RSS

Qetësi para stuhisë

24 Mar

be cengu

Shkruan, Besim R. Cengu, Tiranë

Fragment prej librit “Përmasat e mbijetesës” (2003)

Lajmin se në orën 19,55 minuta, të 24 marsit 1999, nga baza ushtarake e Avianos u ngritën skifterët e Aleancës së Atlantikut për t’i thënë ndal çmendurisë serbe, e pritën të gjithë shqiptarët. Nuk na besohej, ndaj fillimisht, dukej se ishte vetëm një thashethem. Realisht, gjithë shqiptarët i kishte pllakosur drithërima e emocioneve, që shkaktohen normalisht në këso rastesh me rëndësi të shënuar historike që përmbysin situata, ndryshojnë mentalitete e ndërtojnë realitete të reja.
Konkretisht, bombardimi kish filluar kundër shtetit të fundit diktatorial të Evropës. Atë natë të bukur pranvere, në fakt kishte filluar ndryshimi i historisë së këtij gadishulli, i cili, për shkak të konflikteve etnike, qëmoti përbënte një rrezik, jo vetëm për vetë Ballkanin, por për gjithë Evropën. Gjatë asaj natë ankthi, çdo shqiptar ndjeu përbrenda vetes agun e një dite të re, krejt tjetër, pa vargonj, pa dhunë e urrejtje etnike. Për botën demokratike, nacionalizmat e natyrës ballkanike tanimë ishin shndërruar në nocione anakronike, në një gjuhë politike të harruar. Me fillimin e bombardimeve, për shqiptarët, po merrte udhë një jetë e re.
Pothuajse 10 milion shqiptarë që frymojnë në planet, nuk fjetën atë natë. Ujqërit e vjetër të gazetarisë shqiptare, Alfons Gurashi dhe Agron Çobani, komunikuan gjithë natën në mikrofonin e Radio-Tiranës, me të gjithë bashkëkombësit, kudo që jetojnë, duke përhapur në ndërgjegjen e çdo shqiptari erën e re historike, që sapo kishte filluar në emër të demokracisë dhe të së drejtës. Si gjithë shqiptarët, nuk fjeta as unë atë natë të. Mjetet e informimit, radion e televizionin, gjithë natën i mbajta hapur duke thithur çdo informacion, çdo zhvillim, sado intim qoftë, për ecurinë e sulmit të NATO-s kundër objekteve ushtarake e strategjike të Jugosllavisë.
Në orën 3,30 minuta të ditës së re të 25 marsit, mora në telefon komandantin e Divizionit të Kukësit, gjeneral Kudusi Lamen. Parandjeja se ai ishte i ngulur në zyrë dhe, njëlloj si gjithë shqiptarët, gllabëronte çdo lajm për zhvillimet më të fundit. Madje ai tani, bashkë me kuadrin ushtarak të njësisë ushtarake, kishte përgjegjësitë më të mëdha për vetë pozicionin dhe situatën. Sigurisht, shumë pikëpyetje do t’i dilnin në ditën e re që po lindte. Si do t’i përgjigjet Jugosllavia sulmit të NATO-s? A do të ruanin unitetin, deri në zgjidhjen e konfliktit, 19 shtetet pjesëmarrëse në Aleancë? Çfarë fati do të ketë popullsia shqiptare në territorin e Kosovës? Si do të veprojë Shqipëria në përballimin e krizës, e cila mund të lindë për shkak të luftës? Pikëpyetje të pafundme…
Mijëra pikëpyetje, përzienin gjithë qenien time në ato çaste. Sidoqoftë, avionët luftarakë të NATO-s, duke fluturuar sipër kokave tona, nuk pushonin së bombarduari objektet strategjike të ushtrisë së Jugosllavisë së mbetur, prapa së cilës fshihej Serbia, shkaktarja e gjithë këtij konflikti të përgjakshëm. Ne receptorin e asaj telefonate të mëngjesit të hershëm, u gjend menjëherë gjeneral Kudusi Lame, komandanti i Divizionit të Kukësit. Ai kishte ardhur para dy vjetësh për të shëruar plagët, që kishte pësuar Divizioni ushtarak i Kukësit, pas ngjarjeve tronditëse të pranverës 1997. Sikur nuk i dolën plot punë për ringritjen e njësisë ushtarake të Kukësit, tani, ky komandant ushtarak i respektuar, kishte plot probleme për përballimin e një situate të re me fillimin e bombardimeve të objekteve ushtarake dhe strategjike të Jugosllavisë së mbetur. Kërkesës time, për të ditur diçka më shumë rreth situatës, gjenerali iu përgjigj me një fjalor konciz ushtarak.
– Deri tani, nuk kemi patur asnjë problem, – tha gjenerali. Ne jemi sigurisht të gatshëm për gjithçka, që mund të ndodhë në të ardhmen. I kemi marrë të gjitha masat.
U përshëndeta me të dhe si pa vetëdije isha veshur. Fjala e saktë e gjeneralit, sikur më ngrohu. Ai sikur u dha përgjigje shumë pyetjeve, që më përziheshin në kokë. E ndjeva veten të lehtësuar, edhe pse nuk kisha bërë asnjë sekondë gjumë. E kuptova, se isha i gatshëm për të dalë jashtë shtëpisë vetëm në çastet e fundit. Ishte ora 3,45 minuta, ndërsa unë i vetëm ecja në shëtitoren kryesore të qytetit, përmes vijës së bardhë të rrugës, që para pak ditësh e kishte bërë sektori i policisë së qarkullimit rrugor. Këmbët, vetvetiu më çuan në drejtim të Radio-Kukësit. Kjo Radio, bashkë me TV Kukësin, pas ndalimit të mjeteve të informimit në Kosovë, kishin shumë punë për të bërë në pasqyrimin real të ngjarjeve që po ndodhin aktualisht në Kosovë.
Dukej sheshit, se në të ardhmen e afërt, barra e punëve dhe e aktivitetit, do të rëndohej edhe më shumë, sidomos tani që u krijua një gjendje e re pas bombardimit të NATO-s mbi Jugosllavinë. U futa në zyrë dhe mora në telefon redaksinë e informacionit në Radio-Tirana. Më doli gazetari, Artan Kutra, me të cilin kisha patur rastin ta njihja pak kohë më parë në qytetin e Kukësit.
– Hë, ç’kemi nga Kukësi? – pyeti me padurim ai. Si është situata andej?
– Qetësi deri tani, – iu përgjigja shkurt. Të shohim më vonë.
Mbylla receptorin e telefonit dhe u ngrita. Nuk më zinte vendi vend. U solla ashtu, kuturu, nëpër zyrë për nja dhjetë minuta dhe vendosa të dal. Mbylla derën, duke u gjendur përsëri në rrugë. Ajri i freskët i një dite të bukur pranverore, sikur më shkarkoi nga gjithë tensioni i natës. Nga maja e malit Gjalicë, u duk një rreze e agut të ditës së re. Kjo rreze, sikur i jepte jetë e frymë gjithkujt, njerëzve, natyrës, gjithësisë…
Kjo rreze e agut, më dukej shenjë e shpresës së madhe të një populli. Paska thënë zoti, që fundi i shekullit të 20-të të jetë shekulli i shqiptarëve. U ngazëlleva dhe thashë më vete: nuk duhet të jetë e largët dita e madhe kur do të shkoj në Prizren, Prishtinë, Pejë, Gilan, Ferizaj, Podujevë, Gjakovë, në gjithë Kosovën, të pushtuar para një shekulli. Të shkoj në vendin e brengës të sa e sa brezave, në vendin e ëndrrave të ndërprera të mijëra heronjve, të cilëve ende nuk u është tretur kurmi në varre, pse u mbeti në vargonj trualli i tyre.
U nisa drejt ndërtesës së Prefekturës së Kukësit, administrata e së cilës mbulon tre rrethe të Shqipërisë Verilindore, të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. – Krejt stafi do të jetë aty, – thashë me vete. Dhe vërtet ashtu ishte. Në zyrën e prefektit, Qemal Elezi, veç tij, ishin edhe deputeti i zonës, Muhamet Bela, nëpunësit e prefekturës, Fadil Gjuta, Qemal Parllaku etj. Në zyrat e punës, gjithë këtë natë të ankthshme, kanë qëndruar edhe punonjësit e bashkisë dhe të Këshillit të rrethit të Kukësit. Kishin qëndruar gjithë natën, në gadishmëri të plotë, për t’u vënë përballë çdo problemi që mund të dilte. Kjo situatë, sigurisht, ishte me plot të papritura. Ushtria serbe, që pas shkeljes së marrëveshjes me Riçard Holbrukun, në mesin e tetorit 1998, kishte futur më shumë se 60 mijë trupa ushtarake e policore në Kosovë. Përmes veprimit të këtyre forcave të armatosura deri në dhëmbë, Serbia mund të kryente gjithfarë lloj masakrash e krimesh çnjerëzore.

besim cengu
Ata, për hakmarrje, mund të sulmojnë, ose të dëbojnë banorët etnikë shqiptarë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Andaj, dy ishin detyrat parësore të Prefekturës, Divizionit ushtarak dhe organeve të pushtetit vendor të Kukësit. Së pari, përgatitje për përballim të ndonjë invazioni të ushtrisë serbe. Së dyti, marrja e të gjitha masave të domosdoshme për të përballuar një fluks të madh shqiptarësh, që mund të dëboheshin nga shtëpitë e tyre prej forcave të ushtrisë serbe, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve të NATO-s.
Për të dy këto detyra të rëndësishme, u morën masat e duhura në disa mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes të kohëve të fundit. Këtë e tregoi edhe gatishmëria e gjithsecilit organ e institucion në linjat e tyre. Ishte ende herët, kur në orën 5,30 minuta, dhashë një informacion në Radio-Tirana për situatën e natës së parë pas aksionit të avionëve të NATO-s.
Në emisionin e drejtpërdrejtë të orës 10, po në këtë radio, dhamë një intervistë një gazetareje të re, që nuk ia mbaj mend emrin. Pyetjes së saj, se në rast të ndonjë fluksi refugjatësh, sa e gatshme është Prefektura e Kukësit për të përballuar ato me ushqim, iu përgjigja: Nëse vijnë në Kukës pesë mijë veta, i mbajmë me bukë për një muaj, ndërsa po erdhën 50 mijë veta, garantojmë ushqim vetëm për pesë ditë. Kjo fjali, mbylli edhe bisedën direkte me Radio-Tiranën. Qyteti i Kukësit, tashmë ishte vendosur në vijën e frontit luftarak, për të mbrojtur të drejtën dhe kauzën e shenjtë të lirisë. Atë ditë në lajme njoftuam, jo vetëm për masat që po merrnin organet e pushtetit lokal për pastrimin e vendstrehimeve dhe sigurimin e magazinave të drithit, por edhe për aksionet e avionëve luftarakë të NATO-s, të cilët që nga ora 19,55 minuta të një nate më parë, kishin hedhur bomba mbi objektet strategjike të ushtrisë jugosllave.
Rreth orës 10 të 25 marsit, 14 orë pas sulmit të Aleancës së Atlantikut, kolegut tim Bajazit Cahani, i cili kishte qenë për shumë kohë i sëmurë dhe sapo ishte kthyer nga kurimi, i ofrova një kafe.
– Më mirë të bëjmë një shëtitje deri te Turizmi i Ri. Është mëngjes i bukur të mbyllemi në ndonjë klub!- më tha ai.
Me shumë kënaqësi e pranova dëshirën e kolegut tim. Vijuam një copë rrugë heshturazi. Gjithçka dukej normale, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Nata që iku, dukej se kishte qenë një vegim dhe ishte tretur në një masë të madhe eteri. Njerëzit ecnin pas punëve të përditshme me të njëjtin ritëm, ndërsa qiellin e pastër të asaj dite, e kishin vizatuar aeoroplanët luftarakë të NATO-s. Dukej, sikur ata po shkruanin në këtë faqe të kaltër qielli, fundin e një diktature të urryer dhe po firmosnin lirinë e mohuar për Kosovën shqiptare.
– E qetë fort po më duket kjo ditë, – prishi heshtjen Bajaziti.
– Qetësi para stuhisë, – ia ktheva unë, duke u munduar të hetoja se ç’përshtypje i bënë fjalët e mia dhe shtova:
– Pa një furtunë, zor se mund të kalojë kjo gjendje.
– Edhe unë kështu besoj, – më drejtohet i menduar Bajaziti.

Shënim: Besim R. Cengu është pjesmarrës i luftës çlirimtare në Kosovë dhe gazetari që i shërbeu UÇK-së që nga fillimi e deri në përfundimin e luftës. Jeton dhe vepron në Tiranë

 
Leave a comment

Posted by on March 24, 2015 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: