RSS

“Skizofrenia” nuk është një njeri i sëmurë psikik, por një femër e lirë

01 Apr

Intervistë ekskluzive me autoren e romanit “SKIZOFRENIA”  Eliona Gjergjo

frida

Ndërsa shikoja kalimthi rrjetet sociale, cepi i syrit më kap nje titull shumë ngacmues, “Skizofrenia”. Një titull disi i frikshëm për ne njerëzit,  sepse gjithcka që na rrethon etiketohet  dhe ne nuk e marrim guximin të shikojmë përtej saj. Kështu u ndjeva kur pashë titullin e një libri, autorja e të cilit është një shqiptare që jeton në Greqi. Kjo ma shtoi më shumë kureshtjen dhe më nxiti që ta takoja nga afër autoren e këtijlibri, me një titull tepër intigrues. Një vajzë e shkathët, me shume jetë brenda saj dhe nene e dy vajzave.

Biseda me të më shtoi më shume kureshtjen të lexoja librin e saj. Më ka qëlluar të lexoj disa libra të autorëve shqiptarë këtë periudhën e fundit. Ndër to mund të përmend autore si Elvira Dones, një shkrimtare e arrirë, Brunilda Zllami si dhe gazetarin e shkrimtarin e sukseshëm Gazmend Kapllani. Gjithashtu  kam lexuar edhe disa botime me poezi shumë të bukura, por këtu në emigracion nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh botime të mira në shqip. Më vjen keq që shoqata e shkrimtarëve në Athinë është si të thuash një monopol i autorëve meshkuj.

frida 1

Romani “Skizofrenia” shtron një temë shumë interesante, ku paraqitet shumë pastër agonine e nënës për fëmijën e vet, madje me shumë se kaq. Kur ndodh dicka e keqe në familje si do të reagonim? Femra përballet me gjithcka, me veten, me bashkëshortin, me dashurinë e fëmijës. Atëherë bota që e rrethon i jep asaj një fuqi per t’ia dalë mbanë, apo e shtyn në një pesimizëm  pa krye? Një mjeshtri në kombinimin e personazheve, me një gjuhë shumë të pastër, ky libër të jep pak realitet nga jeta që jetojmë. Autorja edhe pse e re ka shumë për të na dhuruar. Me thjeshtësi, me realitet por edhe me dashuri ajo nxjerr në pah ato që ne duam  t’i themi .

Nuk mund të mos realizoja një interviste me autoren e cila na jep shpresën se letërsia shqiptare po evulohet në dimensione të tjera. Njëkohësisht është një penë që shumë shpejt do të depertojë edhe në gjuhën greke. Nuk shkruaj shpesh për autorë, po ky libër nuk duhet të mungojë nga biblioteka e çdo femre shqiptare, jo vetëm në Greqi.

  • Libri ështe bazuar në jetën reale? Në qofte se po, çfarë të bëri të shkruaje një ngjarje të tillë?
  • Në radhë të parë dua të të falënderoj për këtë mini intervistë modeste. Siç kam thënë dhe në të kaluarën, shkrimet e mia bazohen në ngjarje reale, të cilat edhe pse jo të përjetuara personalisht, nuk do të thotë se nuk gjenden shumë pranë nesh. Realiteti i hidhur, i fshehur, i vjedhur dhe i “çmendur”, në raste jo të pakta, është pasqyrimi i faqeve të mia. Përballja dhe mospërballja me të, jane dy anët e monedhës, pas së cilës, sado që të fshihesh, rezultati është një. Duhet ta sfidojmë jetën dhe atë çka ajo na ofron, edhe pse shpesh nuk bie konform me dëshirat tona.

frida 2

  • “Skizofrenia” është një titull tërheqës, edhe pse pak i frikshëm. Çfarë do të thotë për ty skizofrenia?
  • Titulli “Skizofrenia” u diskutua shumë. U dhanë shtjellime të ndryshme variantesh, kjo duke u bazuar secili nga këndvështrimi i vet. Për mua si Eliona, “Skizofrenia” nuk është një njeri i sëmurë psikik, por një femër e lirë, që ka shkelur tabu-të e saja dhe ecën me hapat që ajo do drejt maratonës që i ka servirur jeta. Skizofrenia është motra, shoqja, komshia tek shtëpia përballë, është ai zëri nën lot, që guxoi dhe foli. Për mua nuk është titull i frikshëm, por që shpreh misterin e shumëkërkuar “femër”.
  • Sa e veshtirë është të jesh shkrimtare në një vend tjetër? Duke qenë se jeni një njohëse e mirë e gjuhës greke si nuk arritët të shkruani në greqisht?
  • Romani , poezia apo të gjitha stilet letrare, nuk varen aspak nga vendndodhja. Arti i të shkruarit ka atë aftësi magjepsëse që të udhëton drejt dimensioneve të papërcaktuara. Mjafton pak imagjinatë dhe dëshirë për lexim. Epitetin shkrimtare më pëlqen ta dëgjoj nga të tjerët. Tek perdorimi i saj shoh vetëm një vajzë që i pëlqen të jetojë jetën, me të gjitha ngjyrat e saj. Të qenit larg Shqipërisë, nuk më ka penguar aspak të shkruaj, madje ëndrrën time e arrita këtu në Greqi. Rëndësi kanë dëshirat dhe qëllimet që unë kam në jete, adresa e banimit thjesht më ka dhënë mundësinë të jem njohëse e mirë e kulturës së një populli tjetër, siç është ai grek. 15 vjet në Athinë, përvec zotërimit të gjuhës greke, më kanë dhënë dhe shtysën e shkrimit të një romani po në këtë gjuhë. Shpresoj t’ia arrij qëllimit tim dhe lexuesi të ketë në duar veprën time të radhës.
  • Nene, bashkeshorte por edhe nje aktiviste shume e mire cilat jane problemet qe femra shqiptare perballet ne Greqi?
  • Përsa i përket situatës në Greqi dhe problemeve me të cilat një femër haset në përditshmërinë e saj, do të theksoja se do duheshin orë të stërgjatura për shtjellim. Normalisht ngërçi i parë me të cilin një femër haset në një vend të huaj, është racizmi, mohimi i të drejtave njerëzore dhe ajo disbalanca mes shtresave të popullsisë. Kam qenë aktiviste në një organizatë, qëllimi i së cilës është mbrojtja e të drejtave humane të shqiptareve dhe si femër, sigurisht qëllimi im, ka qenë ngritja e zërit ndaj fenomeneve që e duan femrën të nënshtruar në sense të ndryshme. Do të flas dhe do t’i luftoj këto probleme, me të gjitha “gjuhët e mundshme” që më jepet mundësia.
  • Në një biografi tënden të vogël është libri i tretë. Sa lexojnë femrat shqiptare, mendoni ju?

 

  • Kam qenë gjithmonë e ashpër me nivelin kulturor të shqiptarëve, femra ose meshkuj qofshin. Kam menduar dhe vazhdoj të ec në atë linjën time, që Shqipërisë i nevojitet shumë punë akoma për emancipimin e njeriut. Nëse më lejohet të flas për emigracionin, situata është paksa më e vështirë. Njerëzit iu turrën “punës” dhe “mbijetesës” duke harruar ose lënë mënjanë atë “ushqimin” shpirtëror, siç është arti (duke përfshirë këtu librin, muzikën, etj.). Por me kalimin e kohës, pas “shkrirjes” masive me popullin grek, më në fund shikoj një tërheqje pozitive ndaj asaj dege, që para vitesh për disa ishte “punë qejfi”. Arti dhe kultura janë rrënjë të thella, për një të ardhme të shëndetshme. Duhet të gjithë të luftojmë, ta mbajmë të gjelbër një pemë të tillë njohurish. Familja ime artistike për momentin ka tre pjesëtare. Romani i pare “Kur i lëmë engjëjt të vdesin”, i cili është vlerësuar në vitin 2011 me titullin “Sotir Andoni”. Romani i dytë “Skizofrenia”, që para një muaji u vlerësua me çmimin “Faik Konica”. Dhe së shpejti do të dalë nga botimi dhe romani i tretë “Gjashtë gishta e gjysmë”. Shpresoj lexuesi të mbetet po aq i kënaqur , sa edhe me leximin e dy të parëve. Nuk diskutohet që nuk jam perfekte, më duhet shumë punë , për të arritur një nivel sa më vlerësues. Projekti im i rradhës është një roman, i bazuar sërish në ngjarje të vërteta, por kësaj here në gjuhën greke.
  • Ku mund ta gjejnë librin lexuesit ?
  • Librat e mi gjenden në librari të ndryshme në Korçë dhe Tiranë.
  • A duam ne shqiptarët?

Po, ne shqiptaret duam, edhe pse rruga që zgjedhim ta bëjmë është më e vështira nganjëherë. Nuk e di nëse me tepër apo më pak se popujt e tjerë. Por, di që kemi një zemër të pastër tek e cila dashuria ështe zbukurimi më i rrallë.

  • Ju falënderoj për intervistën!
  • Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të flas sado pak për veten time.

Në qoftë se duam të lexojmë këtë libër, që ua siguroj që është shumë i bukur, mund ta gjeni autoren në FB, të flisni drejpërdrejtë me të. Ajo quhet El Gjergo-Tanka . Nuk është reklamë apo publicitet, por është gjynah të mungojë në librarinë tuaj një libër i tillë.

Intervistoi: Frida Bedaj

 
Leave a comment

Posted by on April 1, 2015 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: