RSS

NË VITIN 1981 U DHA PROVIMI I ATDHEDASHURISË DHE PJEKURISË POLITIKE

14 Mar
Fjala e Koordinatorit të Këshillit të Rrethit të LPK-së, Kryetar i Këshillit Organizativ të manifestimit për nder të ngjarjeve të vitit 1981, Ismet Sylejmani, mbajtur në Gjilan më 31 mars 2000!

is1

 

Në këto moment, nderi dhe respekti ynë shkon te gjaku i derdhur për liri i dëshmorëve, prandaj Ju ftoj për një minutë heshtje!

LAVDI!

Të dashura familje të dëshmorëve!

Të nderuar përfaqësues të lartë të OKB-së, UNMIK-ut, KFOR-it, dhe OSBE-së!

Të nderuar përfaqësues politikë e ushtarakë të ish-UÇK-së!

Të nderuar eprorë të lartë të TMK-së!

Të nderuar përfaqësues të subjekteve politike dhe jopolitike nga Kosova dhe Gjilani!

Të nderuar ish-pjesëmarrës të demonstrative të vitit 1981!

Të nderuar ish-të burgosur politikë!

Pjesëmarrës të manifestimit!

Në emër të Këshillit Organizativ të subjekteve politike dhe jopolitike të Gjilanit, në përbërje: LPK, LKÇK, PPK, UNIKOMB, LBD, PPDK, PSDK, PLK, PSHDK, PNDSH, LDT, LGJK, UPS, SHBP, KMDLNJ, FISH dhe në emrin tim personal, ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhje.

Gjithashtu nga kjo tribunë shfrytëzoj rastin që në emër të këshillit organizativ dhe në emrin tim personal, t’i dërgojmë një përshëndetje e t’i urojmë shërim sa më të shpejt Komandantit të Zonës së VI-të të TMK-së, Gjeneralmajorit, Shaban Shala!

Motra dhe vëllezër,

Nëna dhe baballarë,

zonja dhe zotërinj!

Gjilani kurrë në historinë e tij, në ditë festash, gëzimesh e përvjetorësh nuk ka pasur dhe nuk ka pritur njerëz më shumë se sot.

Në Gjilan, sot si kurrë më parë, janë renditur njëri pas tjetrit politikanë, diplomatë e ushtarakë të lartë, përkrah figurave të larta të skenës politike e ushtarake botërore, qëndrojnë njëri pas tjetrit politikanët e ushtarakët më në zë dhe të lartë të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të saja.

Dhe gjithë kjo pjesëmarrje e tërë ky entuziazëm, nderon më së miri epokën e lavdishme të vitit të madh 1981. Atë vit që ia vuri themelet të ardhmes shqiptare, jo vetëm të Kosovës, port ë tërë hapësirës gjithëshqiptare.

Të nderuar pjesëmarrës!

Ngjarjet e vitit 1981 ishin paralajmërimi i parë dhe serioz i tërë asaj tragjedie dhe kasaphane njerëzore që do të pasonte më vonë në truallin e larë me gjak të ish-Jugosllavisë, por edhe sinjali përfundimtar, dëshmia më e padiskutueshme, që i tregonte gjithë botës, se shqiptarët ishin të zgjuar, në këmbë, të gatshëm, si një trup.

Regjimi kriminal e gjakatar i ish-Jugosllavisë titiste, asaj krijese të fëlliqur kundër shqiptarëve dhe kërkesave të drejta e të ligjshme të popullit tonë, jo vetëm që u soll në mënyrë të egër e primitive, por në mënyrë të hapur e të organizuar filloi gjahun e shtrigave, që nuk ishte asgjë tjetër, pos paralajmërim i asaj që ngjau më vonë gjatë asaj që tani ka marrë emrin, shekulli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Populli shqiptar i drejtuar me atdhedashuri dhe largpamësi nga bijat dhe bijtë e tij më të mirë, i pakënaqur me pozitën kushtetuese dhe nënshtruese, në të cilën e kishte vënë pushtuesi serbo-maqedono-malazez, por koshient për perspektivën që e kishte përpara, me vendosmëri, kulturë e qytetërim, i doli pa hezitim përballë kuçedrës sllave dhe kështu nisi luftën për jetë a vdekje, për kurorëzimin e të cilës me sukses, u zhvillua një angazhim i përmasave titanike, pasqyra më reale dhe deduksioni më logjik i të cilave, është dhe do të mbetet UÇK-ja.

Ngjarjet e pranverës së luleve të kuqe të vitit 1981, siç do t’ia vënte titullin librit të tij një nga protagonistët kryesorë e luftëtarët më të mëdhenj, dëshmori i kombit Nuhi Berisha, ishin gjurmët e para dhe të pashlyeshme që u ngulitën pamëshirshëm e me forcë, në mendjen e çdo shqiptari të thjeshtë, ishin vija e qartë dhe e prerë e demarkacionit të thellë dhe të gjithanshëm që krijoi te çdo pjesëtar i popullit tonë se me shtypësit dhe shfrytëzuesit nuk kishte rrugë, përpos rrugës së nderit dhe krenarisë dhe kjo rrugë ishte ajo që iu parapriu ngjarjeve të mëvonshme, ku me madhështi shkëlqejnë greva e minatorëve trima dhe klasës punëtore shqiptare, demonstratat e vitit 1989 dhe 1990, greva gjenerale e 3 shtatorit dhe fare në fund Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mekanizmi ushtarako-politik relevant shqiptar dhe faktori ndërkombëtar që i krijuan fitoren përfundimtare popullit shqiptar mbi armiqtë shekullor.

Rruga nëpër të cilën eci e po ecën populli shqiptar për të realizuar aspiratën e tij shekullore, ishte dhe vazhdon të jetë e vështirë, e mbushur me vështirësi dhe me plot rreziqe.

Ka mbetur në mes përcaktimi i luftëtarëve për liri, ajo që ishte përpunuar në tezat për FRONTIN POPULLOR nga Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka, ajo që ishte ideuar në demonstratat e vitit 1981 dhe më vonë tek Partia e Luftës së Kosovës e komandantit sypatrembur të të pamposhturit Rexhep Mala, ende nuk është realizuar në tërësi, prandaj kur studentët dhe rinia kërkojnë më shumë se këtë që e kemi arritur sot dhe kur këto mbështeten fuqishëm nga populli ashtu siç më 1981, politikanët dhe udhëheqësit tanë nuk duhet të manifestojnë servilizëm politiko-diplomatik qyqar përpara kujtdoqoftë, duke thënë se kjo që realizuam është e mjaftueshme, ngase kjo nuk është e vërtetë, sepse nën ombrellën e Millosheviqit dhe klikës së tij gjakatare, mbahet e pushtuar një pjesë e tokës shqiptare, që ishte dhe do të jetë e bashkuar me Kosovën, dëshirë dhe manifestim që është shprehur edhe me referendum popullor, që edhe opinion botëror e di se ajo quhet Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Të nderuar pjesëmarrës!

Viti 1981, ishte viti që jo vetëm shqiptarët i këndelli, por edhe opinionit ndërkombëtar iu bë e qartë se një shtet çfarë ishte ish-Jugosllavia, jo vetëm që shkelin pamëshirshëm të drejtat e njeriut që ishte një konstantë e pandryshueshme ndaj shqiptarëve, por edhe bëhej gjenocid ndaj një populli të tërë, që ishte krim monstruoz kundër njerëzimit, që u dëshmua më vonë po ashtu edhe kundër popullit tonë dhe popujve tjerë.

Ngjarjet e vitit 1981 ishin prova e parë gjenerale për luftëtarët e lirisë dhe në përgjithësi dhe në përgjithësi për popullin shqiptar.

Në këtë vit u dha provimi i atdhedashurisë kombëtare dhe i pjekurisë politike. U shtrua rruga për të ardhmen, frytet e së cilës kemi filluar t’i shijojmë sot kur ende nuk jemi plotësisht të pavarur, po nesër…

Aktorët kryesorë e drejtuesit e atyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, por edhe pionierët që u bartnin ujë e bukë, qepë e gurë demonstruesve, gjatë luftës që e zhvilluan kundër hordhive pushtuese serbe nën emblemën e shenjtë të UÇK-së, ishin shumë nga ata që e derdhën gjakun në fushëbeteja të luftës për liri, ishin shumë nga ata që luftuan si luaj të vërtetë në frontet e luftës për liri, por edhe nga ata që e përfaqësonin Kosovën nëpër forumet ndërkombëtare dhe më në fund e udhëhoqën Kosovën edhe në Rambuje.

Demonstratat dhe grevat e studentëve, punëtorëve dhe popullit shqiptar, në përgjithësi kundër dhunës e shfrytëzimit serbo-maqedono-malazez, ishin të drejtuara me kompetencë e përgjegjësi nga drejtuesit e lartë si: Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi, Ali Lajçi, Merxhan Avdyli etj., dhe figura më pak të njohura të asaj kohe si: Mehmet Hajrizi, Ali Ahmeti, Gafurr Elshani etj., nuk lejuan që ngjarjet të merrnin karakter hakmarrës kundër popullsisë joshqiptare e veçanërisht asaj serbe. Ai kurs e ato përcaktime vazhduan dhe ishin një nga përcaktimet dalluese që u është përmbajtur rreptësisht në të gjitha nivelet e hierarkisë udhëheqëse, jo vetëm UÇK-ja, por edhe të të gjitha shtresat e popullit shqiptar të Kosovës.

Mbi këtë bazë e mbi këtë platformë që janë verifikuar gjatë ngjarjeve të pranverës 1981 dhe gjatë epokës së UÇK-së, do të veprojnë edhe në të ardhmen e cila patjetër që do të jetë demokratike, tolerante dhe e respektit të lartë, sepse ky jo vetëm që është përcaktimi i popullit shqiptar të Kosovës, por është edhe dëshira dhe kërkesë e faktor ndërkombëtar në krye me SHBA, Anglinë dhe shtetet e aleancës së NATO-s.

Nga ky manifestim i bëjmë thirrje opinionit ndërkombëtar vendimmarrës: ndërhyni më me vendosmëri tek organet serbe për lirimin e të burgosurve politik dhe pengjeve shqiptare që po kalbën burgjeve më famëkëqija të Serbisë, sepse derisa të mbahen shqiptarët nëpër kazamatet serbe, politikanët shqiptarë do ta kenë të vështirë që ta bindin popullin që të bashkëjetojnë në harmoni të plotë me pakicën e pafajshme serbe në Kosovë, e lërë më me ata që i kanë të përlyera duart me gjakun tonë.

Prandaj i themi bashkësisë ndërkombëtare e veçanërisht miqve tanë më të mëdhenj SHBA-ve, se po dëshiruat qetësi, rregull e demokratizim të shpejtë e afatgjatë në Kosovë dhe ne në këtë nuk dyshojmë, duhet të ndërhyni me shpejtësi e vendosmëri për lirimin e të burgosurve, sepse vetëm duke i liruar të burgosurit dhe duke u pavarësuar Kosova, do të ketë kuptim të mirëfilltë EPOPEJA E MADHE E PRANVERËS SË VITIT TË MADH 1981 dhe EPOKA TITANIKE SHQIPTARE E USHTRISË SË LAVDISHME ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS.

Me Kosovë të pavarur e pa të burgosur politik dhe pengje të luftës, do të jemi të lirë, do të jemi të gëzuar, do të jemi të jemi të liruar nga emocionet e hakmarrjes, që edhe me Kanun e kemi dënuar me shumë se sa vrasjen dhe si të tillë do të jemi të gatshëm të ndërtojmë rend të mirëfilltë demokratik e shtet të drejt ligjor.

Pra bashkësi ndërkombëtare dhe aleat tanë të mëdhenj, ne jemi për PO.

LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT!

LAVDI EPOPESË SË MADHE TË VITIT 1981!

RROFTË POPULLI SHQIPTAR!

Ismet Sylejmani 31 mars 2000 Gjilan

is 2

 

is 3

 

is 4

 

is 5

 

ismet sylejmani ne tubim

 
Leave a comment

Posted by on March 14, 2016 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: