RSS

AA Vision-ME SHQIPTARËT E AMERIKËS_ Agim Sylejmani: Intervistë me regjisorin Valton Jakupi

20 Apr

Filluan xhirimet e filmit „ROMANCA E HIDHUR“

Shkruan: Agim Sylejmani. Zvicër
Pas një pune të përkushtuar dhe ushtrimeve të shumta, sot në St. Gallen filluan xhirimet e para të filmit artistik të metrazhit të gjatë „Romanca e hidhur“ me skenar dhe regji të regjisorit dhe aktorit tanimë të njohur shqiptar në Zvicër Valton Jakupi.

Filmi do të xhirohet jo vetëm në Zvicër, por edhe në Gjermani e Kosovë. Në këtë projekt filmik janë angazhuar një numër i madh aktorësh, të cilët u përzgjodhën pas një pune të përkushtuar të regjisorit dhe stafit filmik.

Filmi trajton një temë tejet të ndieshme nga jeta e përditshme e të rinjve kurbetçarë, të cilët jetojnë, mësojnë e punojnë sidomos në Zvicër. Besimi fetar shpesh bëhet pengesë e lidhjeve të të rinjve shqiptarë, duke ua pamundësuar realizimin e dashurisë mes tyre. Dy të rinj shqiptar në këtë film, të cilët u përkasin dy besimeve të ndryshme fetare, në realizimin e dashurisë së tyre hasin në pengesat dhe barierat e bindjeve të prapambetura mbi baza fetare.

Rolin kryesor në këtë film, Gencin, e luan vetë regjisori Valton Jakupi, i cili është i dashuruar në një studente, Albanën, të cilën e luan aktorja Nadija Ukshini. Dashuria e këtyre të rinjve hasë në pengesat e zakoneve prapanike, mbi baza fetare. Por, në ndihmë u dalin të rinjtë përparimtarë, të cilët çështjen kombëtare e vejnë para çdo gjëje dhe ndihmojnë në tejkalimin e pengesave që u dalin dy të rinjve.

Filmi ngërthen edhe probleme tjera shoqërore të komunitetit shqiptar në Zvicër, ndër të cilat është edhe veprimtaria e organizuar e grupeve dhe bandave kriminale. Pre e njërës nga këto grupe bie edhe Albana, të cilës i dalin në ndihmë pjesa e ndërgjegjshme e të rinjve shqiptarë, studentë të profileve të ndryshme. Kështuqë Albanën e gjejmë në mesin e pengesave për realizimin e dashurisë dhe sulmeve të bandave kriminale. Filmi kështu në dramacitetin e vet merr hov dhe intenzitet në aksion, ku bandat kacafyten me njëra tjetrën si dhe me studentët.

Pra, filmi njëkohësisht shpalos dhe trajton edhe këtë dukuri tjetër negative brenda komunitetit shqiptar në Zvicër. Banda udhëhiqet nga aktori Naski Abdixhiku në rolin e bosit të bandës, e cila jo vetëm kontrollon një qytet të tërë dhe bën krime të ndryshme, si tregtimi me lëndë narkonike, alkoholin, fajdet, vrasjet e fshehta, por përpiqet t‘i manipulojë edhe studentët për t‘i përfshirë në rrjete kriminale. Por kjo bandë kriminale ndiqet nga organet e policisë zvicerane dhe në fund arrestohet, duke iniciar hetimet lidhur me aktivitetin kriminal të kësaj bande në Zvicër, Kosovë, Gjermani, si dhe në vende tjera evropiane.

Regjisori Valton Jakupi në këtë film ka angazhuar edhe aktorë tjerë, siç është Shukri Ademi në rolin e Milotit me prejardhje nga Çamëria, i cili ndihmon shokët dhe vëllezërit e një gjuhe dhe gjaku pa kurrfarë rezervash. Sidomos në ballafaqimin me babain e Albanës, Markun, të cilin e luan aktori Fatmir Salihu.

Marku është një burrë zakoni, i traditës, por edhe patriot i flaktë, i cili ka qenë shumë aktiv në aktivitetin patriotik të kurbetçarëve shqiptarë, duke marrë pjesë nëpër protesta e demonstrata, në të cilat shpesh edhe ka mbajtur fjalime. Tani para Markut gjendet një kundërshtar i fortë dhe e mbështet me shpatulla për muri. Ai Mark që nuk donte t’ia dinte fare për forcën e pushtuesit, tani ndjehet i dobët para një armiku përçarës brenda përbrenda komunitetit shqiptar – ndasisë fetare. Kjo Markun jo vetëm e dobëson, por edhe e bën antipod të tij në karakter, nga një kurbetçar patriot që mbi çdo gjë dhe para çdo gjëje vë kombin dhe çështjen kombëtare, tani, kur në pyetje është e bija e tij që dashuron një djalë po shqiptar, por me një besim tjetër fetar, për Markun sikur çështja fetare ngre kokën dhe del në plan të parë. Të rinjtë e edukuar nga vetë Marku ngriten kundër këtyre zakoneve prapanike, duke e vënë Markun në siklet të madh, sepse ai vet u kishte thënë se ne jemi shqiptarë, pa marrë parasysh besimin fetar, se çështja e kombit dhe kombi janë para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetrër. Duke u ballafaquar me këtë rezistencë të fuqishme dhe të pathyeshme të të rinjve, Marku sikur zgjohet nga një kllapi e çastit dhe kërkon të ballafaqohet me djalin që dashuron e bija e tij, Albana.

Por jo vetëm Marku është në presion të ndikimit fetar. Edhe Reshati, të cilin e luan aktori Agim Sylejmani, është të thuash në të njëjtat pozita me Markun, me të cilin kishte një shoqëri të hershme dhe e respektonte për aktivitetin e tij patriotik. Gati të njëjta fjalë ia thotë ai djalit të tij, Gencit, kur ky i tregon për dashurinë e tij.

Në këtë film janë të inkuadruar edhe ektorët si Teuta Sadiku, Liridon Veseli, Abdullah Bajrami, Bujar Ademi, Albert Ahmeti, Aid Beqiri, Etina Abdixhiku, Mirlinda Berisha, Ardita Jonuzi, Blerim Hasani, Vjollca Ademi etj.

Realizimi i filmit mendohet të zgjatë mbi tre muaj, ndërsa premiera e filmit mendohet të mbahet në kantonin St. Gallen dhe në Bujanoc, ndërsa pritet të shfaqet edhe në vende tjera

 
Leave a comment

Posted by on April 20, 2015 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: