RSS

Shenja më dalluese e Hasan Prishtinës është dashuria dhe përkushtimi i kulluar ndaj Atdheut

26 Apr

ISMAIL SYLA

Shkruan: Ismail Syla, Prishtinë

Hasan Prishtina është hartues dhe ideator i disa programeve politike të rëndësishme ku zakonisht përmblidhen në tetë, dhjetë, katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë pikë. Pas leximit të librit të Tahir Abdylit dhe veçanërisht atij të Branisllav Sinadinovskit, të dytë me emrin thjesht “Hasan Prishtina” , dolën këto tetë (8) pika të leximit për një shkrim publicistik.

1504042_10201804086477339_778766487_n

 

 

1. Shitja e pasurisë për çështjen kombëtare

Në kohën kur Perandoria Osmane po shthurej dhe trojet shqiptare të ndara në katër vilajete ishin të rrezikuara për t’u copëtuar nga fqinjët sipas qëndrimeve të marrëveshjeve dhe kongreseve ndërkombëtare njëri nga liderët e “komplotit të Taksimit” (lagje në Stamboll), Hasan Prishtina vendos të kthehet në vendlindje për të organizuar kryengritjet. Hasan Prishtina vlerëson se koha nuk pret. Duke mos shpresuar në mbledhjen e ndihmave financiare për përgatitjen e kryengritjeve që do të duhej të shpërthenin në tërë territoret e tokave shqiptare, që iu besua Ismail Qemalit, ai nuk pret. Shet një pjesë të madhe të pasurisë së tij siç shkruan në librin e kujtimeve “Një shkurtim kujtimesh për kryengritjen shqyptare të vjetit 1912”: …nëse nuk plotësohen kërkesat tona, do të shpërthejë revolucioni. Dhe, ndër të parët që do të kapë armën, do të jem unë. Si shenjë se ka filluar kryengritja do të jetë: kur t’i mbath opingat, do të dal në Drenicë. Dhe mbajta fjalën. I shita të gjitha depot e mia në Shkup, sepse na duheshin paratë dhe erdha këtu. Sot, në kullën e këtij trimi (Ahmet Delisë, vër jonë) besnik po e ngremë flamurin e lirisë, atë të Skënderbeut dhe i shpallim luftë Turqisë” (sipas librit Hasan Prishtina të B. Sinadinovskit. f. 304)

2. Elementi njerëzor kryengritës dhe gatishmëria për të vdekur për atdhe

Duke lexuar shënimet biografike të Hasan Prishtinës dhe burimet tjera historiografike bie në sy elementi luftarak i shqiptarëve të Kosovës. Ata janë të gatshëm të luftojnë për liri. Këtë e kishte parë me sytë e tij njeriu që kishte ndërgjegje të lartë kombëtare, që njihte raportet e fuqive politike, ambiciet e fqinjëve dhe dalëngadalë po zbulonte edhe dobësitë e lëvizjes kryengritëse. “Unë i mbatha opingat dhe u nisa nëpër Kosovë. U takova me luftëtarë dhe udhëheqës, u nisa nga Drenica ime, sa për ta ditur ju, unë jam nga Polaci. Edhe nëna ime është nga Drenica, nga malet që shtrihen midis Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ku i vogël e i madh fle me pushkë nën kokë, kurse në punë shkon me pushkë në krah. Prandaj edhe besën e parë për atdheun e dhashë me malësorët nga Drenica, në fillim veç e veç, pastaj grup pas grupi dhe në fund të gjithë bashkërisht, u betuan edhe viset tjera. (f.305).

Se lëvizja kryengritëse ishte e fuqishme dhe me nivel të lakmuar e tregon edhe një raport i konsullit të përgjithshëm të Mbretërisë së Serbisë në Shkup, dërguar ministrit serb për Punë të Brendshme në Beograd më 29 korrik 1912 ku shkruante:

“Ushtria e tyre është koncentruar rreth të gjitha fshatrave shqiptare dhe serbe… dhe te ta mbretëron rendi që është për çdo lëvdatë (f.280)

3. Vizioni i qartë politik dhe kufizimet e komandantëve

Kryengritjet shqiptare të viteve 1908 deri në pavarësinë e Shqipërisë treguan më së miri vullnetin por edhe dobësitë e lëvizjes shqiptare. Ndërkaq, kryengritjet e Kosovës përgjatë vitit 1912, të ideuara dhe të organizuara drejtpërdrejt nga Hasan Prishtina dhe të ndihmuara edhe nga atdhetarë tjerë, krijuan kushtet që faktikisht të shpallet pavarësia e Shqipërisë. Këto kryengritje, por edhe zhvillimet politike pas pavarësisë, treguan se sa të mëdha janë të metat dhe kufizimet e komandantëve shqiptarë. Hasan Prishtina nuk e rreshti veprimtarinë edhe kur u ballafaqua me dobësi të thella të Isa Boletinit, Bajram Currit, Azem Bejtës dhe të prijësve tjerë, të cilët i përkisnin pa dyshim krahut progresist të lëvizjes kombëtare.

Zhvillimet e ndërlikuara politike ballkanike, politika e egër e fqinjëve, mungesa e vizionit të qartë të disa prej prijësve të kryengritjes, kanë bërë që kryengritjet e Kosovës të mos e arrijnë synimin e tyre, ndonëse ato krijuan situata frikësuese për kundërshtarët e synimeve shqiptare.

Se në çfarë pozite të rëndë ishte lëvizja kryengritëse e vitit 1912, që kulmoi me pushtimin e Shkupit, se çfarë trysnie dhe luftë speciale bëhej kundër unitetit të faktorit politik dhe ushtarak shqiptar , tregon sërish një raport tjetër i konsullit të përngjitshim serb, i gushtit 1912: “nuk është e qartë se çfarë kërkojnë shqiptarët, sepse midis tyre janë lëshuar shumë agjentë provokatorë për të mbjellë pakënaqësi dhe mashtrime.” (f.283)

4. Ndriçimi arsimor dhe emancipimi kulturor

Hasan Prishtina i përket plejadës së artë të intelektualëve shqiptarë i cili përqafoi përcaktimin e qartë për alfabetin latin të Kongresit të Manastirit, dhe konsideronte se klubet e reja politike “luftën për alfabetin latin do të shndërrojnë në një ofensivë të përgjithshme për çlirim kombëtar të popullit shqiptar” (f. 134). Rreshtimi nga ky alfabet është një fitore historike e shqiptarëve si orientim qytetërimor (civilizues). Te Hasan Prishtina është vërejtur me të drejtë dimensioni i thellë kulturor i alfabetit latin, që sipas tij duhet të ngrihet në nivel dhe vlerë të orientimit politik. Hasan Prishtina kishte vërejtur dinakërinë e xhonturqve që përpiqeshin të mbillnin përçarje tek shqiptarët e sidomos “te ajo pjesë e popullatës, ku vetëdija kombëtare ishte në nivel të ulët. Duke e ditur këtë fakt, për ta ndarë popullatën shqiptare, xhonturqit predikonin se alfabetin latin mund ta zbatojë vetëm katolikët shqiptarë, kurse myslimanët shqiptarë ftoheshin ta pranojnë alfabetin arab. (f.130).

Edhe në aspektin individual Hasan Prishtina u shqua kur me mjete financiare private dërgoi 10 nxënës në normalen e Elbasanit, edhe 25 në shkollat bujqësore të Budapestit. (f. 136.)

5. Luftëtar i pareshtur për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë

Pavarësisht dobësisë së përgjithshme shqiptare dhe fuqisë së madhe agresive të fqinjëve, Hasan Prishtina është personaliteti më i përkushtuar për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, që prej momentit kur u shpall ajo pjesë e territorit e pavarur më 28 nëntor 1912. Për simbolikë të kësaj ndarjeje është edhe fakti që ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë, Hasan Prishtina ishte i burgosur në Beograd. Nuk ka paraqitje publike, shkrim, program politik, apel apo forma tjera ku Hasan Prishtina nuk flet Kosovën e pushtuar nga Serbia, përkatësisht Mbretëria jugosllave, për shtypjen, shpërnguljen dhe kolonizimin e tokave shqiptare. Ai nuk hoqi dorë asnjë çast nga ëndrra për çlirimin e Kosovës. Nga burimet historiografike del se ka çmuar veçanërisht lartë luftëtarin Azem Galica.

6. Akti i dorëheqjes për të mos thelluar ndarje të reja midis shqiptarëve

Në historinë e Shqipërisë është shënuar zgjedhja e Hasan Prishtinës kryeministër i qeverisë shqiptare më 8 dhjetor 1921. Kjo zgjedhje zgjati vetëm katër ditë. Hasan Prishtina, një patriot i kulluar shqiptar, dha dorëheqje pas përhapjes së rrufeshme të etiketimeve dhe frymës së tij se gjoja: “në kabinetin e tij u inkuadruan vetëm gegë dhe irredentistë kosovarë dhe se ishin të paguar nga Italia që t’i shpallin luftë Jugosllavisë. Këto lajme të pavërteta shumë shpejt dhanë rezultate, kështu që një pjesë e oficerëve, administratës dhe arsimtarëve në Tiranë organizuan demonstrata para objektit të Këshillit të Lartë dhe Qeverisë. Hasan Prishtina i vetëdijshëm se demonstratat mund të shkaktojnë ndarje të reja midis shqiptarëve, vetëm katër ditë pas formimit të kabinetit dha dorëheqje” (f.188)

7. Vrasja e tij dhe boshllëku i lëvizjes kryengritëse në Ballkan

Vrasja e Bajram Currit, Luigj Gurakuqit dhe Hasan Prishtinës janë ndër vrasjet politike më të ndjeshme pas periudhës së pavarësisë së Shqipërisë. Në një raport sekret italian të datës 17 gusht 1933 del një konstatim interesant lidhur me boshllëkun që ka lënë Hasan Prishtina për lëvizjen kombëtare por edhe atë në nivel të rajonit. Sipas raportit thuhet: “…vdekja e Hasan Prishtinës shkaktoi ndalim të aktiviteteve revolucionare të popujve të robërua r të Jugosllavisë… është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur të gjendet një person i cili do ta zëvendësojë dhe do ta vazhdojë të njëjtën rrugë me të njëjta mendime dhe praktikë si Hasan Prishtina… nga tërë numri i njerëzve që e kanë tërhequr vëmendjen, nuk mund të gjendet asnjë me cilësitë e Hasan Prishtinës si diplomat, politikan dhe revolucionar. Por njëkohësisht të jetë person me prestigjin e HasanPrishtinës, i cili mosbesimin e lindur të popullit shqiptar do ta kapërcejë në mënyrë triumfuese, sikurse atë do ta bënte Hasan Prishtina. (f.270). Ky mosbesim i lindur sigurisht është pasojë e robërisë së gjatë, e jetës fisnore, e mungesës së institucioneve autentike shqiptare, mosbesim në institucione të huaja, por edhe në synime politike të ndryshme që vlonin mes popujve të Ballkanit. Shekulli njëzet e një po e demanton gjithnjë e më shumë këtë cilësim, sepse shqiptarët me sado dobësi dhe sado vonë, disi e kanë gjetur çelësin e mënyrës triumfuese (Shqipëria në NATO dhe Kosova e pavarur).

8. Humanizmi si vlerë universale e lëvizjes çlirimtare shqiptare

Shpirti i Nënë Terezës, e cila pritet të shenjtërohet më 4 shtator 2016, fryma demaçiane e lirisë dhe lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë pjellë e rastësishme. Ato kanë një bazament tek e kaluara e ndritshme historike. Një bazament të frymës civilizuese dhe humane e vërejmë tek “Programi i përgjithshëm për kryengritjen e Kosovës n vitin 1919”, që përmban dhjetë (10) pika, i përgatitur nga Hasan Prishtina. Tri gjëra me vlerë universale humane bien në sy: ndalimi i djegies së kishave, ndalimi masakrimit të armikut të vrarë, pra ndalimi i shpërfytyrimit të tij dhe përmbajtja nga vrasjet e popullatës civile, të paarmatosur:

1. Asnjë kryengritës nuk guxon me i dëmtua shkijet ( mendohet për serbët apo popullsinë tjetër të krishterë) e vendit, veç atyre qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar.

2. Asnjë kryengritës nuk guxon me djegë shtëpia, e me rrënua kisha. 4. Asnjë kryengritës nuk guxon me ba ndonjë shëmtim mbi trupat e vrarë të armikut, as me i zhvesh ata armiq që mbesin të vdekun, të palgosun ose të nxanë robër” (f.182)

Në fund dy thënie të Hasan Prishtinës, duke konsideruar se shumë të tjera janë të njohura, (veçanërisht ajo që tërë thesari i botë nuk e lëkund nga rruga e nisur):

“Ne asnjëherë nuk kemi menduar se lirinë do të sjellë dikush nga jashtë. Vetëm pushkët tona do t’i detyrojnë armiqtë tanë t’i lëshojnë gërshërët, me të cilat duan të prenë copa nga atdheu ynë.” (307) dhe “Ne do të luftojmë, por nëse nuk e presin lirinë, ata që do të vijnë pas nesh, do të duhet t’i gjejnë shenjat tona. (313)

Shenja më dalluese e Hasan Prishtinës është dashuria dhe përkushtimi i kulluar ndaj Atdheut.

 
Leave a comment

Posted by on April 26, 2016 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: