RSS

AZEM SYLA “DAJA” ËSHTË SHQIPTAR I VËRTETË

04 Jan
Sokol Bashota

Sokol Bashota

Shkruan: Sokol Bashota , Klinë – Kosovë

Kushdo që përpiqet ta përlyejë biografinë e tij të pastër, s’mund të gjejë tek ai asnjë njollë. As prokuroria jonë, as të huajat. As mediet tona, as mediet e huaja. Askush. Po patët durim, lexojeni këtë tekst deri në fund, këtë biografi të shkurtë të tij, ato përpjekje të kota të disa medieve që e luanin rolin e prokurorisë e jo të gazetarisë.

Prita disa javë që disa medie të Kosovës të bëjnë një kërkimfalje ndaj një ish-komandanti, të cilit para disa vitesh iu turrën si ujqërit kopesë, duke u përpjekur ta luajnë rolin e gjyqësisë. Ishin medie shqipe të ndikuara nga ato serbe, të cilat i marrin si prototipa të punës e të gjahut ndaj figurave më të çmuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, s’e bën dot. Madje disa prej atyre që kishin shkruar vite më parë fjalë të këqija për të, këtë herë nuk e publikuan lajmin për ndërprerje të hetimeve. Edhe pse patën qejf që Azem Syla të shpallet fajtor, e bën përpjekje t’i ndihmojnë prokurorisë ta dënojë, Syla fitoi përballë tyre. Thënë të drejtën, nuk qe Syla që fitoi përballë tyre, por ishte e vërteta që doli publikisht pas disa vitesh hetime ndaj tij. E pasi Syla vazhdon të heshtë, siç vazhdojnë të heshtin edhe mediet ndaj tij, të cilat nuk ndjejnë kurrfarë përgjegjësie morale për kërkimfalje, më dhanë rastin ta shkruaj e ta shpreh këtë opinion publikisht tash në këtë numër festiv të kësaj gazete, ashtu siç e kam shprehur kohë më parë edhe në takime me miq gjahun e disa medieve ndaj tij. Me këtë rast, së pari dua t’i shkëpus ato opinione që kanë dalë nga prokuroria e që janë publikuar në medie të tjera, jo edhe në ato që synon ta luanin rolin e prokurorit.

Të martën e 11 nëntori 2014 u dha lajmi se Zvicra ka ndërprerë ndjekjen penale ndaj Azem Sylës, se prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ka mundur të dëshmohet asnjë sjellje ose veprim i deputetit kosovar që mund të ndiqet penalisht. Pavarësisht hulumtimit kohë të gjatë ndaj Azem Sylës, akuzës për mashtrim dhe mosplotësim të detyrimit për paraqitje, asnjëri prej tyre nuk kanë mundur të dëshmohen. Po ashtu, prokuroria pati njoftuar se në kuadrin e hetimeve janë shqyrtuar akte dhe dokument të ndryshme, pastaj është kryer një bastisje në banesën e tij dhe janë bërë disa marrje në pyetje. Është kontrolluar në mënyrë sistematike edhe gjendja financiare e të akuzuarit në bankat si në Zvicër ashtu edhe në Kosovë. Pas të gjitha këtyre, prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ka mundur të dëshmohet asnjë sjellje ose veprim që ndiqet penalisht. Pra, është dëshmuar pastërtia e Azem Sylës. Po ashtu, është dëshmuar se gjatë periudhës më relevante, për hetimet në mes të vitit 2002 dhe 2011, i akuzuari nuk ka realizuar të ardhura. Përveç kompensimit material, nuk kanë mundur të dëshmohet ndonjë burim tjetër të ardhurash. Kundër mundësisë së tij për të siguruar të ardhura flet edhe fakti se fëmijët e tij të rritur e kanë mbështetur atë financiarisht, pasi kantoni i Soloturnit nga shkurti i vitit 2011 ia kishte ndërprerë të ardhurat kompensuese. I akuzuari nuk ka fshehur ndonjë pasuri, bëhej me dije, ndër të tjera, në komunikatën e prokurorisë. As gjatë bastisjes në shtëpi dhe as në konsultimet e bëra në bankat përkatëse nuk janë gjetur të dhëna për ndonjë xhirollogari relevante të tij.
Hetimet kanë konstatuar, nëpërmjet atesteve mjekësore të pavarura, se i akuzuari ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të punojë. Këtë gjendje nuk e ndryshon as fakti se ai ka bartur disa funksione në Kosovë. Ndërsa postin e ministrit të Mbrojtjes e ka mbajtur vetëm për dhjetë muaj, madje tre vjet para periudhës relevante për hetimet. Ky dhe funksionet e ngjashme nuk paraqisnin barrë për Sylën dhe i janë ngarkuar atij në bazë të shkallës së njohjes që ai gëzonte. Këto ishin, pak a shumë, fjalët e prokurorisë, të përcjella nëpërmjet medieve, të cilat u përpoqën vazhdimisht ta dëmtojnë, ta sjellin para nesh një njeri që s’është i sinqertë para ligjit. Por, ndryshe nga to, prokuroria e bëri të veten: solli para nesh një Azem Sylë siç e njohin shumica e njerëzve që i kanë ndenjtë pranë kohë të gjatë, një njeri të sinqertë, të vendosur, besnik. Në mesin e atyre miqve të shumtë të tij, jam edhe unë. E unë Azem Sylën e njoh qëmoti. E di që ka përjetuar rëndë barrën e robërisë, në familje dhe në jetën e popullit shqiptar. Por, ai ishte edukuar për atdhetarizëm, prandaj edhe u persekutua shpeshherë nga shovinizmi serbomadh. Megjithatë, “Daja” kurrë s’u thye. S’u thye as në demonstratat e vitit 1981, të cilat i përkrahu paskajshëm, për çfarë edhe u dënua me burgim deri në vitin 1988. Edhe pse i bajti gjithë këto vite burg, doli nga ai edhe më i fortë. Veprimtarinë atdhetare e vazhdoi edhe më me këmbëngulje, veçanërisht atëkohë kur filluan ngjarjet e lëvizjeve të mëdha popullore në vitin 1989. Në këtë vit arrestohet sërish. Mbahet në izolim prej marsit deri në gusht. E kur lirohet, nis jeta e tij e ilegalitetit. Nga viti 1993 bën punë dhe jetë gjysmilegale, kurse nga viti 1994 kalon në ilegalitet të thellë. Për këtë arsye, për shkak të veprimtarisë së ngjeshur, herë pas herë kalon në Shqipëri, apo në Maqedoni, si përvojë e bashkërendimit të veprimeve taktike, ngase gjatë kësaj kohe kryhen edhe aksionet e para kundër stacioneve policore të Serbisë në Kosovë, si dhe kundër elementëve të ndryshëm të pushtetit të asaj kohe. Të kujtoj me këtë rast se, gjatë kësaj kohe, kur e kam takuar në Shqipëri, s’kishte para as për të blerë për bukë.
Gjithherë, jo vetëm kur nisi dalja në dritë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla kërkonte realizimin e të drejtave kombëtare dhe njerëzore, pastaj edhe realizimin e të drejtave për vetëvendosje.
Në vitet e tetëdhjeta është një ndër themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së). Ishte një prej drejtuesve kryesorë të LPK-së, sidomos në sektorin e saj për përgatitjen e luftës së armatosur. Është e ngjeshur veprimtaria e tij në këtë organizatë politiko-ushtarake.


Në fillim të viteve të nëntëdhjeta ishte themelues i grupeve ilegale të armatosura në Kosovë, duke kryer atentate dhe sulme të vazhdueshme mbi stacionet policore, si dhe mbi segmente të strukturave të ndryshme policore të pushtuesit serb. Pra, në këto vite, është ndër themeluesit e strukturave të UÇK-së, rrjedhimisht të grupeve të saj guerile, ngaqë deri në daljen publike të UÇK-së kjo ishte formë e veprimtarisë së saj. Po nga këto grupe ilegale të armatosura ishte emëruar Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në nëntor të vitit 1997, kur lëvizja e armatosur me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës del publikisht, doli nevojë e ngutshme edhe organizimi i saj. Që nga koha kur themelohet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla emërohet komandant i SHP të UÇK-së.
Sa më shumë që armiku vinte duke shtuar forcat ushtarake dhe policore në Kosovë, për ta zhbërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në një anë dhe për ta dëmtuar deri në shfarosje popullin shqiptar në anën tjetër, vinte duke u rritur edhe organizimi i mirëfilltë i Luftës së UÇK-së, derisa arrin t’i imponohet faktorit ndërkombëtar si forca e vetme për zgjidhjen e problemit të Kosovës në kuadër të zgjidhjes së Çështjes Shqiptare në përgjithësi.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke qenë forca kryesore që vendoste për fatin dhe lirinë e Kosovës, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën që mbahet në Rambuje të Francës. Pjesë e delegacionit të kësaj Konference, në Rambuje dhe në Paris, si komandant i SHP të UÇK-së ishte edhe Azem Syla.
Gjatë periudhës së funksionimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës Azem Syla ishte ministër i Mbrojtjes. Ndërkaq, që nga themelimi i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla është anëtar i kryesisë së këtij subjekt partiak, detyrë që e kryen edhe sot. Mirëpo, si njeri që krahas idealit të lirisë dhe gatishmërisë të sakrifikohet për të, Azem Syla kishte edhe një ideal tjetër. Ai asnjëherë, pavarësisht angazhimeve të tij në jetën ilegale dhe në frontet e luftës çlirimtare, nuk e kishte lënë anash shkollimin dhe thellimin e dijes në fushat që i kishin zgjuar më shumë kureshtje.
Për shkak të rrethanave që mbretëronin në Kosovë deri pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kishte pasur mundësi t’i thellonte më tej dijet e tij në fushën e studimeve të shkencave ekonomike dhe politike, as në atë të kimisë.
Kësisoj, në korrik të vitit 2001, i regjistron studimet pasuniversitare, për gradën shkencore Master, në Leibniz University, përkatësisht në Institutin e Arteve dhe të Shkencës të këtij universiteti, në SHBA, studime nga distanca, siç e kishte të rregulluar ky universitet i njohur, ku diplomon me sukses të shkëlqyeshëm në fushën e Shkencave Politike më 18 korrik të vitit 2003.
Pas përfundimit të kësaj faze të studimeve, Azem Syla vazhdon studimet për doktoratë, poa shtu studime nga distanca, në Universitetin e Leibnizit, në të njëjtin Institut të Arteve dhe të Shkencës, në SHBA, ku mbaron dhe mbron me sukses të shkëlqyeshëm tezën e disertacionit të doktoratës në shkencat politike, me temë “Politika dhe qeverisja në Kosovë, procesi i statusit final të saj” (“Politics and governance of Kosovo, status process, resolving Kosovo’s final status”). Këtë tezë ai e mbrojti deri në fund, duke argumentuar nga çdo pikëpamje, historike, ekonomike, diplomatike, politike, kulturore, demografike etj., së cilës iu përkushtua për të realizuar atë në jetë.
Ai kishte bindjen se pavarësia e Kosovës do ta shënonte përfundimin e një procesi të gjatë të krijimit të një Evrope të Bashkuar, të lirë dhe paqësore, duke realizuar kështu arritjen më të madhe të shekullit të njëzet. Transferimi gradual i integrimit evropian bëri të mundur shndërrimin e Evropës në një zonë paqeje dhe prosperiteti, me kufij të hapur dhe të pakontestueshëm. Evropa u çlirua kështu nga një ngarkesë historike që i sillte asaj destabilizim dhe agresione të përgjakshme. Këto procese përbëjnë mundësinë për t’i shkrirë nacionalizmat ballkanikë, sidomos nacionalizmin e frikshëm serb, i cili helmoi ambientin e shpirtin jugosllav gjatë shekullit të kaluar. Kjo është, pak a shumë, biografia e Azem Sylës, këtij njeriu të pashembullt, i cili gjithë këtë jetë të deritashme e bëri për Kosovën.

Shënim: Sokol Bashota është kryetar i komunës së Klinës

 
Leave a comment

Posted by on January 4, 2015 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: