RSS

Përshkrim i luftës së Kosovës nga krahu që bashkëpunonte me armikun

01 Apr

Rrëfimi për ‘spiujë’ dhe maska në Çabiq

 

Pranvera e vitit 1998 ka qenë jashtëzakonisht e pasur më të reshura. Oborri i shtëpisë ishte shndërruar në një park të vërtetë, e shiu vazhdonte të mos pushonte. Ishte hera e parë në jetën time që po shkoja në shtëpi, ku nuk vinte më inkasanti i rrymës, i tatimeve, ku nuk vinte as polici, e as postieri. Por rrymë kishte. Ishte hera e parë që po dëgjoja të shtëna reale të armëve, gjatë natës. Kurse gjatë ditës vazhdonte një jetë mjaft e tensionuar, por pa të shtëna. Kryesisht komentoheshin bilancet e një nate më parë. Tregoheshin rrëfime për sulme dhe kundërsulme, për të plagosur e të vrarë. Për të rrëmbyer e për të liruar. Por ajo që më së shumti u dhembte fshatarëve ishin sjelljet brutale të atyre që thirreshin në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për sjelljet e forcave serbe askush nuk kishte iluzione. Askush nuk shpresonte më në mirësinë e tyre, po pse këta tanët po silleshin kaq vrazhdë?

Vazhdimi i IV, Kujtim lufte -78 ditë në ikje

Në ofensivën e fundit serbe, para kësaj të vitit 1999, që kishte ndodhur në verën e vitit 1998, gjithashtu baba Gegë e Nana Manë kishin denjuar të qëndronin në shtëpi.

Ishin të vetmit që ishin takuar me policinë serbe në shtëpitë tona. Vullnetarisht.

Nana Manë na kishte treguar një moment kur policët donin t’i largonin dy pleqtë prej shtëpisë, e t’i nisnin diku tjetër ku nuk kishte luftime.

“U kap për trupi të mollës që ishte në oborr, e i gjujti me kërryle”, na tregonte Nana Manë. “Nuk dal prej shpisë teme. Vramni”, u kishte thënë. Policët, që kishin rastisur të ishin nga Klina, ishin pajtuar që ta duronin ketë kryeneçësi te një malësori, ndonëse kishin dështuar në të gjitha negociatat për ta bindur babën Gegë që të shkonte të jetonte diku tek miqtë në zona më të qeta, derisa ata t’i kryenin disa hesape të mbetura hapur edhe me UÇK’në e edhe me popullatën.

Ne të tjerët, gjatë gjithë asaj vere dhe gjatë gjithë asaj vjeshte të vitit 1998, kur pleqtë po qëndronin në shtëpi, ishim shndërruar në njerëz të malit. Na kishte sjellë në fshat, diku kah fundi i vitit 1998, vetëm një lloj marrëveshje që e kishte nënshkruar me Sllobodan Milloshevicin, i dërguari amerikan për paqe, Richard Hollbrooke.

Kjo paqe e arritur në mes të Hollbrooke dhe Milloshevic, ndonëse e përkohshme dhe krejt e paqëndrueshme, e kishte shpëtuar popullatën e anës tonë prej një shthurje totale.

Kriza e madhe në vitin 1998 filloi me sulmin që Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bëri mbi Rahovec, duhet të ketë qenë fundi i qershorit – fillimi i korrikut të vitit 1998.

Para së të ndodhte ky sulm, në verën e vitit 1998, unë me disa kushërinj të tjerë, Arianitin, Viktorin e Maksimin, kemi qenë duke studiuar në Prishtinë. E kishim kaluar pranverën dhe pjesën më të madhe të verës larg prej familjes. Kohë pas kohe dëgjoheshim me njëri – tjetrin përmes ca lidhjeve telefonike. Aso kohe telefonia celulare sapo i kishte bërë hapat e parë të depërtimit në treg. Por edhe kjo formë e komunikimit ishte krejtësisht sfilitëse, e sidomos e shtrenjtë. Prindërit detyroheshin të shkonin prej një fshati në një fshat tjetër, të prisnin në radhë me orë të tëra për të biseduar me ne, që kishim telefon statik në Prishtinë. E ne bridhnim rrugëve të Prishtinës pothuajse pa kurrfarë arsyeje specifike. Ndonëse luftimet kishin nisur, ndonëse masakra e Jasharajve kishte ndodhur, në Prishtinë edhe më tutje në qarqe studentore nuk pushonin të organizoheshin ‘zhurkat’ në mënyrë klandestine, në dy rrafshe. Së pari iknim prej policisë që natën e thyenin monotonin duke torturuar studentë. Së dyti fshiheshim edhe prej njëri tjetrit, sepse thuhej se nuk ishte aspak e denjë për një student që të shfrenohet në festë, kur në rajone tjera të tjerët vriteshin. Për të na rikujtuar për këto obligime morale vazhdimisht gjendeshin disa studentë a studente që i jepnin vetës kredenciale të tilla. Ne të tjerët me ndërgjegjen tonë ishim të pastër. Gjatë ditës merrnim pjesë në të gjitha protestat që organizonin asociacionet studentore, kurse gjatë natës agjendën e përcaktonim vet. Nuk ishin të rralla rastet kur në kurriz të familjeve tona, që po jetonin në një rrethim të plotë, përpiqeshim të dukeshim interesant përpara kolegeve tona. Sepse ne kishim rrëfim origjinal mbi luftimet.

Fshatrat tona që në pranverën e vitit 1998 isha të konsideruara si Zona të Lira. Varej prej çfarë këndvështrimi e shihje, sepse më shumë sot do t’u shkonte përshkrimi Zona të Izoluara. Policia e Serbisë kishte pushuari së qarkulluari që në muajin prill të vitit 1998 në Çabiq dhe rrethinë. Gjatë natës, secilën herë e më tepër po shfaqeshin persona të maskuar, ose me mjekrra të dendura, që në krah e kishin emblemën e UÇK’së. Edhe më tutje ekzistonte një skepticizëm i jashtëzakonshëm se çka ishte duke ndodhur.

Kush ishin këta njerëz me maska e me mjekrra që në mënyrë krejtësisht të gabueshme kishin zgjedhur t’i prezantoheshin popullit të tyre? Pse kishin zgjedhur brutalitetin si formë të komunikimit? Pse po komunikonim me njëri tjetrin me maska? A kishte vërtet aq shumë spiunë dhe tradhtar në mesin tonë, sa të arsyetohej tash një dhuna e egër në mes nesh? Kush ishte ai strategjist që po qëndronte prapa rrahjeve dhe dhunës që po aplikonin maskat gjatë orëve të natës?

Pasi kisha dëgjuar shumëçka rreth zhvillimeve të fundit në Çabiq vendosa një ditë që të shkoja e t’i kaloja disa ditë në fshat. Rruga më autobus ishte shndërruar në një rrugë të vërtet të ferrit. Prej Prishtinës e deri në Kjevë, ku duhej të zbrisja, kishte postbllok pas postblloku. Më i tmerrshmi ishte ai i Komoranit. Posaçërisht keq kalonim ne, që familjet tona tash po jetonim jashtë kontrollit de fakto të shtetit serb. Për shkaqe gjeografike konsideroheshim të dyshimtë.

Pranvera e vitit 1998 ka qenë jashtëzakonisht e pasur më të reshura. Oborri i shtëpisë ishte shndërruar në një park të vërtetë, e shiu vazhdonte të mos pushonte. Ishte hera e parë në jetën time që po shkoja në shtëpi, ku nuk vinte më inkasanti i rrymës, i tatimeve, ku nuk vinte as polici, e as postieri. Por rrymë kishte. Ishte hera e parë që po dëgjoja të shtëna reale të armëve, gjatë natës. Kurse gjatë ditës vazhdonte një jetë mjaft e tensionuar, por pa të shtëna. Kryesisht komentoheshin bilancet e një nate më parë. Tregoheshin rrëfime për sulme dhe kundërsulme, për të plagosur e të vrarë. Për të rrëmbyer e për të liruar. Por ajo që më së shumti u dhembte fshatarëve ishin sjelljet brutale të atyre që thirreshin në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për sjelljet e forcave serbe askush nuk kishte iluzione. Askush nuk shpresonte më në mirësinë e tyre, po pse këta tanët po silleshin kaq vrazhdë?

Në një natë të prillit të vitit 1998 në Çabiq kishte ndodhur hataja, më treguan kur mbërrina nga Prishtina, edhe pse diçka unë kisha dëgjuar. Persona të maskuar, të armatosur, që flisnin shqip, rreth orës 10 të natës po trokisnin në çdo të dytën a tretën ditë, duke kërkuar spiunë dhe bashkëpunëtor. I kishin identifikuar rreth 50 të tillë, në një fshat me rreth 100 shtëpi. Sipas standardeve fillestare të atyre që e përfaqësonin UÇK’në në ato anë, ose që flisnin në emër të UCK’së, gjysma e fshatit ishin njerëz të dyshimtë.

Pata rastin që të takoja disa prej këtyre ‘spijujve’. E përshkruanin ngjarjen e asaj nate si krejtësisht mizore dhe barbare. ‘Spiuni’ më i vjetër i torturuar dhe rrahur brutalisht kishte qenë një plak i moshës mbi 70 vjeçare. Ndërsa ‘spiuni’ më i ri i moshës rreth 20 vjeçare. Me fjalë të tjera ajo çfarë kishte ndodhur atë natë kishte qenë një hakmarrje e pastër tribale, pa asnjë motiv patriotik. Thjeshtë ishin rrahur dhe torturuar disa banorë të fshatit, prej disa banorëve të tjerë të fshatit (këta të fundit me maska), e që shoqëroheshin edhe prej pjesëtarëve të tjerë të jashtë fshatit. Kështu që njoftimi i popullit me ushtrinë e tij nuk kishte si të shkonte më keq se sa kaq. Në tërë fshatin atë natë ishin dëgjuar britmat e burrave dhe pleqve që po rriheshin sikur kafshët, në drita të traktorit. Gratë thoshin se nuk kishte asgjë më kiamet se t’i dëgjosh burrat kah bërtasin prej goditjeve. Dhe pas kësaj rrahjeje kolektive u bë fare e qartë të dihej se kush ishin ata që kishin veshur të parët uniformën në fshat. Vetëm duhej të ndiqje linjën e raporteve të tyre personale me pjesëtarët e tjerë të fshatit. Kështu, për shembull ishte rrahur brutalisht njëri prej pleqve më të respektuar në Çabiq, i cili më vonë, gjatë vitit 1999, u vra prej forcave serbe. Ai i ishte nënshtruar brutalitetit se gjatë viteve të 90’ta kur dikush i kishte vjedhur atij kopenë e deleve. Pasi kjo kishte qenë pasuria e tij kryesore ai rastin e kishte lajmëruar në polici. Pas dy ditësh policia ia kishte gjetur bylykun dhe ia kishte sjellë te shtëpia. Në vend se pjesëtarët e UÇK’së të ishin kujdesur që të merreshin me hajnin, ishin marrë me viktimën. Krimi i tij ishte se e kishte lajmëruar rastin në polici? Çfarë duhet të bënte?

Përpara se të ndodhte ky incident disponimi i fshatarëve për ushtrinë e ardhshme të Kosovës, kishte qenë në pikën më të lartë.

Më pas, e deri në fund të luftës, ishte krijuar një situatë e nderë. Ishin bërë përpjekje të kohëpaskohshme për të tejkaluar animozitetet, por pa sukses. Por, fshati, pjesa dërmuese, ishte solidarizuar me ‘spijujtë’. Pakica ishin me maskat, që filluan të binin gradualisht. Dhe kjo ndarje vetëm sa thellohej. Reparti i ‘spijujve” sa vinte e shtohej me frikacakë, që edhe ashtu nuk e dëshironin luftën me asnjë kusht. Dhe reparti i ‘maskave’ që sa vinte e pasurohej me persona me të kaluar të dyshimtë, që luftën më së shumti e donin për shkak të së kaluarës së tyre. Kur i shtoje kësaj edhe konotacionet politike, maliciozitetin e LDK’së, atëherë të krijohej përshtypja se organizimi i luftës po bëhej jo për të luftuar kundër Serbisë, por kundër njëri tjetrit. Për ketë arsye vazhdimisht, edhe në kohë lufte, LDK, përmes ndonjë përfaqësuesi të saj, e linte derën e saj të hapur. Në atë derë halle nuk zgjidheshin, por halle qaheshin. Dhe ndonjëherë ta dëgjosh dhe mirëkuptosh hallin e tjetrit ishte po aq e rëndësishme sa edhe zgjidhja e hallit.

 
Leave a comment

Posted by on April 1, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: