RSS

SYQELTËSIA KËRKOHET MË SHUMË SE KURRË

14 Mar

agim sylejmani

Shkruan: Agim Sylejmani

Sot popullit të Kosovës po i jepen leksione nga i hurit dhe i litarit. Andaj kërkohet një syqeltësi, apo siç jemi mësuar ta quajmë, vigjilencë. Deklaratat e politikanëve të huaj dhe përfaqësuesve të huaj duhet të dëgjohen dhe lexohen me vëmendje. Të paktën të mos na shesin dushk për gogla dhe mos të na servirin sapunin në vend të djathit.

Shkas për këtë shkrim është intervista e përfaqësuesit evropian, Samuel Zhbogar, dhënë televizionit publik të Kosovës, për të cilën sot lexova në preshevajonë.com një portal në gjuhën shqipe.

Intervista e këtij farë Zhbogari duhet lexuar me vëmendje për të ardhur në një përfundim shumë qesharak:

Pos tjerash ai thotë: ““Kjo është një re e zezë mbi Kosovën, dhe vetëm kjo gjykatë mund ta largojë atë”, ka përfunduar Zhbogar”. Pra, pretendimet të cilat askush nuk mund as t’i paramendojë se kanë mundur të ndodhin, qenka “një re e zezë mbi Kosovën”! Le ta zëmë se paska diçka në këtë mes dhe mund të ketë ndodhur diçka nga kjo që po pretendoka raporti i Dick Marty. Ta zëmë qenkan një dyzinë që qenkan vrarë në këtë mënyrë, apo disa dhjetra. E gjithë kjo po përfundoka si një “re e zezë mbi Kosovën”, edhe pse ato kanë mundur t’i kryejnë (nëse i kanë kryer) individë të caktuar. ndërsa gjithë ato krime monstruoze, gjithë ai gjenocid biblik nuk paraqitkan fare një “re të zezë” sadoqoftë të vogël! as vrasjet dhe masakrat makabre në Bosne e Kroaci nuk u quajkan si “re e zezë mbi Serbinë”, së cilës si një lloj “dënimi” e avancojnë në të gjitha nivelet evropiane, duke ia hapur dyert në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe duke plotësuar çdo kërkesë të tyre…. Në anën tjetër për Zhbogarin as kufomat e shqiptarëve të masakruar që presin riatdhesim, kofoma që rrijnë qe 16 vite në çadrat e Batajnicës, nuk janë ndonjë “re e zezë për Serbinë”, jo, për të kjo nuk ka ndonjë vlerë, sepse jeta e shqiptarëve për të dhe shumëkë si ai nuk ka ndonjë vlerë….

Çuditem se çfarë bëjnë politikanët, gazetarët, OJQ-të, avokati i popullit, KMLDNJ, institucionet shtetërore dhe shoqëria civile, në këso rastesh kur një i tillë si Zhbogar mbulon gjithë Kosovën me re të zeza sikur të jetë ndonjë hyjnor dhe i paprekshëm, e ata rrinë, siç thotë poeti “… pinë mastikë e qesin petlla n’ujë, rrinë t’u kqyrë ushtarët e huaj a e kanë kalin at apo pelë!!!….”

Në një anë ai thotë se BE-ja nuk përzihet në punët e brendshme, ama nuk harron të thotë se ata e dënojnë gazin lotsjellës! A nuk është kjo një përzierje në punët e brendshme?

Zhbogar thotë edhe: “… se tani që Kosova e ka zgjedhur presidentin e ri, i njëjti do të duhej të vazhdonte të kërkonte zgjidhje në dialogun politik mes qeverisë dhe opozitës”. Po, si jo. Hashimi tash duhet të kërkojë zgjidhje dhe ate jo përmes dialogut, siç thotë Zhbogar, por ai është duke përdorur aparatin e dhunës policore kundër qytetarëve dhe kundër opozitarëve. Ai ka hedhur prapa grilave një numër të konsiderueshëm të opozitarëve. A kështu qenka kjo farë zgjidhje sipas Zhbogar-it? Ai nuk duhet harruar se në vitin 1989 as Millosheviqi nuk ka “ditur” t’i burgosë parlamentarët e Kosovës, të cilët shpalllën deklaratën e pavarësisë. Ndërsa ky i vetëshpallur dhe vetëzgjedhur president me forcën dhe dhunën policore si në parlament ashtu edhe jashtë parlamentit, dhe duke i blerë me paratë e taksapaguesve të Kosovës deputetët mjeranë, ky pra sipas Zhbogarit po dashka të bëjë “zgjidhje”.
Unë kisha kërkuar nga ai të më përgjigjet vetëm në një pyetje fare të thjeshtë:
Çfarë do të bëhej në vendin e tij sikur qeveria, presidenti dhe kryesia e Parlamentit të vendit të tij të mbushnin palamentin me policë me maska, sikur në vendin e tij të burgoseshin parlamentarët dhe sikur ai pushhtet të hidhte gjithë atë polici kundër qytetarëve të tij? Po Zhbogari vetë çfarë do të thoshte në raste të tilla?
Bashkatdhetarë dhe bashkëqytetarë të mi të dashur, ju që keni vuajtur të zitë e ullirit nga i hurit dhe litarit, hapni sytë dhe të jeni vigjilentë për situatën të cilën po e jetojmë dhe kur “re të zeza” e kanë kapluar qiellin e Kosovës, tamam siç thotë Zhbogari dhe ajo kënga “po sjell era re të zeza, … na ka shkelë hasmi te dera”. Pra, syqeltësia kërkorkohet më shumë se kurrë deri më sot. Në pyetje është vetë qenësia e Kosovës si shtet.

 

 
Leave a comment

Posted by on March 14, 2016 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: