RSS

Bardhok Biba, ky tribun popullor

15 Sep

Shkruan: Agim Sylejmani, Zvicër

Bardhok Biba, ky tribun popullor

Edhe po të doja s’do e fshehja dot kënaqësinë dhe gëzimin tim, kur nga mediat mësova se në Mirditë përkujtohet 65 vjetori i rënies së njërit nga tribunët më popullor e të palodhshëm të Shqipërisë, Heroit të Popullit Bardhok Biba. Pas më shumë se dy dekada në Shqipërinë nënë populli po i përkujton bijtë e tij, ata që bënë historinë nga më të lavdishmet në historinë e kombit tonë, atë të Luftës Nacionalçlirimtare. Andaj dhe kënaqësia për këtë ngjarje tejkalon kufinjtë shtetëror të Shqipërisë londineze. Populli vëlla në Shqipëri ka filluar të rizgjohet, fillimisht duke përkujtuar ata të cilët me djersën, mundin dhe gjakun e tyre trasuan rrugën për gjeneratat që erdhën e që do vinë.

Dhe detyrimisht që në mendje më vijnë ato çaste plot emocione pranë radios e tranzistorëve të vegjël duke dëgjuar radio Tiranën e radio Kukësin, këto gurra të pashterrshme frymëzimi për dekada të tëra në nënqiellin e Kosovës së robëruar. Si sot më buçet në vesh zëri i këngëtarit kur i këndonte Bardhok Bibës, derisa edhe ne e përcillnim duke kënduar bashkë me të. Kënga “…Xhevahir ka rritë Mirdita…”, e këngëtarit të mirënjohur Frrok Haxhia, ishte për ne, të rinjtë e organizuar në radhët e grupeve patriotike e revolucionare, si një kushtrim. Të paktë ishin ata studentë që nuk e dinin këtë këngë. Por s’kishte të burgosur politikë shqiptarë që nuk e kishte dëgjuar dhe kënduar me admirim këtë këngë për Bardhok Bibën e madh edhe në qelitë e burgjeve, ashtu siç i këndonim edhe një mirditori tjetër të shquar, Ndrec Ndue Gjoka, këtij pishtari të arsimit në Mirditë.

Zemra m’u bë mal, kur duke shikuar videoincizimin e këtij manifestimi të madhërishëm për këtë figurë të madhe të kombit, në foltore doli një shok dhe vëlla i idealit nga Kosova, nga Gjilani kryengritës ndër shekuj. Ismet Sylejmani, ai i cili në këto kohë të vështira të pasluftës së Kosovës me dinjitet dhe pietet po i kujton të rënët e kombit, dëshmorët e Atdheut. Ai si i ri eci rrugës së trasuar nga vigani i Revolucionit të Kosovës, Rexhep Malaj, këtij çeliku të pathyeshëm nëpër burgjet jugosllave, themesues i Partisë së Luftës së Kosovës dhe prijatar i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, idol i të cilit ishte vet Enver Hoxha. Andaj edhe kujdesi i tij për dëshmorët e kombit s’ka si të kuptohet ndryshe, pos si kujdes i bijve ndaj etërve,i luftëtarëve ndaj udhëheqësve të rënë. Të tillë janë ata që kanë vazhduar rrugën e Rexhep Malajt, viganit të pathyeshëm e të palodhshëm të Kosovës.

Por çfarë të kujtosh më parë për këtë figurë të madhe të kombit, kur për të është shkruar e është kënduar sa e sa herë, për atë që ishte bërë burim frymëzimi për rininë heroike të Kosovës. Por doemos që nuk mund ta lë në heshtje një nga veprat madhore të Bardhok Bibës, kësaj figure të ndritur të Mirditës, atë të organizimit të pajtimit të gjaqeve, kësaj plage shekullore në zemër të Shqipërisë, plagë e cila është rihapur tejpërtej në krahërorin e mëmëdheut.

Edhe pse në zjarrin e luftës, Bardhok Biba organizoi një komitet të pajtimit të gjaqeve, përmes së cilit ai arriti të pajtojë mbi pesëqindë gjaqe anë e mbanë Mirditës. Kjo do bëhej më vonë si njëra nga arsyerat e shumta pse duhej likuiduar fizikisht Bardhok Biba, ky anëtar besnik e devotshëm i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe pushtetit popullor të dalë nga zjarri i luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Me pajtimin e gjaqeve ai ua kishte hequr njërën nga pengesat më të egra të afrimit të njerëzve, por njëkohësisht me këtë ai ishte bërë edhe një pengesë e pakalueshme për kriminelët e të ashtuquajturit „Komitetit të maleve“, të cilët vendosën ta likuidojnë, duke menduar se me këtë do lironin rrugën e veprimit të tyre.

Për gati gjysmë shekulli ishte pushteti popullor në Shqipërinë Nënë dhe vetë udhëheqësi historik i kombit Enver Hoxha që u kujdesën për gjithë dëshmorët, duke u ngritur lapidare anë e këndë, duke u thurur këngë secilit veç e veç. Figurave të tilla si Bardhok Biba u organizohej edhe manifestime të veçanta. Jo më kot Bardhok Biba do të mbetej simbol i Mirditës, sepse ai i dha aq shumë Shqipërisë, e sidomos Mirditës, sa që me dinjitet dhe pietet të lartë e mbanë këtë emër. Prandaj edhe populli i Mirditës pa hezitim e zgjodhi deputet të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë. E kush mund ta përfaqësonte Mirditën më mirë e më dinjitetshëm se Bardhok Biba?

I madhi poet tropojan, Isa Ferizaj, i kushtoi një poezi të madhërishme këtij përvjetori. „Këto vargje u frymëzuan nga fjala plot tharm shqiptarie e burrërie e vëllait tim të idealit Enverjan, nga Kosova legjendare, Ismet Sylejmani, për “Heroin e Popullit” Bardhok Biba, thënë në akademinë përkujtimore, organizuar në Mirditë, me 07.08.2014, me rastin e 65-vjetorit të rënies së Tij heroike.“ shkruan poeti. Vetë titulli i poezisë ishte më se domethënës, „Mirë se të gjeta, moj Mirdita e Bardhok Bibës“! Pra, Mirdita nga zemra e një kosovari mishërohet me emrin e të palodhshmit Bardhok Biba. Këtu ai ka të drejtë, sepse Bardhok Biba është një simbol i gjithë Mirditës. Dhe poeti vargëzon si bilbili majë lisit:

„… – Mirë se të gjeta, moj Mirdita e Bardhok Bibës; / Më çoi Kosova e Adem Jasharit e, UÇK- heroikes! / Me fjalë zemre t’ju përshëndes, si e ka adet shqiptari; / Para Bardhok Bibës t’bie n’gjunj, s’e zë brenda atë varri!…“

 
Leave a comment

Posted by on September 15, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: