RSS

Stigma mediale Motosharra dhe Bullatoviqi

05 Mar

ISMAIL SYLA E mërkurë, 05 Mars 2014 09:46 

Gjatë kohës së shkuarjes në punë në të përditshmen Bujku (ish Rilindja), para shkollës fillore të Komoranit, në vitin 1996 më ndaloi një polic serb, i vogël në trup dhe i zeshkët. Nga kontrolli i gjërave të dukshme i ranë në sy disa fletë të shkruara me makinë shkrimi. Në fakt ishte teksti i tregimit “Balta”, me të cilin do të merrja pjesë në një konkurs letrar.

Polici me një shikim urrejtës, me fjalë të prera dhe të pakta kërkoi që të përkthehet titulli i tregimit. Me ironi tha se “Në Drenicë paska shkrimtar!?”, duke ma lënë në kujtesë këtë moment, për të marrë vesh më vonë se ai ishte polici Bullatoviq, fama e keqe e të cilit rritej çdo ditë e më shumë.

Për veprimet e tij brutale dhe sjelljet antishqiptare dihet nga secili qytetar i Drenicës. Ai ishte sinonim i dhunës serbe deri në fillim të vitit 1998 kur më në fund plasi hapur lufta midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore dhe ushtarake serbe.

Kujtimi i zi për Bullatoviqin ringjallet dhe bëhet objekt shkrimi më në fund për shumë arsye. Vitin e kaluar me rastin e burgosjes së komandantëve të Zonës Operative të Drenicës (Sylejman Selimi, Sami Lushtaku etj.) u organizuan protesta nëpër sheshet kryesore të Prishtinës. Në mesin e protestuesve kishte djem të rinj dhe vajza të reja me fanella në shpinat e të cilave ishte shkruar një deklaratë publike kolektive “Unë e vrava Bullatoviqin”. Kjo më bëri që në ikonën e fotove të iphone-it ta fotografoj një “parullë” të tillë, të cilën ende e mbaj të pashlyer.

Kjo deklaratë publike është treguesi më i mirë për lehtësinë e marrjes së përgjegjësisë për vrasjen e një krimineli. Nuk duhet ngatërruar në këtë rast etikën njerëzore, ndjenjat humane, përjashtimin e gjyqësisë dhe forma tjera të qëndrimit të njeriut ndaj njeriut. Këtu kemi të bëjmë me emrin e një krimineli, pavarësisht etnisë, i cili me mjetet e dhunës shtetërore, në kuadër të institucionit të tij, kishte ushtruar padrejtësisht dhunë sistematike mbi qytetarët e kësaj ane, prej tregtarit të vogël ambulant, deri tek veprimtarët, mësuesit dhe të gjitha njerëzit që nuk pajtoheshin me sundimin e administratës, policisë dhe politikës serbe, hapur antishqiptare.

Prej viteve 1998-1999 deri në vitin e kaluar, të burgosjes së komandantëve të UÇK-së, ka kaluar një periudhë 14, 15 vjeçare. Kohë, gjatë së cilës plagët e luftës as nuk harrohen tërësisht, as nuk kujtohen për çdo ditë, apo thënë më mirë te gjenerata që ka përjetuar atë periudhë ka një ngulitje të përhershme në kujtesë të natyrës së shtypjes, përmasave të krimit dhe natyrshmërisë së kujtimit të atyre viteve, ashtu siç ka tjetër kujtesë për brezin që në atë kohë ka qenë i moshës së
njomë, por sot ka një moshë madhore dhe fatbardhësisht nuk ka kaluar njëjtë nëpër makinën e dhunës serbe.

Për pjesën e brezit të dytë, është interesante të shpjegohet trajtimi medial i këtij rasti, ashtu si dhe për pjesën e brezit që e përjetoi realitetin e atyre viteve. Pa dyshim, përpjekja për denigrimin e vlerave të UÇK-së dhe të komandantëve të saj është një nga synimet strategjike të qarqeve antishqiptare dhe antikombëtare, që kanë motive të ndryshme, por objektiva të përbashkëta.

Kur është rasti i Bullatoviqit, ka rënë në sy në një medie elektronike në Kosovë paraqitja e gjoja njoftimit të mënyrës se si është vrarë krimineli Bullatoviq. Për një kohë të gjatë, me muaj ka qëndruar “sqarimi” medial, sipas të cilit gjoja Sabit Geci paska ekzekutuar me motosharrë Bullatoviqin.

Kjo mënyrë e pasurimit të opinionit publik me informacione dhe me metoda të caktuara, jo vetëm tek brezi që nuk i ka të freskëta kujtimet e robërisë dhe të luftës, por tek secili brez përpiqet të intonojë në mënyrë tendencioze përpjekjen për ndërrimin e roleve të aktorëve: ekzekutues – viktimë.

Ky titull që mbijeton gjatë në medien elektronike, i nxjerrë nga akuzat e fabrikuara apo ngado që të jenë, arrin të krijojë një efekt tejet negativ, antiUÇK, antikombëtar. Në kët rast, pavarësisht si e ka emrin i akuzuari, Sabit, Hasan a Blerim, efekti i nxirosjes dhe stigmatizimit bie jo mbi kriminelin e saktë Bullatoviq, por mbi viktimën nga radhët e UÇK-së.

Dhe si rezultat i trajtimit të tillë medial mesazhi është ky: Nuk është vëmendja tek krimineli Bullatoviq, por tek X.Y. dhe tek mjeti, motosharra. Pra, në këtë rast subjekt i informatës është X.Y. që vepron me motosharrë (si mjet tmerrues) dhe jo personazhi që ka terrorizuar (dhe tmerruara) një popullatë të tërë për vite të tëra. Kështu, duke vënë në spikamë gjoja ekzekutesin dhe mjetin, arrihet zhvendosja e urrejtjes jo mbi kriminelin Bullatoviq, por mbi X.Y. Dhe së bashku me zhvendosjen vjen edhe zbehja, kontestimi, madje kthimi i majës së urrejtjes jo mbi Bullatoviqin por mbi personin që gjoja ka ekzekutuar atë.

I një natyre të ngjashme ishte edhe qarkullim në media i lajmit se gjoja Sylejman Selimi gjatë luftës paska dhunuar dy femra shqiptare. Mënyra e plasimit të një lajmi të tillë, të zier në kushedi se çfarë kuzhinash, dëshmish dhe deklarimesh me qëllime të caktuara, prodhon efektin medial të farkimit të urrejtjes kundër një komandanti të UÇK-së, i cili gjoja ka dhunuar femra shqiptare. Në këtë rast togëfjalëshi “femra shqiptare” sugjeron një kategori kombëtare, shumës kolektiv, me mbiemër sensitiv që prek karakterin nacional të popullatës sonë, për të mprehur tehun e urrejtjes sa më shumë kundër X.Y. komandanti.

Në tërë këtë fabrikim medial tentohet të krijohet klima antiUÇK. Mesazhi përpiqet të mbjellë dhe krijojë këtë klimë: Ja, ata që konsiderohen çlirimtarë, ja se çfarë janë. Kanë dhunuar femra shqiptare (jo një N.N. apo X.Y.), gratë dhe nënat më të ndershme të kombit.

I tërë ky fabrikim medial ka për qëllim kultivimin e urrejtjes, zhveshjen, heqjen e imunitetit dhe të integritetit moral të komandantëve të UÇK-së apo figurave tjera. Përbaltja bëhet me goditje sistematike, me dhënie informacioni të përdredhur, me botim tërësor të aktakuzave, ku gëlojnë të pavërtetat dhe inkriminimet. Madje në të gjitha rastet rifreskohet mabamendja, në rast aludimesh përmenden aktorët e UÇK-së, në rast arrestimesh, përshkruhen krimet, në rastin e daljes para gjykatësit hetues, përsëriten dhe ribotohen aktakuzat, në rastin e fillimit të gjyqeve sërish përsëriten “dhunimet” e femrave, motosharrat etj, në një cikël të pafund.

Dhe cili është mesazhi përfundimtar: – asgjësimi i emrit dhe veprës së komandantëve të UÇK-së. Nëse dalin në protesta mbrojtësit dhe adhuruesit e komandantëve me parulla ku shkruhet emri i tyre, me fotot e tyre, me fotot e kohës së luftës, me uniforma të UÇK-së, tek njerëzit që rrinë anash, në trotuare, tek ata që i përcjellin nga ekranet e TV-ve të krijohet përshtypja dhe neveria
edhe ndaj atyre që protestojnë duke thënë se ja për kë protestojnë këta njerëz!

Shembull eklatant i këtij fenomeni është edhe gjykimi i Nazim Bllacës, i cili nëpër të gjitha fazat ka shërbyer nga një e përditshme për të përmendur vazhdimisht emrin e komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Sylës, duke u paraqitur pasaktësisht dhe qëllimisht si kreun e Shërbimit Informativ të Kosovës. Sa herë që përmendet emri i N.B. ose i ndonjë personi tjetër në aktakuzën e tij, gjithmonë rifreskohet përmendja edhe emrit të Azem Sylës, pavarësisht se hetimi zyrtar kundërt tij ka pushuar muaj e vite më parë.

Përdredhja e lajmit, trajtimi i emrave të komandantëve të UÇK-së me synime të mbrapshta, stigmatizimi dhe “lufta” e hapur kundër tyre mund të kuptohet në ndonjë medie racialisht opozitare ndaj tyre, por është e tepërt nga ajo pjesë e shtypit dhe ajo elektronike që synon të ketë objektivitet profesional, performansë nacionale dhe ndikim prej opinionbërësi.

Kësaj të fundit duhet parë për të madhe. 

(Autori është këshilltar politik i kryeministrit Thaçi. Mendimet e shprehura në këtë shkrim janë autoriale)

 
Leave a comment

Posted by on March 5, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: