ismet sylejhmani
Shkruan: Ismet Sylejmani
Prishtinë, 14 shkurt 2016Më 14 shkurt e ka ditëlindjen patrioti e veprimtari i madh i çështjes kombëtare, ish i burgosuri politik, udhëheqësi e sekretari organizativ i Komitetit Drejtues të LPRK-së, heroi i kombit Afrim Zhitia!
Afrim Zhitia
Në vitin e largët, më 14 shkurt 1965, në Llugën heroike të krahinës së Llapit të panënshtruar nëpër shekuj, nëna e madhe Qemile, solli në jetë djalin e saj, Afrim Zhitinë, i cili me aktivitetin e madh e të lavdishëm, u bë nderi dhe krenaria e popullit shqiptar.
Më 14 shkurt është ditëlindja e shqiptarit të madh, Afrim Zhitia, që luftës për liri, historia dëshmon se i kishte hyrë me shumë vendosmëri.
Kishte shumë arsye të mëdha që luftën për liri ta fillonte e të mos e ndalte kurrë ky burrë, sepse që në fëmijëri kur kishte filluar ta mësonte historinë e familjes, ishte informuar se dy gjyshërit edhe nga babai edhe nga nëna ia kishin vrarë të njëjtit armiq, pra pushtuesit serbë.
Ky realitet i hidhur tragjik nuk kishte pasur mundësitë mos të hetohej qartë e të mos vihej në spikamë, që do t’i shërbente për të marrë masa të mëdha organizative, në drejtim të organizimit të luftës politiko-ushtarake të popullit shqiptar të Kosovës dhe Viseve të saj.
Historia e popullit shqiptar, njeh pak, shumë pak shqiptarë që kanë rënë në Prishtinë, duke luftuar me armë në duar!
Dhe njëri ndër ata të pakët shqiptarë të mëdhenj që e ka ujitur Prishtinën me gjakun e tij është edhe Afrim Zhitia, i cili së bashku me Fahri Fazliun, në Bregun e Diellit, u bënë dielli çlirimtar, duke ndriçuar me gjak mbi tokën e robëruar të atdheut të tyre!
Afrim Zhitia i erdhi atdheut si një prej lindjeve më të mëdha, që historia do ta mbajë në memorien e sajë, si thesarin më të çmuar!
Korpusit të madh të luftëtarëve çlirimtarë Afrim Zhitia jo vetëm iu bashkua, por i doli në ballë dhe e udhëhoqi me shumë sukses e dinjitet, duke dëshmuar shkathtësitë e mëdha organizative dhe qartësinë e prerë politike kombëtare, për çlirim të domosdoshëm të Kosovës nga dhuna e Serbisë pushtuese!Me vetëm 24 vjet, heroi i kombit Afrim Zhitia, u bë yll i vërtetë i atdheut.
Edhe në aktivitete të ndryshme shkollore, ku i hyri aktrimit, e kaluara deshmon se kishte shumë talent! Edhe si gjimnazist kur nisi jetën e veprimtarinë e organizuar politike ilegale, ishte i veçantë!
Edhe kur u arrestua e u burgos dhe gjatë tërë qëndrimit në burg qëndroi me stoicizëm e heroizëm!
Ia ndryshuan datëlindjen, për t’ia dhënë tetë vjet burg, ngase ndryshe nuk mund ta dënonin, sepse ishte i mitur e as ligji nuk e lejonte të dënohej!
Është njëri nder të vetmit ose nga të rrallët që kalon në ilegalitet me vetëdije të plotë, këtë e dëshmojnë shumë fakte, por që e vlen këtu të thuhet, se vetëm Afrim Zhitia vjen në Kosovë nga shërbimi ushtarak në pushim dhe nuk kthehet më, por i dërgon me postë rrobat e ushtrisë në kazermën e APJ-së!Të gjithë e dimë se heroi i kombit Afrim Zhitia, atdheut ia kushtoi tërë jetën e tij të paktë në vite, por të rëndë për nga pesha dhe të madhe për nga vlera e saj!
Lavdi e përjetshme, jetës dhe veprës se heroit të kombit Afrim Zhitia!