RSS

FJALË RASTI NË VEPRIMTARINË E SHPALLJES SË ZONJËS HANIFE MALAJ, QYTETARE NDERI NGA KUVENDI I KOMUNËS SË GJILANIT

06 Dec

mehmet hajrizi

Fjalë rasti nga Mehmet Hajrizi me 27 Nëntor 2015 të mbajtur në Gjilan

I nderuar kryetar i Komunës, zoti Lutfi Haziri

E nderuara kryesuese e Kuvendit Komunal, zonja Valentina Bunjaku – Rexhepi

E dashur Hanife

Të nderuar të pranishëm

 

Ndjehem kaq mirë sot në këtë veprimtari nderimi për motrën tonë, Hanife Malaj. Hanifja meriton të nderohet për përkushtimin e saj jetësor e të përunjur ndaj çështjes së lirisë e të atdheut, ndaj veprimtarisë revolucionare të të shoqit, heroit Rexhep Malaj dhe ndaj familjes së saj.

Hanife Malajn nuk duhet parë thjeshtë vetëm si bashkëshorte të Rexhepit. Figura e Rexhep Malajt, sado e madhe që është, nuk eklipson asnjë tjetër, por duke rrezatuar dritë të amshueshme, ajo ndriçon e rritë edhe të tjerët që ishin krah tij.

Formimin e personalitetit të Hanifes do parë në tri dimensione. Si Hanife Limani, në gjininë e saj, ajo lindi dhe u rrit e edukua në një familje atdhetarësh, ku kultivohej ndjenja liridashëse dhe fryma e sakrificës në shërbim të atdheut. Si Hanife Malaj, ajo gjeti një familje tjetër, të trimërisë dhe burrërisë tradicionale, duke lidhur jetën dhe fatin e saj me luftëtarin e madh e të paepur të lirisë së Kosovës, me revolucionarin e shquar, Rexhep Malaj. Duke qenë besnikërisht në krah të tij, Hanifja e bënte edhe më të madh, më të guximshëm dhe më të vendosur Rexhep Malajn.

I ndodhur në burg e nën tortura, Rexhepi ka pasur shumë andralla dhe shqetësime, ndër më të ndryshmet, por asnjëherë për familjen e tij, mos do të ligështohej, mos do ta koritte a mos do të epej, sepse e dinte kë kishte lënë atje dhe cili do të ishte qëndrimi i tyre ndaj armikut dhe ndaj miqve të shumtë. Ky fakt nuk mund të kalohet me një fjali, sa për të thënë, sepse ka bërë forcën e qëndresës së Rexhepit dhe të dhjetëra mijë të  burgosurve politikë, të veprimtarëve e të luftëtarëve shqiptarë.

Gratë që besnikërisht presin burrat e tyre, shpesh identifikohen me Penelopën e mitologjisë së lashtë greke, të skalitur aq bukur nga Homeri i madh, e cila e priti të shoqin e saj, Odiseun e betejave heroike, për njëzet vjet rresht. Por, duhet parë nëse vetë Penelopa mund të identifikohet e të krahasohet me gratë heroina shqiptare, të cilat nën terrorin serb, në mungesë të mjeteve të jetesës, përballë intrigave denigruese që thurte  rrjeti i agjentëve të UDB-së për të shkatërruar familjet përfaqësuese morale  shqiptare, pritën me besnikëri të fejuarit e bashkëshortët e tyre, pa qenë hiç të sigurta se do t’u ktheheshin të gjallë. Ato rritën dhe edukuan fëmijët duke u bërë nëna e baballarë njëkohësisht dhe me thonj siguruan një kothere  bukë për ta. Hanifja priti e priti sa herë t’i kthehej i shoqi, pa qëndruar duarkryq, por duke vepruar në emër të dashurisë për të dhe të dashurisë për atdheun. Hanifja u doli përballë me kokë lart dhjetëra ekipeve policore, të cilat me rrëmujë, bërtitma histerike dhe vringëllim armësh bastisnin shtëpinë e saj, duke përmbysur me këmbë e me duar çfarë gjenin përpara.  Ajo priti e përcolli mijëra bashkëveprimtarë e bashkëveprimtare të Rexhepit, me dinjitet e krenari. Ata shkonin t’i jepnin kurajë, por ktheheshin duke marrë kurajë prej saj. Ajo priti dhe e rriti të bijën, Fitoren, me porositë e të atit dhe me shpirtin e tij atdhedashës, sepse e kishte obligim të trefishtë, ndaj Xhepës, ndaj vetes dhe ndaj atdheut. Nderimi dhe mirënjohja shoqërore a institucionale për secilën prej këtyre grave emblematike, do të përjetohet jo vetëm si dedikim në plan personal, por edhe kolektiv, sepse bëjnë një shtresë të tërë elite të grave shqiptare.

Në këtë natë feste të madhe, të pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit tonë kombëtar, unë dua t’i uroj Hanifes, simotrave të saj, juve në këtë sallë dhe gjithë shqiptarëve, gëzuar për jetë e mot 28 Nëntorin!

Falë gjakut të Rexhepit dhe të mijëra dëshmorëve të tjerë, ky flamur valon i lirë sot në Kosovën e martirizuar sa herë në historinë e saj të dhembshme e krenare njëkohësisht.

Vajzat e reja shqiptare uroj të bëhen bashkëshorte dhe nëna të përkushtuara, sipas shëmbëlltyrës së Hanife Malajt, që po e nderojmë meritueshëm sot.

Lumë Fitorja që është bijë e Hanife dhe Rexhep Malajt!

Faleminderit dhe Gëzuar!

 
Leave a comment

Posted by on December 6, 2015 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: