RSS

Një bujari prej mistreci dhe disa gjeste prej “agent provocateur”

28 Nov

Shkruan: Xhevdet Shehu

Duhej patjetër të bënte diçka edhe presidenti. Në frymën e festave të nëntorit, ku Bujar Nishani deri tani ka qenë një mungues i madh, dhe kuptueshëm i tillë, ai zgjodhi të dekorojë me titullin e lartë Nder i Kombit, dy figura kontroverse të historisë sonë të shekullit të kaluar. Së pari le të themi dy fjalë për vetë 70 vjetorin e Çlirimit. Padyshim që qeveria ka halle, opozita ca më shumë, por ky përvjetor që është vërtet i largët (shtatë dekada), duket se ka vënë ca në siklet mazhorancën se mos dalin të vërteta përçartjet e Berishës që po “rehabilitohet diktatori”. Në fakt, ajo që po ndodh është një proces që edhe historikisht vlerësohet si i natyrshëm. Edhe Napoleonin, që e ngriti lavdinë e Francës në majë në botës dhe e zhyti po kaq tragjikisht në zgrip të turpit dhe ekzistencës pasi miliona francezë lanë kockat luftrave, nisën ta rivlerësojnë pas dhjetë e njëzet vitesh që kishte ndërruar jetë në Shën Helenë. Kuptohet që nuk ja harroi kush të zezat, sepse në fund të fundit, ato mbetën si hesap përfundimtar i raporteve të tij me Francën. Enver Hoxha si kushdo tjetër figurë historike e bardhë apo e zezë, do kalojë po njësoj përmes këtij procesi që e mundëson vetëm koha dhe ftohja e pasioneve. Thënë troç, vrau e preu, shtypi e internoi, por edhe ndërtoi, shëroi, arsimoi, modernizoi brenda atyre kushteve. Dhe padyshim ishte diktator, i pamëshirshëm madje.

Tani, nga droja e kompleksit enver-ngjallës, ky jubile sikur ka hapur një bela për të majtën. Le të mendojmë një situatë hipotetike, se ç’hall do të kishte qeveria e djathtë dy vjet më parë, nëse një Ismail Qemal jo aq plak, pas pavarësisë do kishte marrë pjesë edhe në luftën antifashiste si partizan e udhëheqës. Do kishte organizuar tërë atë festim verbues e turpërues njëherësh, Berisha? Zor.

Nishani në ceremoninë e dekorimit të kolaboracionistëve, më 24 nëntor 2014

Nga ana tjetër, Bujar Nishani nuk ka hiç zor që, nën ombrellën e nderimeve për “vatranët”, të quajë Nder të Kombit edhe Bahri Omarin dhe Kol Tromarën. Një gjest karshillëks dhe i vogël, nga ato që vetëm një politikan “piskuriq” siç thonë shkodranët, mund ta bëjë. Dhe Nishani nuk e ka për herë të parë këtë sport, por duket se ai e ka të qartë se ç’profil ka krijuar tek audienca mbarëshqiptare, se mendim do kenë bashkëkohësit dhe pasardhësit për të, dhe aq i bën. Mjaft të zbatojë ca urdhra dhe të rregullojë punët e veta.

Omari dhe Tromara, ç’është e vërteta, kanë një veprimtari të njohur atdhetare në fillim të shekullit të kaluar, deri në vitin 1924 kur u larguan nga vendi si fanolistë. Por kur u kthyen më 1939-ën me italianët si antizogistë, kishin rrjedhur aq shumë ujëra saqë si shumë “baballarë” të tjerë, nuk arritën të kuptojnë ndryshimin, kahun e duhur të raporteve ndërkombëtare të forcave dhe atë brenda vendit. Shkurt, morën vendime të gabuara, si bashkëpunëtorë dhe qeveritarë të kabineteve kukulla të pushtuesve. I pari, njëherësh kunat i Enver Hoxhës, u bë ministër i Jashtëm nën gjermanët, dhe i dyti ministër Kulture (?!). Pa lënë mënjanë faktin që siç tregojnë dokumentet, në fund të luftës kur kishte marrë ferra uratën, ishin gati të bënin pakte poshtëruese me grekët në kurriz të tërësisë territoriale të vendit, vetëm të zgjasnin ditët e pushtetit.

Tani vjen presidenti, shtetari i lartë që nuk tha gjysmë fjale lidhur me vizitën e kryeministrit të vendit të tij në Beograd, por zgjodhi ca ditë më pas të dekorojë (me shumë respekt për këta të dytët) sazexhinjtë e Delvinës; dhe beson se nuk ka asgjë të keqe që në prag të këtij përvjetori të shënuar që gjithnjë e më pak luftëtarë të gjallë po e përjetojnë, të dekorojë dy ministra të nazistëve. Një gjest, që edhe pse mund të jetë nisur thjesht si karshillëk dritëshkurtër e kalimtar për Ramën, Metën e ku di unë kë tjetër, në fakt fyen luftëtarët që ngritën armët kundër italianëve dhe gjermanëve. U thotë atyre, “Bahriu dhe Kola janë nderi i kombit, jo ju çapaçulë që ju gënjeu Enveri”. Mbase për datën 29 nëntor ka ruajtur rezervë dekorimin e Mustafa Krujës, se edhe ai ka qenë veprimtar e letrar i shquar para se të bëhet binjaku shqiptar i Vidkun Kuislingut.

Ka pasur gjatë këtyre viteve shumë gjeste të kësaj natyre, me iniciator presidentin Berisha, që lëshoi me thasë dekorata për martirë e pishtarë të demokracisë. Vetë koha është e tillë që procesi i rishikimit të historisë dhe ridimensionimit të asaj që ne dinim për të vërtetë, të ndodhë vetvetiu. Mund të argumentojë dikush se ku ta dish, fitorja fjala vjen, e diversantëve me ndihmën e CIA-s, kundër regjimit komunist, sot do ta kishte çuar në nivele të tjera zhvillimi Shqipërinë; ashtu siç hipotetizojmë se nëse Enveri do kishte anuar nga Perëndimi pas vitit 1960… Por megjithatë, një e vërtetë mbetet e palëvizshme dhe kjo është e vërteta e luftës antifashiste: Bëmë gjënë e duhur, zgjodhëm anën e duhur. Tek e fundit, është kjo festa që bëjnë gjithë Perëndimi e Lindja bashkë, çdo përvjetor.

Por ja që këtu tek ne, del sërish ndonjë president që nuk kujtohet qoftë për një ditë se është kreu i shtetit, dhe kryen gjeste prej “agent provocateur” si mistrecat adoleshentë që luajnë “bëëzzz” prapa shkollës. Pickojnë dhe ikin me vrap. Gjithsesi, ky dekorim më shumë sesa ka fyer shumëkënd, konfirmon edhe njëherë mjerimin e një njeriu të zgjedhur president brenda gjysmë ore, mjerim brenda të cilit ndihet kaq rehat.

437ok

Disa nga ata që janë dekoruar

BahriOmari1944Bahri Omari (1888 – 1945) ishte deputet, botues, publicist shqiptar, ministër dhe veprimtar i Ballit Kombëtar. Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës 5 nëntor 1943-16 qershor 1944. Për këtë pozicion që ai mbajti u burgos. Në vitin 1945 ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special.

kol-tromaraKol Tromara (1882-1945) ishte veprimtar i Ballit Kombëtar dhe ministër në qeverinë Mitrovica. Rreshtohet ndër krerët e Ballit Kombëtar, pjesë e Komitetit Qendror të Ballit.Gjatë viteve 1942-1943 ishte prefekt i Korçës. 1943, jep dorëheqjen nga Balli Kombëtar dhe merr pjesë si Ministër i Kulturës Popullore në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. 1945 ─ Arrestohet, dënohet me pushkatim më 13 prill të 1945 prej Gjyqit Special dhe ekzekutohet në vitin 1945.

2Aqif Përmeti në vitin 1943, emërohet Komandant i Mbrojtjes Kombëtare, me gradën gjeneral-divizioni. Në nëntorin e vitit 1944, komunistët e Tiranës e arrestojnë atë, pikërisht në datën 18 nëntor, bashkë figurave të tjera nacionaliste. Aqif Përmeti ishte në grupin e parë të nacionalistëve shqiptarë që në vitin 1945 u dënuan me pushkatim nga gjyqi ndaj kriminelëve të Luftës.

Hamit-MatjaniHamit Matjani, dekoruar si ‘Martir i Demokracisë’ nga ish-Presidenti Sali Berisha në gjysmën e parë të viteve 1990. Kriminel lufte i arratisur në vitin 1944. Është desantuar disa herë në Shqipëri gjatë viteve 1950-54, në kuadrin e operacioneve paramilitare të CIA-s për të përmbysur me dhunë regjimin komunist, deri sa u kap nga forcat e Sigurimit dhe u var në Lushnjë, në prill 1954.

Esad_Pasha_ToptaniEsat Toptani lindi në vitin 1863 dhe u vra nga Avni Rustemi më 13 qershor të vitit 1920 në Paris, Francë, ishte një politikan dhe kryeministër shqiptar. Esat Toptani detyrën e kryeministrit të Shqipërisë e ushtroi nga 12 tetori i vitit 1913 e gjer më 12 shkurt të vitit 1914 si dhe nga 5 tetori i vitit 1914 e gjer më 24 shkurt të vitit 1916. Me Kryeministrin serb të asaj kohe, Nikolla Pashiq, Esat Toptani firmosi një marrëveshje tërësisht kundër interesave kombëtare të Shqipërisë. Gjatë viteve 1918 – 1920 Esat Pasha përpiqej që përmes aktivitetit të tij në mërgim në Paris, Francë të përfaqësojë Shqipërinë në Konferencën e Paqes përkundër asaj se delegacioni shqiptar nuk e përkrahte. Gjersa në vitin 1920 ai po përgatiste terrenin që të kthehej në Shqipëri, interesat e së cilës i paraqiste në Paris të cunguara, vritet nga Avni Rustemi.

 
Leave a comment

Posted by on November 28, 2014 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: