RSS

AFRIM ZHITIA – ANTEU I KOSOVËS

02 Oct

Ismet Sylejmani – Ish-anëtar i Komitetit Drejtues te OMLK-LPRK-së!

Shkruan: Ismet Sylejmani

Ish-anëtar i Komitetit Drejtues te OMLK-LPRK-së!

Afrim Zhitia së bashku me shokun e tij Fahri Fazliu, me gjakun e tyre të shtrenjtë, shkruan njërën nga epopetë më të mëdha e më të lavdishme të historisë së kombit shqiptar, rënia e tyre legjendare ne Breg të Diellit, ruajti kontinuitetin logjik të të bëmave të mëdha të qëndresës titanike dhe heroizmit kolosal të paraardhësve tanë.
E dashur familje e dëshmorit të kombit Afrim Zhitia!
Familje të dashura të dëshmorëve!
Të ndruar invalidë, veteranë dhe veprimtarë të luftës për liri!
Të nderuara studente, studentë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës!
Të nderuar të pranishëm të akademisë përkujtimore!
Më është bërë një nder i madh, dhe më është ngarkuar një përgjegjësi e veçantë, kur nga familja Zhitia më është caktuar që në emër të bashkëveprimtarëve të flas për jetën dhe veprën e Afrim Zhitisë, por jam i vetëdijshëm se jeta dhe vepra e udhëheqësit të madh ilegal, politik, atdhetar e ushtarak të Lëvizjes Popullore dhe të popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të saj, nuk mund të përfshihet me një fjalim rasti, sepse ajo është e madhe, ajo është e thellë, është e shumanshme, dhe shumë e denjë per kombin, andaj i takon Institutit të historisë, Akademisë së shkencave dhe mekanizmave të tjerë relevantë institucional shtetërorë jo vetëm të Kosovës, që ndaj politikanit ilegal të kombit, ndaj këtij prijësi të shquar e të devotshëm, ta lajnë borgjin, të shkruajnë monografi e të organizojnë sesione shkencore e politike, ngjashëm si ky sot që e kanë organizuar studentët, të cilët që në fillim gjej rastin t’i falenderoj dhe t’i përgëzoj.
Afrim Zhitia u lind me 22 mars 1965 në fshatin Llugë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në Prishtinë në shkollën e mesme teknike u regjistrua me 1 gusht 1979 dhe ka kryer vitin e parë dhe të dytë, ndersa më 1 gusht 1981 në vitin e tretë dhe të katërt ka kaluar në shkollën Normale në Prishtinë. U regjistrua më 6 shtator 1983 ne fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës,drejtimi filozofi-sociologji. Më 08 tetor 1983 është thirrur në AJ në Banja Llukë. Më 14 shkurt të vitit 1984 në kazermën ushtarake të ushtrisë jugosllave në Banja Llukë i janë vënë prangat dhe është sjellë para gjyqeve antishqiptare në Kosovë. Si antar i organizatës ilegale patriotike Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës denohet me 8 vjet burg.
Pas amnistisë 4 vjeçare, më 14 shkurt 1988 lirohet nga burgu i Pozharevacit, vendlindjes së kriminelit Millosheviq.
Në periudhen pas daljes së tij nga burgu dhe zgjidhjes në organet më të larta drejtuese të aktivitetit politik ilegal në Kosovë dhe vise, gjithçka ishte vënë në lëvizje: kudo demonstrata, protesta, greva, peticione, trakte, thirrje, komunikata, buletine gazetareske, shtrirje e shpejtë, e gjerë dhe e thellë, organizim kualitativ politik e kombëtar i Levizjes ilegale në Kosovë.
Më 18 qershor 1989 thirret për herë të dytë në AJ në Shibenik. Vjen në vikend më 15 shtator 1989 nga AJ dhe më nuk kthehet, luftëtari kombëtar kalon në ilegalitet, vihet qind për qind në funksion të çështjes kombëtare.
Gjatë kohës sa ishte në ballë të Lëvizjes , në cilësinë e Sekretarit Organizativ, dhe në sekretariatin e saj vendimmarrës, Afrim Zhitia së bashku me Fadil Vatën, drejtuesin tjetër dhe i pasur me besnikëri nga Fahri Fazliu, ishte kudo që e kërkonte nevoja dhe atje ku duheshin çuar punët me çdo kusht e me çdo çmim përpara.

Sekretari Organizativ i Lëvizjes, Afrim Zhitia, asgjë nuk i linte rastit, asgjë nuk kishte spontane tek ai, për gjithçka interesohej, prandaj jo rastësisht Lëvizja në kohën sa ishin në ballë të saj Afrim Zhitia, Fadil Vata, Fahri Fazliu e shumë veprimtarë të tjerë, është vlerësuar me të drejtë se ka përjetuar hovin më të madh dhe organizimin më të fuqishëm, brenda vendit.
Afrim Zhitia jo vetëm demonstratave u printe dhe i sqaronte masat e gjera popullore, studentët dhe nxenësit, por ky burrë i madh i popullit shqiptarqë po rritej, aftësohej e kalitej në rrethana shumë të rënda për popullin e tij, me guxim dhe vendosmëri të pashembullt demaskonte dhe ua çirrte maskën teoricienëve antishqiptarë të ish-Jugosllavisë.
“Albansko pitanje” të Branko Hervatit, politikani ilegal Afrim Zhitia e kishte vënë në kudhrën e analizës së tij të mprehtë intelektuale, politike e shkencore, e kishte demaskuar plotësisht. Kjo analizë ishte shtypur në disa ekzemplarë dhe lexohej dorë me dorë nga populli dhe radhët e organizuara ilegale dhe qarqet e ndryshme politike e shkencore.
Këtu në këtë të famshmen sallen e kuqe, në këtë podium madhështor ku është shpallur doktor nderi i Universitetit të Prishtinës Presidenti legjendar i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Afrim Zhitia në vitin 1989, pra 16 vite më parë është ngritur si anteu, i patrembur dhe në prezencen e profesorëve universitar të ardhur enkas nga Beogradi, të cilët kishin mision përgatitjen e ardhjes në pushtet të kriminelit Millosheviq, kishte kundërshtuar ardhjen e klikës së Millosheviqit dhe e kishte krahasuar lëvizjen millosheviqiane me lëvizjen populiste të fashistit Musolin, dhe me pushtetet tjera antipopullore dhe antiracore ne botë. Pas përfundimit të ligjeratës së udhëheqësit, profesorët e Beogradit në stil policorë ia kanë kërkuar indeksin, duke mos besuar se ajo madhështi intelektuale e shfaqur para syve të tyre dhe e zgjuar jashtë mase nuk ishte e mundur të ishte student. Afrim Zhitia me plot krenari e dinjitet ua ka treguar Indeksin e Universitetit të Prishtinës. Dmth.në mënyren më të denjë të mundshme ka përfaqsuar studentin liridashës shqiptar të Kosovës.
Diskutimi i Afrim Zhitisë në kunkundërshtim të ardhjes në pushtet të gjakpirësit të Ballkanit, për mendimin politik shqiptar kishte shënuar një fitore të madhe. Me diskutimin e tij ne gjuhën e pushtuesit politikani Afrim Zhitia, paralajmronte se çdo të ndodhte pas ardhjes në pushtet të klikës që tanimë të gjithë e dimë se sa vuajtje i shkaktoi popujve të ish-Jugosllavisë dhe popullit shqiptar në veçanti.
Mirpo të pranishmit ndonse shumica shqiptare këtu në sallën e kuqe të ngazëllyer nga fjala e guximshme e Afrim Zhitis, nuk e kishin mbështetur as me brohoritje as me duartrokitje, sepse rrethanat nuk lejonin.
Meqë atëher nuk ishte e mundur të bëhej një gjë e tillë, unë ju thërras të nderuar të pranishëm qe sot, sallën e kuqe ta ndizni zjarr me duartrokitje në kujtim dhe nderim të diskutimit historik të Afrim Zhitisë.
Pas kundershtimit që i bëri fillit të ardhjes në pushtet të filozofisë dhe politikës millosheviqiane, dhe pas legjitimimit nga profesorët serbë në stil policor, Afrim Zhitia në mënyrë urgjente për herë të dytë me 18 qershor 1989 thirret ne AJ në Shibenik të Kroacisë.
Të nderuar të pranishëm!
Pas vitit të madh e të lavdishëm 1981, vetëm në vitin 1988 dhe 1989 populli ynë bëri demonstrata të fuqishme dhe kjo falë rolit prijës të Lëvizjes në përgjithësi, dhe rolit vendimtar e të jashtëzakonshëm të Afrim Zhitisë dhe drejtuesve të tjerë në veçanti.
Afrim Zhitia, djaloshi sypatrembur që i printe popullit, puntorëve, studentëve dhe nxënësve në demonstratat për liri, ishte shndërruar ne tribun të vërtet popullorë. Ky bir i madh i popullit jo vetëm po përsëriste katërçipërisht figurat kombëtar të tribunëve popullorë që në kohëra të ndryshme ishin ngritur me madhështi të pashembullt dhe iu kishin dalë zot fateve të Atdheut, por madje edhe i tejkalonte ato.
Afrim Zhitia po përsëriste qëndrimin burrëror të tribunit kombëtar Ramiz Cerrnica që më 10 korrik 1945 në mbledhjen e delegatëve nga ish-Jugosllavia, Kosova dhe Shqipëria në Prizren kishte kërkuar hapur bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe kishte kundërshtuar aneksimin e Kosovës nga Serbia.
Afrim Zhitia jo vetëm ngjante me udhëheqësin e madh dhe fjalimin historik të tribunit popullor Hydajet Hseni në demonstratat e vitit 1981, por ai me stil akoma më të përsosur e më impozant, prej drejtuesi të vendosur e politikani të sqaruar mbante fjalime të zjarrta, sqaronte masat e gjera popullore për domosdoshmërinë e unitetit gjithëpopullor e kombëtar kundër okupatorëve të trojeve shqiptare.
Tribuni popullor Afrim Zhitia në fjalimin historik në Prishtinë përpara qindra dhe mijëra demonstruesve premtonte se çlirimi i popullit shqiptar nga zgjedhja pushtuese s’ka alternativë tjetër. Ai ndër të tjera pati thënë:Fillimi i grevës dhe hyrja e minatorëve trima në zgafellet e nëntokës shqiptare në Mitrovicë, situatë kjo e krijuar që ishte produkt i koncepteve të qarta të organizatorit të Lëvizjes Afrim Zhitia, e shtyri politikanin ilegal të niste aksionet e nevojshme. Ky eveniment i klasës puntëore të Kosovës e gjeti në këmbë, vigjilent dhe të gatshëm për t’u dalë në mbrojtje minatorëve sypatrembur. Afrim Zhitia duke qenë udhëheqësi i Lëvizjes Popullore dhe student i Universitetit të Prishtinës, krijoi mbështetje totale popullore dhe universitare në mbrojtje të grevistëve dhe kërkesave të tyre të drejta. Afrim Zhitia ishte ideatori i organizimit të nënshkrimit të peticionit që filloi ne sallën 1 Tetori nga studentët, përfundoi në popull dhe i’u dërgua institucioneve ndërkombëtare.
Të dashur pjesëmarrës!
Emri i madh i shkruar me shkronja ari në faqet e librit të lavdishëm të historisë moderne të kombit shqiptar – Afrim Zhitia, është i shenjtë dhe i pa përsëritshëm, sepse me të lidhen shumë ngjarej popullore, politike e organizative, madhështia kombëtare, drejtësia dhe jehona politike e të cilave i ka tejkaluar me shpejtësi kufijtë normalë të veprave të mëdha, dhe janë bërë pronë e thesarit të madhë dhe të paçmuar të përsonaliteteve të shquara të kombit shqiptar. Dëshmori i kombit Afrim Zhitia rrugën e luftës ilegale, përmes të cilës pretendonte të realizonte çlirimin politik dhe kombëtar të popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të saja nga robërimi shekullor, e kishte marrë me koshiencë të plotë dhe të prerë politike kombëtare, me vendosmëri e seriozitet absolut. Këtë konstatim të drejtë e parimor për përsonalitetin e famshëm të hiq më shumë të 24 vjeqarit Afrim Zhitia, e dëshmon i tërë kontinuiteti kronologjik i veprës së tij atdhetare e politiko-patriotike, e dëshmon qëndresa prej burri, ndonëse i ri në moshë ne gjykatoren antishqiptare ne Prishtinë, e dëshmon qëndresa e pamposhtur ne burgjet dhe kazamatet e ish-Jugosllavisë, më në fund e dëshmoi barikadimi titanik dhe akti i rënies heroike në fushë të nderit më 2 nëntor 1989 ne Breg të Diellit në Prishtinë, sup më sup me njërin nga shokët e tij të pandashëm në fund të aktivitetit të tij, veprimtarin e palodhur, luftëtarin e vendosur dëshmorin Fahri Fazliu.
Afrim Zhitia së bashku me shokun e tij Fahri Fazliun, me gjakun e tyre të shtrnjtë, shkruan njërën nga epopetë më të mëdha e më të lavdishme të historisë së kombit shqiptar, rënia e tyre legjendare në Breg të Diellit, ruajti kontinuitetin logjik të të bëmave të mëdha të qëndresës titanike dhe heroizmit kolosal të paraardhësve tanë, atë të Oso Kukës në Vraninë, të Vojo Kushit e Xhorxhi Martinit në Tiranë,të Jordan Misjes e Perlat Rexhepit në Shkodër, të Tahir Mehës me babë në Prekaz, të viganit Rexhep Malaj dhe shokut të tij Nuhi Berisha në skajin tjetër të Prishtinës.
Rënia heroike me armë në duar e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, përfundimisht i parapriu fillimit të aksioneve çlirimtare të luftëtarëve trima të UÇK -së.
I parapriju flijimit biblik të Jasharëve Legjendar dhe Haradinajve të pamposhtur. I parapriu qëndresës titanike dhe rënies heroike të Zahir Pajazitit e Fehmi Lladrovcit, Ismet Jasharit e Agim Ramadanit dhe shume dëshmorëve të tjerë. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në historinë e rënieve heroike janë të rrethuar nga qindra dhe mijëra dëshmorë të kombit të cilët nën emblemen e UÇK -së me pushkët dhe bombat e zbrazura mbi ushtrinë dhe policinë serbe dhe të ndihmuar nga aleanca më e fuqishme ushtarake e globit NATO, e shporrën përgjithmon serbin nga Kosova.
Të mos e nderosh Sekretarin Organizativ dhe udhëheqësin e LPK-së Afrim Zhitinë politikisht dhe të mos angazhohemi që ta lartësojmë e ta vëmë në panteonin e kombit, është njësoj sikur të mos e respektosh dhe të mos e nderosh Komandantin Legjendar të UÇK-së Adem Jasharin ushtarakisht.
Të nderuar pjesëmarrës!
I propozoj Kryetarit të Komunës së Prishtinës z.Ismet Beqiri dhe Kuvendit Komunal që në rrugën ish Nikolla Teslla sot Bulevardi i Dëshmorëve pra hapsira në mes të PTK-së dhe shtëpisë së shëndetit të pagëzohet sheshi me emrin Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu!?
-Gjithashtu propozoj që të krijohet klubi politik Afrim Zhitia, dhe për Kryetar të Këshillit nismëtar propozoj shokun e ngushtë të Afrim Zhitisë, veprimtarin e dalluar të qështjes kombëtare z.Shaban Muja.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Afrim Zhitia!
Lavdi dëshmorëve të kombit!

 
Leave a comment

Posted by on October 2, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: