RSS

ALFABETI LATIN I GJUHËS SHQIPE, VENDIM DHE DËSHMI SE JEMI PJESË PËRPARIMTARE E BOTËS DEMOKRATIKE EUROATLANTIKE

24 Nov

ismet sylejmani 1

Fjalim mbajtur në qytetin e Manastirit me rastin e 107-vjetorit të Kongresit të Gjuhës Shqipe

I nderuar zv/Kryeministër i Maqedonisë, z. Musa Xhaferi,
Të nderuara personalitete të shkencës, të kulturës dhe të politikës shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe nga viset e tjera shqiptare,

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Para 24 vjetëve, në muajin qershor dhe shtator të vitit 1991, me shokët e bashkëveprimtarët e mi, tani heronj të kombit, të pavdekshmit Xhavit Haziri, Ahmet Haxhiu dhe Arif Seferi, duke shkuar në Shqipëri, kur ishim ilegalë, kemi kaluar nëpër këtë qytet themel të kulturës mbarëshqiptare, me mision zyrtar luftarak e çlirimtar të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, kurse sot jam shumë i nderuar që më është dhënë rasti e më është bërë nder të mbaj një fjalë para jush këtu në Manastir, në djepin e lindjes së alfabetit të gjuhës shqipe.

Kanë kaluar vite e do të kalojnë edhe shekuj e mijëvjeçarë. Historia ka dëshmuar e do të dëshmojë edhe më tutje se populli shqiptar dhe gjuha jonë shqipe do të jenë të pavdekshme përgjithmonë.

Edhe pse nuk e dimë saktë se kur kemi filluar të flasim shqip, e dimë saktësisht që, pas vendimit në shtëpinë historike të këtij qyteti për shqiptarët, kemi filluar të shkruajmë shqip.

Motra dhe vëllezër,
Pa ABAZI-n, pra pa këto shkronja të këtij emri të madh e të lavdishëm, por edhe pa shumë emra të shokëve e të veprimtarëve të tjerë të lëvizjes politike ilegale atdhetare patriotike e të luftës titanike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, nuk do të ishte e mundur që në këtë kohë të bëheshin nderime këtu.

Me shumë stoicizëm e heroizëm është qëndruar, por edhe shumë është luftuar për të shkruar me shkronjat e këtij alfabeti që, për fatin tonë të madh, doli nga ky vend i shenjtë e i shtrenjtë për ne shqiptarët.

Pra, këto shkronja të këtij emri janë vulë nderi në ballin e nderit të ngjarjeve të mëdha të lavdisë së popullit shqiptar e të kongresit historik të shkronjave shqipe.

Të nderuar të pranishëm,
Personazhet, patriotët, atdhetarët, burrat e mëdhenj të kombit, ata që i hodhën këtu themelet e shkronjave shqipe: Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Bajo Topulli, Mihail Grameno, Shahin Kolonja e shumë të tjerë, ishin, janë e do të mbeten figura legjendare historike, të dashura e të admiruara përgjithmonë nga populli e shkenca jonë shqiptare, por edhe nga ajo përparimtare botërore.

Në ato kohë të turbullta të Atdheut tonë, përcaktimi për alfabetin latin, kur Atdheu vazhdonte të rënkonte nën thundrën e pushtuesve barbarë turq, ishte jo vetëm përcaktim patriotik e atdhetar, por edhe fitore historike.

Rreshtimi pro-evropian e pro-botës së civilizuar e demokratike që atëkohë, sot na bënë të ndjehemi krenarë e të lumtur dhe të mburremi përgjithmonë me atë pikëpamje.

Po ashtu, alfabeti ynë dëshmon se të parët tanë e dinin se vendi ynë ishte evropian, prandaj përcaktimi në atë kohë për alfabetin shqip me shkronja latine ishte vendim i jashtëzakonshëm nëpërmjet të cilit u dëshmua se jemi pjesë përparimtare e botës demokratike euroatlantike.

Ajo ngjarje padyshim se është kryevlerë, se na bëri të ecim me hapat e parë drejt një drite që na shpuri në komunikimin tonë edhe me anë të letrave shqipe.

Jetë të gjatë popullit shqiptar dhe shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe që lindën këtu në Manastir!

E ftoj drejtorin e Muzeut të Alfabetit të vijë ta marrë këtë emër të shtrenjtë e të shenjtë për shqiptarët, që është pseudonimi i udhëheqësit të popullit shqiptar, kryetarit tuaj, shokut e mikut tonë, Ali Ahmeti.
Faleminderit!

Ismet Sylejmani
Maqedoni/Manastir,
22 nëntor 2015

 
Leave a comment

Posted by on November 24, 2015 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: