësisht zhvillimeve brenda saj, pavarësisht edhe pjesës mosfunksionuese, pavarësisht skenës politike, PDK-ja vazhdon të jetë forca politike më e konsoliduar dhe numër një në Kosovë. PDK-ja edhe në zgjedhjet e ardhshme do të jetë forca e parë politike, sepse tashmë e ka të njohur dhe të përbrendësuar mekanizmin e fitores. PDK do të jetë forca e parë politike, sepse tek lideri i saj është zgjuar demoni i triumfit. Për ata që tremben nga fjalori diabolik, mund ta zbusim dhe të themi se është zgjuar perëndesha e fitores.

(Autori është këshilltar politik i kryeministrit Thaçi. Mendimet e shprehura në këtë shkrim janë autoriale)

 
Leave a comment

Posted by on February 27, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: