RSS

Kosova është një vend i pazhvilluar dhe një numër i madh i qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme

22 Jan

Sinan Sadiku

Shkruan: Sinan Sadiku / Dardanë, Kosovë

Një përqindje e madhe e buxhetit të Kosovës shkon për paga dhe mëditje, për pensione të të gjitha llojeve, për ndihma sociale, pastaj për kategoritë e dala nga lufta, për të burgosur politik etj. Kjo e ngarkon për së tepërmi ekonominë dhe nuk e lë të zhvillohet. Të shkojmë më konkretisht. Rreth 83000 të punësuar marrin pagë nga buxheti i Kosovës; mbi 150000 persona marrin pensione të pleqërisë; rreth 29000 familje marrin ndihma sociale; rreth 180000 persona e marrin pensionin si persona me aftësi të kufizuar; rreth 4000 persona e marrin parapensionin e minatorit; pensione marrin mbi 13000 persona nga kategoritë e dala nga lufta; pensionin e TMK-ë e marrin 751 persona; disa mijëra persona marrin kompensim si ish të burgosur politik etj.

Shtrohet pyetja a ka pasur mundësi të kursehen disa nga këto shpenzime në mënyrë që mjetet të orientohen në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të lira të punës? Nëse kjo nuk është bërë deri tani a ka mundësi të fillohet menjëherë dhe të realizohet brenda disa viteve?

1. Të punësuarit që marrin pagë nga buxheti i Kosovës.

T`i ketë Kosova 83000 persona të punësuar që marrin pagë nga buxheti i Kosovës është tepër. Kur them është tepër e kam parasysh faktin se Kosova i ka pak mbi 1.7 milion banorë. Edhe pse numri i të punësuarve në administratë, në arsim, në shëndetësi etj. është i madh, shërbimet që i ofrohen qytetarit lënë shumë për të dëshiruar. Edhe arsimi, edhe shëndetësia e edhe gjyqësia nuk i arsyetojnë fare shpenzimet buxhetore. Po të ishin cilësore shërbimet që i ofrojnë këto fusha do ta nxitnin zhvillimin ekonomik, por mungesa e cilësisë është e atij niveli sa që e pengon zhvillimin ekonomik dhe atë e pengon shumë. Po të ishin pranuar në punë personat e merituar, që e njohin punën , që punojnë me përkushtim , personat që angazhohen, që mësohen, që punojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm do të mjaftonin rreth 50000 të punësuar që paguhen nga buxheti për ti kryer me përpikëri punët, gjegjësisht për t`i ofruar shërbimet. Dikush mund të thotë se do të mbeteshin pa mjete të jetesës 33000 familje.

Megjithatë kjo nuk qëndron, sepse po të planifikoheshin dhe menaxhoheshin mirë nga qeveria mjetet që do të kurseheshin nga mos punësimi në sektorin publik i 33000 personave, ato mjete do të ndikonin që në ekonomi të punësoheshin jo 33000 persona por 80000. Duhet ta dinë lexuesit se për ata 33000 persona që janë tepricë, nga buxheti nuk harxhohen mjete vetëm për paga dhe mëditje, por dyfish më shumë. Kur them dyfish më shumë e kam fjalën për shpenzimet në ndërtimin dhe pajisjen e zyrave dhe shumë shpenzime të tjera si: pajisja me inventarë, karrige, tavolina, kompjuterë, ormana etj, ; pastaj shpenzimet për letra, fletore, lapsa, kapëse, follderë; shpenzimet e udhëtimeve zyrtare, ku hyjnë shpenzimet e karburanteve, shpenzimet për blerjen dhe mirëmbajtjen e veturave; shpenzimet për ngrohjen e hapësirë ku punojnë, shpenzimet telefonike,etj. Po ta kishim që nga fillimi një qeveri të përkushtuar, atdhetare, profesionale do të gjendej mundësia që mjetet e kursyera nga punësimi i tepruar në administratë ti barteshin ekonomisë, ta “ujitnin” dhe zhvillonin atë. Shtrohet pyetja çka të bëhet tani kur veç i kemi 83000 të punësuar që paguhen nga buxheti i Kosovës?

A t`i hedhim në rrugë 33000 njerëz, shumica mbajtës të familjes? Përgjigja është jo. Mënyra më e pa dhimbshme është që vendet e atyre që dalin në pension të mos i plotësojmë. Duke e marrë parasysh moshën e të punësuarve jam i sigurt se numri i të punësuarve për më së shumti 10 vite do të zbriste te ajo shumë që është e arsyeshme dhe e përballueshme për ekonominë. E keqja është se dëmi që i është bërë Kosovës me punësimin e militantëve partiak është vështirë të sanohet. Kjo për faktin se zakonisht militantët partiak janë pranuar në punë pa u shikuar përgatitja dhe shkathtësia profesionale.

Pastaj një pjesë e tyre janë sjell dhe sillen si kapadai në punë. Jo që nuk punojnë vet, por i pengojnë të punojnë edhe ata që donë të punojnë. Pikërisht përmes militantëve partiak, për interesa të ngushta të njerëzve të fuqishëm politik pengohet apo më mirë të themi nuk lejohet zbatimi i ligjit. Deri tani në Kosovë nuk janë larguar nga puna njerëzit që nuk kanë punuar, njerëzit që nuk e kanë përfill punën, por përkundrazi janë kërcënuar me largim ose edhe janë larguar njerëzit që janë përpjekur ta zbatojnë ligjin. Thjeshtë ndërtimin e shtetit juridik (ligjor) në Kosovë e pengojnë militantët partiakë.

2.Pensionet e pleqërisë

Siç e shënova më lart mbi 150000 persona të moshuar marrin pensione të pleqërisë, prej të cilëve 35818 janë kontributpagues. Pensione marrin me dhjetëra mijëra persona që jetojnë nëpër Serbi. Disa prej të cilëve atje jetojnë qe 50, 40… vite dhe në Kosovë vijnë sa për ti marrë pensionet! Pensione të pleqërisë marrin edha ata që janë pensionistë të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë… Pensione marrin edhe njerëzit të cilët qe 50 vite jetojnë në Turqi. Këto nuk kanë kuptim.

Kosova një shtet i varfër, rreth 20% e popullatës të së cilës jetojnë në varfëri të skajshme, të cilës për çdo ditë i ikin me qindra qytetarë për shkak të gjendjes së rëndë sociale, t`u jap pensione të pleqërisë (nga mjetet buxhetore) disa dhjetëra mijëra njerëzve që jetojnë kaherë në Serbi dhe gjetiu është e pakuptimtë. Andaj për ta shkarkuar buxhetin edhe ashtu të vogël të Kosovës dhe për ta orientuar diku tjetër ku ka shumë nevojë (siç janë punësimi dhe zhvillimi ekonomik) duhet t`ua ndërpres pensionet e pleqërisë të gjithë personave që jetojnë në Serbi, Turqi, Maqedoni… Duhet t`ua ndërpres pensionet edhe atyre që marrin pensione nga Gjermania, Zvicra, Austria…

3. Ndihmat Sociale

E shënova më lart se rreth 29000 familje marrin ndihma sociale. Sa do që viteve të fundit janë bërë reduktime, ende shumë familje me gjendje mesatare ekonomike marrin ndihma sociale. Para disa viteve unë edhe pse me një pagë mesatare nuk kisha mjete ta paguaj kombin për ta dërguar vajzën e vogël në shkollë, ndërsa fqinjët e mi shfrytëzues të ndihmave sociale, e kishin këtë mundësi dhe fëmijët i dërgonin me kombi në shkollë.

Edhe pse tani është hapur shkolla në lagjen tonë dhe ajo nuk është larg edhe disa shfrytëzues të ndihmave sociale i dërgojnë fëmijët me kombi në shkollë, derisa shumë të tjerë që nuk marrin ndihma nuk mund ta bëjnë këtë. Ka edhe shfrytëzues të ndihmave sociale që ngasin vetura të shtrenjta dhe asnjëherë nuk i sheh duke ecur këmbë. A nuk do të ishte mirë që atyre që ngasin vetura të shtrenjta, që i dërgojnë fëmijët me kombi në shkollë dhe që në përgjithësi në aspektin social renditen te shtresa e mesme e lart, tu ndalen ndihmat?

Po të veprohej kështu mjetet që do të kurseheshin do të mjaftonin që atyre të cilët vërtetë kanë nevojë, t`u jepet ndihma në atë shumë që u mjafton për të jetuar. Pra të rriten ndihmat, por t`u jepen vetëm atyre që e kanë gjendjen e rëndë sociale, sepse dhënia e ndihmave atyre që nuk kanë nevojë, përveç që e ngarkon buxhetin, e pengon zhvillimin e ekonomik, i pakëson mjetet për ata që njëmend kanë nevojë për ndihma dhe e ka edhe një të metë tjetër sepse krijon dembelë dhe parazitë.

4.Pensionet e minatorëve

Rreth 4000 persona e marrin parapensionin e minatorit. Parapensionin e minatorit e marrin edhe njerëzit që kanë punuar nëpër zyre në “XIQ Karaqevë” në “XIM Strezoci”, në “Trepçë”, në “Golesh” e të tjera. Disa nga ata kanë gjendje të mirë sociale. Realisht këtë pension nuk do të duhej ta merrte asnjë person që nuk ka punuar në minierë. Kështu shuma do të përgjysmohej dhe mjetet do të orientoheshin në zhvillimin e sektorit privat të ekonomisë. Do të duhej të shqyrtohej edhe çështja se a ka nevojë dhe mundësi që kjo ndihmë t`u jepej të gjithë atyre që kanë punuar në miniera apo vetëm atyre që e kanë gjendjen e rëndë sociale?

5.Të burgosurit politik

Të burgosurit politik janë një pjesë e popullatës që në një periudhë kohore më të shkurtë apo më të gjatë kanë sakrifikuar shumë për të mirën e përgjithshme kombëtare, një pjesë e popullatës që meriton respekt dhe mirënjohje. Megjithatë unë mendoj se nuk duhet tu jepen mjete financiare të gjithë ish të burgosurve politik, por vetëm atyre që e kanë gjendjen e rëndë sociale, që nuk kanë mundësi t`i shkollojnë fëmijët, që nuk kanë mundësi t`i blejnë ilaçet ose t`i paguajnë shpenzimet e mjekimit. Nuk ka kurrfarë kuptimi që t`u jepet kompensim financiar të burgosurve politik që janë bërë milionerë, që kanë shtëpi të mira, paga të mira, vetura të shtrenjta.

Po të kishin mbet idealistë ashtu siç kanë qenë dikur (shumica kanë qenë të rinj), të burgosurit politik që janë të pasur do të duhej të tregoheshin edhe tani pak më atdhetarë dhe të kishin mirëkuptim për bashkëkombësit e tyre që jetojnë në kushte të rënda sociale, për ata bashkëkombës që nuk kanë shtëpi për banim , që nuk marrin pagë, që nuk mund t`i shkollojnë fëmijët, që nuk kanë mjete t`i blejnë ilaçet. Ky do të ishte një akt patriotik në kushtet e sotme që do t`i kontribuonte zhvillimit të atdheut dhe do të kontribuonte në ndaljen e zbrazjes së Kosovës. Megjithatë nuk e kam të qartë si ka mundësi që një njeri i cili dikur ka qenë në gjendje ta sakrifikojë rininë, mirëqenien personale e besa edhe jetën dhe shumë të mira të tjera, tani kur i gëzon të gjitha të mirat nuk ndalet së kërkuari edhe më, edhe pse jeton në Kosovë dhe e sheh gjendjen e mjerë në të cilën jetojnë vëllezërit dhe motrat e tij për nga kombi, për të mirën e të cilëve dikur ka qenë në gjendje të sakrifikoj gjithçka!?

6.Veteranët e UÇK-së dhe kategoritë e tjera të dala nga lufta

Mbi 13000 persona nga kategoritë e dala nga lufta janë duke marrë pensione. Dihet që për statusin e veteranit kanë aplikuar rreth 66000 persona. Dihet edhe fakti që disa nga udhëheqësit kryesor të UÇK-së kanë deklaruar se numri ka qenë shumë më i vogël. Dihet edhe tjetra se ne si shoqëri , si popull nuk kemi dhënë dëshmi që përfillim rregulla, parime, kritere në asnjë fushë të jetës dhe që për interesa, personale, familjare, klanore, partiake … jemi në gjendje ta dëmtojmë edhe shtetin tonë të cilin po përpiqemi, por jo sa duhet për ta ndërtuar.

Andaj nuk pres që statusin e veteranit, të dëshmorit.. ta fitojnë vetëm ata që vërtetë e meritojnë, por do ta fitojnë edhe shumë të tjerë. Nuk ka asnjë dilemë që statusin e veteranit do ta fitojnë rreth 20000 persona. Te kategoritë e dala nga lufta që përfitojnë nga buxheti do të jenë edhe familjet e dëshmorëve, viktimat civile të luftës, invalidët, femrat e dhunuara etj. Pra numri do të jetë i madh. Veteranët e vërtetë të UÇK-së, dëshmorët… janë njerëzit më meritor që Kosova dhe njerëzit e saj kanë arritur ta fitojnë këtë nivel të lirisë që e gëzojmë tani.

Ata meritojnë mirënjohje, dekorata… Meritojnë që kontributi i tyre të shënohet në libra, në dokumente shtetërore, të njihet zyrtarisht. Sa i përket kompensimit material mendoj njësoj si për të burgosurit politik. Duhet të marrin kompensim material gruaja, fëmijët dhe prindërit e dëshmorëve, të viktimave të luftës dhe të gjithë veteranët gjendja sociale e të cilëve nuk është e mirë; ata që nuk kanë shtëpi , që nuk kanë mundësi t`i shkollojnë fëmijët, të blejnë ilaçe dhe ta paguajnë mjekimin. Megjithatë nuk ka kuptim të marrin kompensim ose të kenë privilegje financiare ata veteranë të cilët kanë shtëpi luksoze, veturë luksoze etj.

Nuk mund ta kuptoj çështjen si ka mundësi që një njeri i cili dikur ka qenë në gjendje ta merr armën dhe t`i dalë përballë armikut, duke e rrezikuar jetën për të mirën e kombit dhe të atdheut, tani të bëjë kërkesa të paarsyeshme financiare dhe të tjera. Pse ai njeri i cili dikur ka qenë në gjendje ta rrezikoj jetën për të mirën e atdheut tani nuk është në gjendje të sakrifikojë shumë më pak, të mos bëj kërkesa të tepërta, të paarsyeshme financiare dhe të tjera?! Disa kërkesa të paarsyeshme të udhëheqësve të organizatave të dala nga lufta, të cilat kërkesa kulmuan me kërkesën që fëmijët e veteranëve… të regjistrohen në fakultetet e Universitetit të Prishtinës edhe në rastet kur nuk kanë treguar dije të mjaftueshme gjatë shkollimit të mesëm, në testin e maturës dhe në testin pranues, nuk ka si t`i kuptoj njeriu.

Këto kërkesa janë aq të tepruara, sa që nuk kemi si t`i kuptojmë ne tani, e të mos flasim si do ti kuptojnë gjeneratat e ardhshme, ndërsa teknologjia e sotme e përsosur e ruan çdo paraqitje publike, çdo kërkesë. Udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta do të duhej të ishin një autoritet moral, një autoritet atdhetar që do të duhej të shërbenin si shembull për pjesën tjetër të popullatës. Ata do të duhej të ishin shumë të matur në kërkesa. Duke qenë shembull do të kishin të drejtë dhe autoritet që t`i atakojnë defektet që paraqiten në shoqërinë tonë, siç janë korrupsioni, shpërndarja jo e drejtë e parasë publike, cenimi i interesave të atdheut dhe shumë e shumë dukuri të tjera që e pengojnë ndërtimin e një shteti ligjor, demokratik dhe të zhvilluar.

Me këtë nuk dua të them se veteranët dhe kategoritë tjera të luftës nuk duhet t`i gëzojnë frytet e lirisë. E shënova edhe më lartë se shoqëria jonë është e obliguar të mos i lë të jetojnë keq këta njerëz që kanë kontribuuar. Edhe sa ju përket veteranëve , sikurse edhe në tërë shoqërinë tonë nuk ka mbretëruar ndonjë solidaritet për ta pasur lakmi. Disa nuk ia dinë skajin pasurisë dhe luksit, ndërsa disa të tjerë jetojnë në varfëri dhe mjerim. Ndaj këtyre të fundit shoqëria ka obligime dhe përgjegjësi. Në disa raste kulaçin që do të duhej t`u takonte atyre e kanë ngrënë veteranët e rrejshëm. Po të merreshin vendime dhe të nxirreshin ligje duke i pasur parasysh mundësitë buxhetore të Kosovës, gjendjen sociale të popullatës, papunësinë e madhe etj. dhe gjendjen sociale të kategorive të dala nga lufta dhe të burgosurve politik nga të dy këto kategori do të duhej të përfitonin prej 8000 deri në 10000 persona. Mjetet e tepruara do të investoheshin në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës.

7.Kërkesat për rritjen e pagave

Tani dalim te kërkesat për rritjen e pagave. Që në fillim të themi se të punësuarit në nivelin qendror që vijnë nga politika, pra ata që e udhëheqin Kosovën paguhen tepër, marrin paga sikur Kosova të ishte më e zhvilluara në rajon edhe pse është e kundërta. E kam fjalën për deputetë, anëtarë të qeverisë etj. Paguhen tepër shumë të punësuarit në agjencie të ndryshme, drejtorët, ata afër tyre, anëtarët e bordeve etj. dhe këta janë me mijëra. Paguhen tepër shumë gjykatësit, prokurorët edhe pse pushteti gjyqësor në Kosovë është tepër i korruptuar dhe joprofesional, siç e thonë shumë anketime dhe analiza.

Rritja e pagave në këtë sektor nuk e ka përmirësuar gjendjen. Paguhen shumë mjekët specialistë dhe ata që punojnë në universitet dhe në QKUK. Dihet, shumë nga mjekët që “punojnë” në QKUK, aty shkojnë vetëm për të siguruar klientë për klinikat e tyre private. Këtyre jo që nuk duhet t`u rriten pagat, por duhet të kontrollohen se a e përfillin orarin e punës, a u shërbejnë me përkushtim dhe profesionalizëm klientëve gjatë orarit të punës dhe nëse nuk e bëjnë atë të ndërmerren masa disiplinore. Edhe profesorët në universitet paguhen tepër. Një pjesë e tyre as ligjëratat nuk i mbajnë me rregull dhe siç duhet e të mos flasim për atë se nuk ua japin mundësinë studentëve që të shkojnë në kabinetet e tyre për t`u konsultuar për çështje studimore profesionale. Këta përveç pagës bazë, që është tepër e lartë, marrin edhe lloj-lloj shtesash që mund ta arrijnë nivelin e pagës.

Shumica jemi të zhgënjyer edhe me produktin që japin këta profesorë duke i pajisur me diploma edhe njerëzit që nuk i dinë gjerat më elementare të fushës për të cilën e kanë dëshminë e përgatitjes profesionale. Paguhen shumë edhe të punësuarit në PTK.
Me rastin e rritjes së pagave qeveria e Kosovës nuk është mbështet në asnjë kriter në të cilin mbështetet jo vetëm Perëndimi , por edhe rajoni. Përgjithësisht më të diskriminuarit kanë mbetur ata të cilët po quhen shërbyes civil. Këta janë të shkelur në raport me të punësuarit në arsim, në shëndetësi, në polici, në …

Një jurist, ekonomist, inxhinier etj. paguhet shumë më pak nëse e ka statusin e shërbyesit civil, se sa nëse i njëjti punon në arsim (si profesor ose si sekretar) në shëndetësi (në administratën e shëndetësisë). Ta zëmë për të punuar në arsim një jurist, ekonomist, inxhinier etj. mjafton që ai ta ketë përfunduar fakultetin, kusht ky që kërkohet për të punuar në administratë, por i njëjti paguhet rreth 150 euro më shumë se kolegu i tij që punon në administratë. Thjeshtë për të punuar një person profesor mjafton që ai ta ketë kryer fakultetin dhe ai paguhet rreth 150 më shumë se kolegu i tij që punon si shërbyes civil. Ai paguhet më shumë edhe se menaxheri i mesëm që punon në shërbimin civil, edhe pse për t`u bërë menaxher, përveç fakultetit të kryer kërkohen edhe shumë kualitete të tjera. Një shërbyes civil për pozitën e të cilit kërkohet fakulteti i kryer madje paguhet më pak se një motër medicinale, se një polic, se një zjarrfikës etj. për të cilat pozita kërkohet shkolla e mesme. Andaj për të punësuarit që paguhen nga buxheti i Kosovës ka nevojë të bëhet njëfarë nivelizimi sipas kritereve që i respektojnë të gjitha shtetet.

8. Përfundim

Tani nga buxheti i Kosovës marrin mjete financiare në mënyrë të drejtpërdrejtë 83000 të punësuar, rreth 150000 pensionistë pleq, rreth 17500 persona me aftësi të kufizuar, 29000 familje shfrytëzuese të ndihmës sociale, rreth 4000 “minatorë”, 751 pensionistë të TMK-së, 76 të FSK-së, ndërsa janë duke marrë ose do të marrin rreth 4500 ish të burgosur politik, janë duke marrë mbi 13000 persona nga kategoritë e dala nga lufta, ndërsa me fillimin e zbatimit të ligjeve të reja ky numër mund të shkoj në 30000. Pra nga buxheti i Kosovës tani marrin mjete financiare rreth 300000 persona ose familje dhe fillimi i zbatimit të disa ligjeve veç se do ta shtoj këtë numër! Në shkallën e tanishme të zhvillimit të saj, por edhe për disa vite, për të mos thënë për disa dekada, (duke e pasur mbi supe këtë barrë kaq të rëndë sa peshojnë 300000 përfitues të drejtpërdrejtë nga buxheti i vogël i Kosovës), nuk ka mundësi, nuk ka gjasa që ekonomia e Kosovës të zhvillohet me një ritëm të shpejtuar, me një ritëm i cili do ta mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës dhe uljen e ndjeshme të shkallës së papunësisë. Andaj, çdokush që mendon për zhvillimin e Kosovës, duhet të angazhohet për zvogëlimin e numrit të personave që marrin mjete financiare nga buxheti. Mendoj që brenda disa viteve numri i personave të punësuar që marrin paga nga buxheti i Kosovës duhet të zbres në 50000, numri i pensionistëve të pleqërisë (duke i hequr ata që me dekada jetojnë në Serbi, Turqi, ata që marrin pensione nga Zvicra…) të zbres nga 150000 në 100000, numri i familjeve që marrin ndihma sociale të zbres nga 29000 në 19000, numri i minatorëve që marrin pensione të zbres nga 4000 në 2000, numri i veteranëve të UÇK-së dhe kategorive të tjera të luftës që marrin nga buxheti të mos jetë as 30000, as 13000, por rreth 8000, numri i ish të burgosurve politik që marrin nga buxheti të mos jetë 4500, por 2000 ose më pak. Edhe ata që marrin pensione si persona me aftësi të kufizuar nuk janë të gjithë të paaftë për punë, sikurse që nuk është e arsyeshme të marrin pensione të gjithë ata që e marrin pensionin e TMK-së, FSK-së etj.

Kështu numri i atyre që marrin mjete nga buxheti do të zbriste në më pak se 200000 persona. Në këtë mënyrë, pra me zvogëlimin e atyre që marrin mjete financiare nga buxheti, nga 300 mijë në 200 mijë persona do të mund të kurseheshin mbi 350 milion euro të cilat do të shkonin në zhvillimin e sektorit privat të ekonomisë, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik. Nëse nuk bëhet kjo, kriza sociale do të vijë duke u përkeqësuar, do të rritet numri i të papunësuarve , do të vazhdojnë dhe shtohen shpërnguljet e edhe zbrazja e Kosovës. Në vitin 2011 Kosova i ka pasur 1.733.842 banorë. Nëse vazhdon shpërngulja do të mbetemi çdo ditë e më pak. Nuk do të ketë kush ta mbush buxhetin e Kosovës dhe do të fillojnë të shpërngulen edhe ata që tani nuk kalojnë keq nga shfrytëzimi i buxhetit.

Shënim: Sinan Sadiku për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare ka qenë i burgosur në burgjet serbe në vitin 1981. Tani është Jurist dhe merret me krijimtari letrare.

 
Leave a comment

Posted by on January 22, 2015 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: