RSS

SHKUPI NDERON BIJËN E SAJ, GONXHE BOJAXHIU – NËNË TEREZA

05 Sep
Skender Asani

Jam shumë i nderuar që sot kam nderin që në emër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që tashmë është bërë kujdestar i vlerave të njëmendta shpirtërore e kulturore shqiptare në Maqedoni, t’ju dëshiroj mirëseardhje në ekspozitën me dokumente e letërkëmbime të Nënës Terezë, të cilat deri tash kanë qenë të panjohura për opinionin.

Në kohën kur gjithë bota është ngritur në këmbë për ta pritur shenjtërimin e shqiptares nga Shkupi, Gonxhes që u mbiquajt Nëna Terezë, jemi të mendimit se ky proces duhet të fillojë pikërisht aty ku ajo e filloi jo vetëm jetën, por edhe misionin e saj të madh drejt bamirësisë, humanitetit dhe dashurisë. Ne konsiderojmë se djepi që e përkundi dhe e gatoi këtë figurë markante në përmasa botërore është pikërisht Shkupi i saj dhe pikërisht lagjet në të cilat sot vendosëm lule dhe aty ku sot po e shpalosim këtë ekspozitë.

Të nderuar, kur duhet të fliten fjalë të mëdha për Nënën Terezë, të gjithë ne ndjehemi të vegjël, sepse nuk gjejmë fjalë aq madhështore që mund ta bëjnë shkronja shpirtin e saj sa gjigant, po aq modest.

Por, meqë jemi në Shkupin e Nënës Terezë, meqë jemi pranë ditëlindjes së saj dhe meqë jemi mes miqsh që kanë respekt të madh për figurën e saj, do të më lejoni të them se Nëna Terezë nuk ishte nënë biologjike e askujt, për shkak se ishte AMA e gjithë njerëzimit. Ajo ishte nëna e të gjitha nënave dhe mbase për këtë ajo ishte meritore ta këtë emër. Prandaj vetëm ajo në gjithë botën vazhdon të quhet NËNË nga të gjitha kombet, fetë e shtetet. Ndërkaq, diçka që neve na bën dyfish krenarë është se ajo, përveç shkupjane dhe besimtare e devotshme, është edhe një shqiptare, një kombinim që kujtoj se ishte çelësi i suksesshëm i misionit të saj, që e bëri të pavdekshëm emrin Gonxhe Bojaxhiu.

Me lejoni po ashtu të theksoj se derisa sot bota flet me kaq pasion për tolerancën dhe gati sa nuk e ka shpallur kod të shenjtë të botës bashkëkohore, Nëna Terezë shkoi përtej – ajo foli për dashurinë. Atë e njeh bota si nëna e dashurisë. Ajo nuk na mësoi vetëm të tolerohemi, por na këshilloi si ta duam njëri-tjetrin, pavarësisht se tjetri mund të jetë i ndryshëm nga ne. Ajo na mësoi se nuk mjafton toleranca pa dashuri. Është ky një mësim që sa vjen e bëhet më i rëndësishëm në botën tonë dhe, me kalimin e kohës, po bëhet aksiomë e veprimit tonë. Siç e thotë ajo vetë në një rast “Kjo botë nuk është e uritur vetëm për bukë, por edhe për dashuri”. Dhe, derisa për bukë gjithkush gjen një zgjidhje, për dashuri gjithnjë kërkohet një Nënë Terezë, që me jetën e saj të bëhet pishtare e dashurisë në botë.

Të nderuar, meqë nuk dua ta zgjas shumë, do të më lejoni që të shpreh disa falënderime, sepse vetëm ata që janë mirënjohës, meritojnë mirënjohjen.

E falënderoj, para së gjithash, Ambasadën e Zvicrës dhe Civica mobilitas, që është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), pa ndihmën financiare të së cilës ky eveniment nuk do të mund të realizohej.

E falënderoj z. Albert Rama, që na furnizoi me letrat që po publikohen për herë të parë, z. Anton Sereçin që po ashtu na ofroi fotografi të rëndësishme të Nënës Terezë, si dhe Arkivin Qendror të Lucernit nga Zvicra, Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë, Institutin e Hsitorisë “Ali Hadri” nga Prishtina dhe Shoqatën Zvicër-Shqipëri.

I falënderoj edhe miqtë e bashkëpunëtorët e tjerë, ambasadat e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe kolegët e tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia, që të gjithë me kontributin e tyre ndihmuan në realizimin e kësaj ekspozite.

Po e përfundoj fjalën time duke sjellë dy citate nga, që mbase mund të jenë hyrje në këtë ekspozitë. Goxhe Bojaxhiu më 1928 në Shkup do të shkruante: “Nga gjuhët njoh shqipen, që e kam gjuhë amtare”, ndërsa Nëna Tereza më 1979 nga Oslo do ta përsëriste: “Unë gjithmon e kam në zemër popullin tem shqiptar”.

E kur shteren fjalët, ne – në frymën e saj – deklarojmë zëshëm: “Edhe ne e kemi në zemër nënën e gjithë njerëzimit sot, tashmë të shenjtëruarën Nëna Terezë”.

Ju faleminderit!

Shënim: Skender Asani është drejtor i ITSHKSH në Shkup. Me 07 Shtator 2016 do të ekspozohen hulumtimet e tij për Shën Terezen në New York.

 
Leave a comment

Posted by on September 5, 2016 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: