RSS

TA MBAJMË TË PASHUAR FLAKËN E JANARIT

17 Jan

flaka e janarit

Fjalim mbajtur më 16 janar 2016 në Qendrën e Kulturës në Gostivar

  • I dashur dhe shumë i nderuar udhëheqës i popullit shqiptar, z. Ali Ahmeti! I dashur dhe shumë i nderuar kryetar historik i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Daja Fazli Veliu! Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve të Kombit! I nderuar kryetar i Gostivarit, miku im Nevzat Bejta, përshëndetje kudo që je! Të nderuar vëllezër shqiptarë ortodoksë të Gostivarit e kudo që jeni në tërë Maqedoninë! I dashur popull shqiptar i Gostivarit dhe i Maqedonisë! Të nderuar të pranishëm!

    Muaji janar na ka tronditur gjithmonë nëpër histori.

    Në këtë muaj kanë pushuar së rrahuri zemrat e shqiptarëve të mëdhenj e të lavdishëm.

    Në këtë muaj është derdhur shumë gjak nga shqiptarët liridashës, nga ata që Atdheut tonë e kombit shqiptar ia kanë dashur zemrën, por që edhe e kanë dashur me kokën lartë e të barabartë me kombet e tjera në botën e qytetëruar.

    Nderimi në Flakën e Janarit, që është nderim për udhëheqësit e mëdhenj, për heronjtë e kombit Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, është nderim edhe për tërë ata shqiptarë që Serbisë pushtuese ia kishin mësyrë që me çdo kusht ta nxjerrin jashtë tokave shqiptare në ish-Jugosllavi.

    Flaka e Janarit ishte flaka e luftës për liri që u ndez për të mos u shuar kurrë dhe uroj e besoj se kurrë nuk do të shuhet, se gjithmonë do të jetë flakadan i madh, ku rriten e forcohen uniteti i popullit shqiptar, nderimi e dashuria për të kaluarën dhe ku projektohen fitoret e së ardhmes dhe promovohen udhëheqësit e rinj.

    Sa më shumë që ta mbajmë këtë flakë të ndezur e sa më e madhe që të jetë, aq më shumë do të ndriçohen netët dhe skutat e errëta mbi Atdheun tonë.

    Flakadanin e janarit në ndriçim të Atdheut të popullit shqiptar duhet ta furnizojmë të gjithë, sepse vetëm kështu nderojmë pafundësisht gjakun e derdhur për liri, nderojmë luftën titanike e heroike të tri ushtrive çlirimtare të viseve shqiptare nën ish-Jugosllavi, nderojmë vuajtjet e qindra dhe mijëra atdhetarëve e patriotëve të cilët derdhën pa kursim e pa hezitim mundin dhe djersën e tyre për fitore mbi armiqtë, tradhtarët e kundërshtarët, për një jetë me dinjitet e të barabartë me popujt e civilizuar, për mirëqenie e barazi sikur të botës së qytetëruar të modelit euroatlantik.

    Flakën e Janarit duhet ta kthejmë në eveniment historik nga ku do të bëhen bilancet për të arriturat në të gjitha fushat e jetës së popullit shqiptar. Sa më shumë suksese kombëtare, shkencore, politike, kulturore e në fusha të tjera, që ta shënojmë Flakën e Janarit në të gjithë hapësirën e Atdheut, aq më shumë do të ndjehen të nderuar heronjtë dhe dëshmorët e kombit që na shikojnë lart nga qielli.

    Prandaj, gjithnjë e gjithmonë ta bëjmë sa më të begatë e të lumtur jetën e popullit dhe Atdheut, të mos ndalemi për asnjë çast në detyrat kombëtare karshi popullit e vendit tonë që doli shumë i lodhur e i sfilitur nga luftërat e armatosura çlirimtare e nga zgjedha ish-jugosllave dhe me padrejtësi të mëdha që iu bënë.

    Motra dhe vëllezër, Të nderuar të pranishëm!

    Në janar e në kuadër të Flakës lejohen krahasime e nderime publike, sepse është muaj i dhembjes krenare, por edhe i goditjeve për fitore ndaj pushtuesve të ndryshëm.

    Prandaj, nga kjo tribunë nderi e respekti, që më është bërë ta mbaj këtë fjalim sonte, e që e falënderoj publikisht kryetarin e Këshillit Organizativ, mikun Luan Veliu, dua të vë në spikamë një realitet të madh që, për fatin tonë të mirë, nuk jemi në ëndërr, por e jetojmë drejtpërdrejt.

    Të gjithë e dimë se në 17 janarin e 1468-s ka mbyllur sytë dhe ka pushuar së rrahuri përgjithmonë zemra e madhe e Skënderbeut të lavdishëm, por faktet dëshmojnë se, kur u kthye Skënderbeu në Atdhe, askush nuk e dinte se si do të vepronte, çfarë e kishte ndërmend të bënte komandanti, cila ishte strategjia dhe rruga e tij që do të ndiqte, ndonëse ai kishte vepruar në ilegalitet të thellë në Turqi për t’u kthyer fitimtar në Atdhe dhe asgjë nuk e tregonte dhe nuk e dekonspironte para kohe.

    Por, një gjë dihej, të gjithë bashkëluftëtarët kishin besim te Skënderbeu legjendar, sepse ai po i kthehej tokës së Arbërit të pushtuar nga turqit, i kthehej Nënës me shumë shokë trima, besnikë e të mençur, i kthehej kryekomandant i ushtrisë liridashëse shqiptare, që me sukses u bëri ballë hordhive pushtuese turke.

    Në mesin tonë është Skënderbeu modern i popullit shqiptar!

    Askush nuk po e di se çfarë ka në mendje të bëjë ky njeri i madh e burrë i lavdishëm, pos atyre projekteve që i ka shpalosur deri tani, e të cilat koha dëshmoi se ishin aspiratë madhore dhe legjitime shqiptare e qytetëruar dhe njerëzore universale!

    E pranojmë se të gjithë presim mrekulli nga Ky, sepse është i rrethuar me dashuri e nderim nga populli shqiptar, nga shokë e bashkëveprimtarë besnikë e të ndershëm që punojnë për të mirën e popullit, kombit dhe Atdheut, por edhe të njerëzimit, ngase kjo është porosia e flakës së janarit, është strategjia e kryepersonazheve të saj historikë!

    Populli shqiptar e ka për nder që e ka udhëheqës Ali Ahmetin, që u kthye te Atdheu bash si Skënderbeu, me kontributin e të cilit Flaka e Janarit është shumë e madhe dhe ajo jo vetëm e ndriçon, por me zjarrin dhe flakët e saj do ta ngrohë edhe më shumë trupin e Atdheut dhe mirëqenia e shqiptarëve do të ngjitet niveleve të panjohura kurrë më parë deri më sot në historinë tonë.

    Udhëheqësit tanë t’u ngjajnë sa më shumë udhëheqësve të mëdhenj të popullit tonë që kanë shënuar epoka të papërsëritshme.

    T’i realizojmë në detajet edhe më të vogla amanetet dhe programet politike kombëtare të flakadanëve të janarit!

    Ta mbajmë të pashuar flakën e janarit! Lavdi heronjve e dëshmorëve të Atdheut! Rroftë kombi ynë!

    Ismet Sylejmani, Gostivar, 16 janar 2016

 
Leave a comment

Posted by on January 17, 2016 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: