RSS

Shembulli i një Shqiptaro-Amerikani që lobon i vetëm

14 Apr

Image

Nga Artur Vrekaj

Hartford, CT

E kërkojmë në qiell lobimin për komunitetin dhe Çështjen Shqiptare. Ai është prezent atje ku Shqiptarët e kthjellët dinë ta bëjnë pa shumë bujë. Ju sjell një rast brilant. Takova Artanin, Shqiptarin që flet e vepron me pasion e shqetësim se si mund të bëjmë më shumë për Çështjen Shqiptare. Kish ardhur në një promovim libri që u bë në Hartford,Ct. Më tepër të bëhej edhe anëtar i degës së Vatra të Hartford që sapo u krijua. Më në fund Vatra po ngjitet më në verilindje, atje ku lindi. Ky është një premtim edhe më shumë në dekadën e tretë të këtij shekulli se diçka po riparohet nga gjithë ai boshllëk i disa viteve të Vatra në verilindje.

Të vazhdojmë me Artanin. Është njeri punëtor, familjar dhe komunikues ashtu Shqiptarçe të flet me pasion për Çështjen Shqiptare. Është me origjinë nga Martinaj i tokave Shqiptare të zaptuara me luftë në Mal të Zi, nga ai fshati që pati edhe një protestë kundër regjimit malazez se donin tja tjetërsonin emrin truallit. Sapo kishte hapur një biznes gatimi në rrugën Franklin. Një ndërtesë e vjetër që kishte marrë jetë. Futesh brenda dhe të bën përshtypje mobilimi aq i veçantë, si rrallë në picat e Amerikës. Shqiptari Artan ka ditur të rrezatojë kulturë Shqiptare duke e mrekulluar ambjentin.

Atë të dielë të 13 prillit 2014 ai po organizonte një parambledhje për Kongresmanin Larson. Një dukuri Amerikane që ne Shqiptarët e ardhur akoma nuk e kuptojmë dot se mosintegrimi me program me shoqërinë Amerikane kur bie fjala për një komunitet Shqiptar të fortë në qytetin ku jeton dhe pastaj kjo e marrë në tërësi për gjysmë milionë Shqiptarët e Amerikës është parësorja e punës kombëtare. Është A-ja që të na dëgjohet zëri në Kongres, Senat dhe komunitet.

Për fat u ndodh edhe kryetari i Vatra, Dr. Gjon Buçaj dhe bisedoi me Kongresmanin Larson ashtu rastësisht! Sepse rastësia e ka ndihur gjithmonë kombin tonë!

Kongresmani Larson e dëgjoi me vëmëndje dhe çdo gjë kaloi mirë. Më shumë se çu tha do ta dëgjoni nga Televizioni Kultura në gjuhën Shqipe i të apasionuarit Adem Belliu. Por këtu në Amerikë sot besohesh në punon, në djersit edhe për komunitetin. Artan Martinaj kujdesej si një Shqiptar i mirë edhe për Amerikanët që dhuronin para, që ata të provonin picën e gatuar nga duar Shqiptare, por edhe të uronin Shqiptarçe njëri-tjetrin. Duket që e ka bërë realitet se në Amerikë duhet të prezantohesh se kush je me punë, me veprimtari që ngjallin interes për kulturën që rrezaton dhe misionin komunitar që ke. Atë që duhet ta bëjnë me program unik Shqiptarët me organizata lobiste dhe komunitare e bën vetëm për vetëm edhe Shqiptari Artan Martinaj në Konektikat.

Ai i ka rrëfyer Kongresmanit se sa vuajnë Shqiptarët e Malit të Zi. I ka rrëfyer se sa viktima i ka shkaktuar Serbia Shqiptarëve në Kosovë, përfshi Kosovën Lindore dhe ndër bashkëatdhetarët e tij në Mal të Zi. Ai e ka programin e lobimit për Shqiptarinë në zemër. I flet atdheu i ndarë më gjashtë copa që përbrenda. Dhe me keqardhje flet për realitetin që duhet ta ndryshojmë me një integrim komunitar më të organizuar.

Po cili është realiteti i lobimit të Shqiptarëve të Amerikës? I dobët. I pambështetur si duhet. Duhet para të lobosh.

Shqipëria harxhoi afër 2 milionë dollarë me sekserë privatë kur shumë më mirë këto para të kishin shkuar për të fuqizuar një lobim me program duke promovuar e forcuar Shqiptarët e sukseshmëm të Amerikës. Ka ndodhur se duhet të mbanim më këmbë pushtetin e individit në Tiranë, se sa të fuqizonim zhvillimin dhe bazën e ardhmërisë. Por edhe sepse urat shtetërore me Mërgatën nga Tirana janë ende pa kollona bashkëpunimi me program.

Por edhe sepse Shqiptarët e Amerikës nuk janë të mirëorganizuar si një faktor i vetëm. I ka lëkundur sa bindja politike e udhëheqësive të shoqatave a degëve lokale, sa ndasitë krahinore, aq edhe boshllëku që u krijua nga mosveprimi e mosorganizimi i plotë i VATRA për kaq vite. Dhe u krijua shkak që këto dy dekadat e fundit me valën e dytë të Shqiptarëve të çertifikohen lloj-lloj shoqatash e organizatash me idenë edhe se plasi peshku e mos mbledhim ndonjë para. Shoqatë me një person apo burrë e grua!!

Janë të rralla komunitetet Shqiptare të qyteteve të mirëorganizuara në Amerikë. Shembuj të mirë vijnë nga Dallas për anën e integrimit e të organizimit të komunitetit Shqiptar në jetën Amerikane. Ndërsa modeli i një shoqërie të organizuar atdhetare sot për sot janë Bijtë e Shqipes në Filadelfia. Përsa i përket kthjelltësisë dhe veprimit unik për Çështjen kombëtare të mbrojtjes së Identitetit dhe mostjetërsimit të truallit Shqiptar në Mal të Zi janë gjashtë shoqatat e Shqiptarëve të Malit të Zi në Miçigan dhe New York.

Kurse shembuj individësh Shqiptarë të sukseshëm ka me mijëra kudo ku ka Shqiptarë të organizuar dhe të paorganizuar në komunitet. Por shumë pak vlerësohen. Çfarë vihet re? Janë me mijëra të diplomuarit me master sidomos vitet e fundit dhe me qindra ata që po mbrojnë doktoratura. Por mendimi i tyre nuk është përcjellë si duhet në udhëheqjet e organizatave Shqiptare.

KOMBI i Worcester, megjithëse me një anëtarësi modeste, është një shembull i pastër i respektimit të kalendarit kombëtar për ngjarjet dhe figurat kombëtare. Dhe e kemi tashmë traditë të ftojmë shoqata dhe individë edhe 3 orë larg si New York edhe 1 orë larg si Hartford dhe Boston. Shihet që jo shumë borde e bëjnë këtë. Por edhe sepse Mërgatës i mungon një Strategji Organizuese e bashkëvepruese. Herë-herë veprohet ose mjaftohet thjesht me një deklaratë përkrahëse kur del i del ndonjë hall Çështjes apo Identitetit të Shqiptarëve në Ballkan.

Nuk ka një konferencë pune të Mërgatës me të dy shtetet Shqiptare dhe Shqiptarët shtetformues në Maqedoni apo përfaësuesit e zgjedhur në Kosovën Lindore dhe Mal të Zi. Më shumë vrapohet të përqafohen politikanë që u ka dalë boja si në Shqipëri apo edhe në Kosovë, sepse janë bërë pjesë e korrupsionit.

Si rrjedhojë e mosveprimit të një Mërgate Unike ose të Bashkuar në Amerikë edhe Shqipëria dhe Kosova kanë patur një mbështetje jo dhe aq efikase këto vitet e fundit kur bie fjala për ti bërë ballë presionit të vazhdueshëm për cënimin e Identitetit dhe territorit Shqiptar me veprim nga jashtë apo edhe me tradhëti nga brenda nga segmente të politikës Shqiptare.

Ngaqë vetë Mërgata është e faktorizuar sikundër edhe shoqëria e tërë Shqiptare në Ballkan edhe ecja e ngadaltë apo vëndnumëroja e kombit është prezente. Më tepër i bien daulles së dashurisë për kombin nëpër fushata elektorale qoftë politikanët Shqiptarë në Ballkan, qoftë segmente të Mërgatës këtu që parapëlqejnë ende klane të politikës si një dashuri e vjetër.

Edhe për bashkimin e Shqiptarëve të Amerikës nuk mendohet se do ndodhë mrekullia brenda një viti, por organizimet duhet të bashkëkuvendojnë dhe tek e fundit ti thonë ndal fantazmërisë së shoqatllëkut pa program.

Duhet një lëvizje përbashkuese, por më e kthjellët. Jo për të pleqëruar me dekoratën e atdhetarit. Por për të ndihmuar Çështjen Shqiptare që në komunitet. Me njerëz me vizion, me njerëz të shkolluar, me njerëz të përkushtuar për komunitet dhe Shqiptari. Sepse aty pastaj është edhe suksesi i Shqiptarisë. Siç bën Artan Martinaj i rrugës Fraklin në Hartford.

Artur Vrekaj, 13 Prill 2014

Franklin Ave Hartford, Ct

 

 
Leave a comment

Posted by on April 14, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: